Connect with us

Kosovë

Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

Published

on

Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.

Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik. Nga Presidenca e Kosovës e mirëpritën vendimin dhe thanë se është konstatuar se Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.

Sipas vendimit, pas shpërndarjes ‘ex constitutione’ (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në vendim të Kushtetueses.

Sipas Gjykatës Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit, “që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë”, duhet të përfundojë “ jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

“Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, u tha në vendim.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë.

Presidenca: Kushtetuesja nuk ka konstatuar shkelje të presidentes Osmani

Disa orë pas publikimit të aktgjykimit, Presidenca e Kosovës tha se e mirëpret atë, duke argumentuar se organi më i lartë juridik në vend nuk gjeti asnjë shkelje kushtetuese të presidentes Osmani.

“Në përputhje me komentet e dërguara nga Presidenca, edhe vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet”, thuhet në reagim.

Ky institucion reagoi edhe ndaj deklaratave politike se Osmani ka shkelur Kushtetutën, duke thënë se këto tregojnë një keqlexim të aktgjykimit dhe “politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së presidentit”.

Presidenca tha se Kushtetuesja konfirmoi se vendi nuk shkon në zgjedhje të reja përmes një dekreti, “është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”.

Në reagim u tha se në komentet dërguar Kushtetueses, Osmani kishte shprehur po këtë qëndrim.

“Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se ‘në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual’”, u tha në reagim.

Osmani u tha se e mirëpret afatin 34-ditor dhe u bën thirrje deputetëve që “urgjentisht” ta kryejnë detyrimin kushtetues për zgjedhjen e pasardhësit të saj, duke i ftuar që qysh nesër të caktojnë një seancë për zgjedhjen e presidentit.

LVV: Gjykata konfirmoi se dekreti i Osmanit ishte në kundërshtim me Kushtetutën

Pas publikimit të vendimit, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se Gjykata konfirmoi se dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

“Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale. Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”, shkroi Nagavci në Facebook.

Sipas saj, në ditët në vijim, LVV-ja do të angazhohet që të zgjidhet presidenti i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja, që i cilësoi “të panevojshme dhe të padrejta”.

Abdixhiku: LVV ka detyrë të ofrojë zgjidhje, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se vendimi ka sjellë qartësi të nevojshme “në një moment të rëndësishëm institucional” për Kosovën, duke shtuar se subjekti që ai udhëheq e respekton plotësisht vendimin.

Sipas tij, vendimi nuk krijon epërsi për askënd. Por, ritheksoi se përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare.

“Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij, çështjet e tilla zgjidhen me marrëveshje politike e jo “me imponim”.

“Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt”, tha ai.

Abdixhiku, megjithatë, tha se dekreti i Osmanit dhe veprimet e saj për këtë çështje, “kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike”.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë”, tha ai.

Vendimi i gjykatës më të lartë në vend, nxiti reagime edhe nga njohës të zhvillimeve politike dhe juridike.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shkroi në Facebook se vendimi nxori në pah se nuk ka normë kushtetuese e as praktikë gjyqësore që detyron deputetët të qëndrojnë në sallë gjatë zgjedhjes së presidentit.

Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Deda, shkroi se Kushtetuta sqaroi “njëherë e përgjithmonë” çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Shkurt e shqip, nëse nuk mund të merreni vesh – pa imponim, shkohet në zgjedhje”, tha ai.

Si erdhi deri këtu?

Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër të pranueshëm, nuk kishin dhënë fryt.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme

Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe partia e kryeministrit Kurti.

Osmani e arsyetoi dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kishin dështuar t’i përmbushnin afatet ligjore.

Por, Partia në pushtet nguli këmbë se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i kishte nisur më 5 mars dhe se kishte afat prej 60 ditësh për ta përfunduar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy emrat e paraqitur nga partia në pushtet ishin të papranueshëm dhe ato këmbëngulën në marrëveshje politike ose të paraqitej një emër i pranueshëm për të gjithë.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Kush është Mikhail Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador të SHBA-së në Kosovë?

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, nominoi Mikhail Bogachekun për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke ia dërguar emrin Senatit amerikan për konfirmim.

Nominimi i tij u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, më 10 nëntor.

Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Kush është Mikhail Bogachek?

Michael Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative, sipas një biografie të publikuar në faqen e organizatës.

OAS-i, i themeluar në vitin 1948, përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.

Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.

Më herët, ai ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA.

Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.

Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri.

Ai ka përfunduar, gjithashtu, një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit.

Flet rrjedhshëm gjuhën ruse, ukrainase dhe hebraike.

Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh, të dërguar nga administrata Trump në Senat, më 10 nëntor.

Nominimi mes sfidave në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.

SHBA-ja e pezulloi këtë dialog, duke shprehur shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësitë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i Dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.

Më herët gjatë këtij viti, administrata Trump nominoi ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Senati amerikan e konfirmoi Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa kandidatët për tri vendet e tjera ende janë në pritje të konfirmimit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen 37 kilogram heroinë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të koduar si “Rikthimi”‘” i cili rezultoi me zbulimin dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramë substancë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Sipas informacioneve të dhëna, në këtë operacion janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve. Operacioni është realizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Continue Reading

Kosovë

Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për gjykim në mungesë kundër Adnan Jasharit, ish-partnerit të së ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra me 18 maj të vitit 2011.

Aktakuza në mungesë është ngritur më 22 tetor të këtij viti, pasi i akuzuari ndodhej në Spanjë e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, andaj autoritetet e kishin të pamundur ekstradimin e tij.

Sipas aktakuzës, fillimisht viktima ka raportuar tek autoritetet se nga ish-bashkëjetuesi me të cilin kishte një fëmijë, për dy vite kishte përjetuar maltretim fizik dhe psikik.

Më pas, sipas pretendimeve të viktimës, për shkak të kërcënimeve nga i akuzuari ajo kishte kërkuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë urdhër për mbrojtje emergjente. Edhe pse Gjykata duhej të merrte vendim brenda 24 orëve, kjo kërkesë e viktimës nuk u realizua asnjëherë.

Pas 22 ditësh, saktësisht më 18.05.2011, Dijana Kastrati pretendohet se u privua nga jeta me armë zjarri nga tashmë i akuzuari Adnan Jashari.

Afërsisht një vit pas rastit, prindërit e Dianës, Gëzim dhe Makfire Kastrati, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me mos veprimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë për vendosjen e urdhrit për mbrojtje emergjente, vajzës së tyre i është cenuar e drejta themelore për jetë.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Komunale në Prishtinë kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente. 

Më pas, Gjykata e Apelit e Kosovës vendosi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të të ndjerës, Diana Kastrati, si kompensim për dëmin jo-material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore.

Continue Reading

Trending