Connect with us

Botë

Trump kërcënon Iranin me shkatërrim total

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përsëriti kërcënimin e tij për të shkatërruar termocentralet dhe urat e Iranit, nëse ky i fundit nuk bën marrëveshje për t’i dhënë fund luftës dhe për të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Trump paralajmëroi se Irani mund të “shkatërohet brenda një nate”.

Duke folur më 6 prill në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm, Dan Caine, dhe drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, Trump e përshkroi momentin si një pikë vendimtare në një konflikt që po përshkallëzohet shpejt.

“I gjithë vendi mund të shkatërrohet brenda një nate dhe ajo natë mund të jetë nesër”, tha Trump, duke kujtuar afatin e 7 prillit që i ka vënë Iranit për t’i përmbushur kërkesat e SHBA-së.

“Kjo është një periudhë kritike. Ata kanë kohë deri nesër, në orën tetë”, tha Trump.

Teherani dha pak shenja të zmbrapsjes.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët iranianë hodhën poshtë një propozim armëpushimi prej 15 pikash nga Uashingtoni, ndërsa luftimet me Izraelin i intensifikuan gjatë natës.

Trump tha se nuk mund ta diskutonte propozimin, por theksoi se Uashingtoni ka “një pjesëmarrës aktiv dhe të gatshëm në anën tjetër” të negociatave.

I pyetur nëse është i shqetësuar se bombardimi i termocentraleve dhe urave do të shihej si krim lufte, Trump tha: “Jo. Shpresoj të mos më duhet ta bëj”.

E ashtuquajtura Komandë e Përbashkët Ushtarake e Iranit – organi që koordinon operacionet midis Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe ushtrisë së rregullt – i përshkroi komentet e presidentit amerikan si “retorikë e vrazhdë dhe arrogante”, raportoi mediumi Nour News, duke cituar një deklaratë të kësaj komande.

Konferenca e Trumpit nisi me atë që ai e përshkroi si një mision “shumë historik” shpëtimi: nxjerrjen e dy ushtarakëve amerikanë, aeroplani luftarak F-15 i të cilëve u rrëzua mbi territorin e Iranit.

Sipas Trumpit dhe udhëheqjes së tij ushtarake, operacioni përfshiu një angazhim masiv me mbi 150 avionë – përfshirë bombardues, avionë luftarakë, cisterna për furnizim me karburante dhe njësi shpëtimi – që vepruan nën zjarrin e madh të armikut.

“Nuk lëmë asnjë amerikan pas. Mund të kishim përfunduar me 100 të vdekur”, tha ai.

Një nga pilotët e rrëzuar, i plagosur rëndë, mbijetoi gati 48 orë pas vijave të armikut, duke e shmangur kapjen në terrenin e kontrolluar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Trump tregoi se si piloti “u ngjit në shkëmbinj, mjaft i gjakosur”, ndërsa trajtonte vetë plagët e tij dhe njëkohësisht transmetonte vendndodhjen.

Gjenerali Caine tregoi se operacioni i shpëtimit ishte mbuluar nga një “armadë ajrore”, ndërsa Ratcliffe shtoi se misioni bëri një “fushatë mashtruese” për të ngatërruar forcat iraniane që po e ndiqnin pilotin.

“Ishte garë kundër kohës”, tha Ratcliffe, duke vënë në dukje përdorimin si të inteligjencës njerëzore, ashtu edhe të teknologjive të përparuara të mbikëqyrjes.

Analistët ushtarakë thonë se operacioni veçohet për kompleksitetin e tij.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, gjenerallejtënanti në pension i Forcave Ajrore të SHBA-së, David A. Deptula, e përshkruan atë si një shpëtim të rrallë luftarak dhe shumë dinamik.

“Kjo përfshiu një operacion të rimëkëmbjes në thellësi brenda territorit armiqësor iranian, vendndodhjen e pasigurt të të mbijetuarit, ndjekjen nga armiku, terrenin malor dhe adaptimin në kohë reale me sulmet”, thotë ai.

Sipas tij, misionet e tilla kërkojnë koordinim midis inteligjencës, fuqisë ajrore dhe komunikimeve, ndërsa sinjalizojnë si aftësinë e SHBA-së, ashtu edhe rreziqet e vazhdueshme të operimit mbi Iran.

Gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë, Trump zbuloi se jo të gjithë zyrtarët ushtarakë e mbështetën misionin e shpëtimit – disa shprehën shqetësime për rrezikun e dërgimit të qindra ushtarëve në territorin iranian, i cili vazhdon të jetë shumë i mbrojtur.

“Zakonisht nuk bëhet… Qindra njerëz mund të ishin vrarë”, tha Trump.

Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, ai tha se personalisht e miratoi operacionin, duke e përshkruar rezultatin – pa viktima – si “pothuajse të pamundur”.

Ultimatumi dhe përshkallëzimi

Paralajmërimi i Trumpit fokusohet te kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit – një pikë kyç për dërgesat globale të naftës.

Sipas tij, edhe ndërprerjet e kufizuara të lundrimit – si me anë të vendosjes së minave detare – mund ta paralizojnë transportin ndërkombëtar detar.

Ndërsa tha se forcat amerikane kanë neutralizuar në masë të madhe forcat detare dhe ajrore të Iranit, Trump pranoi se kërcënime ka.

“Mjafton vetëm një terrorist me një kamion dhe një minierë uji”, tha Trump, duke vënë në dukje cenueshmërinë e trafikut detar.

Pavarësisht retorikës së ashpër, Trump shtoi se negociatat janë duke vazhduar “me mirëbesim”.

“Ata do të donin të bënin marrëveshje”, tha ai, por nuk dha hollësi.

Duke iu referuar komunikimeve të përgjuara, Trump përsëriti se shumë iranianë i mbështesin sulmet e SHBA-së si “një rrugë drejt lirisë”.

“Ata po thonë, ‘Ju lutem, vazhdojini bombardimet’”, tha Trump, duke shtuar se civilët janë të gatshëm t’i përballojnë vështirësitë për të rrëzuar regjimin.

Në të njëjtën kohë, ai pranoi edhe rreziqet me të cilat përballen protestuesit iranianë, duke kujtuar goditjet e forcave të sigurisë kundër tyre.

“Unë, në fakt, u them atyre të mos dalin. Nuk është çështje trimërie – është inteligjencë”, tha Trump, duke përmendur ekzekutimet dhe shtypjen – përfshirë vrasjen e protestuesve dhe disidentëve – për të justifikuar qëndrimin e tij të ashpër kundër Teheranit.

Trump shfrytëzoi konferencën edhe për të kërcënuar një gazetar që raportoi detaje për pilotin e bllokuar, para se misioni i shpëtimit të përfundonte.

“Do t’i themi: ‘Siguria kombëtare – dorëzohuni ose shkoni në burg’”, tha Trump, duke iu referuar burimit të rrjedhjes së informacionit.

Ai argumentoi se publikimi i informacionit mund të kishte paralajmëruar forcat iraniane dhe të kishte komplikuar operacionin, por nuk e përmendi emrin e medias së përfshirë.

Këto zhvillime vijnë ndërsa konflikti vazhdon të përshkallëzohet në të gjithë rajonin.

Izraeli njoftoi se ka goditur objektiva kyç iraniane gjatë natës, përfshirë infrastrukturën energjetike, ndërsa Irani, në përgjigje, nisi sulme të reja.

Mediat shtetërore iraniane raportuan më 6 prill se të paktën 19 persona humbën jetën dhe 20 u plagosën nga sulmet ajrore amerikane dhe izraelite pranë Teheranit.

| Radio Evropa e Lirë

Botë

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit

Published

on

Në Qendrën Memoriale Potoçari në Srebrenicë, në 31-vjetorin e gjenocidit do të varrosen mbetjet mortore të dhjetë viktimave.

Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022.

Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Më 11 korrik, në mbarë Bosnje e Hercegovinën dhe në vende të ndryshme të botës po shënohet 31-vjetori i krimit më të rëndë të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit, në verën e vitit 1995, u vranë mbi 8.300 boshnjakë.

Në Serbi, ndërkaq, Vladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës Krokodil në Beogradi – që merret me programe kulturore, letrare dhe socio-politike – është rrahur mëngjesin e sotëm në prag të një ngjarjeje përkujtimore në kryeqytetin serb kushtuar 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Gruaja e tij konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është anuluar. Ngjarja ishte organizuar nga OJQ, fondacione, artistë, të cilët synojnë ruajtjen e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Në Potoçari të Bosnjës pritet të marrin pjesë delegacione nga Bosnja dhe nga jashtë vendit, si dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët për tri ditë ecën përgjatë rrugës nëpër të cilën të mbijetuarit u përpoqën të arratiseshin nga Srebrenica e rrethuar.

Më 9 korrik, në Nju Jork u mbajt një ceremoni përkujtimore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot, ditë zie është shpallur vetëm në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Evropa në valën e të nxehtit: Temperatura deri në 44°C

Published

on

Trembëdhjetë persona u mbytën gjatë fundjavës në Francë, duke notuar në zona të pambikëqyrura, në kushte të nxehtësisë ekstreme.

Kjo valë e të nxehtit pritet të bëhet edhe më e fortë nga sot, në shumë vende të Evropës, prandaj autoritetet kanë marrë masa të veçanta për mbrojtjen e njerëzve.

Shumë aktivitete në ambiente të hapura janë anuluar, disa shkolla janë mbyllur, ndërsa shumë punonjësve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia.

Në Francë, 49 nga 96 rajonet janë vendosur nën alarmin e kuq për nxehtësinë.

Sipas shërbimit meteorologjik Meteo-France, temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në qytetin jugperëndimor Bordu dhe 39 gradë Celsius në Paris.

Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos freskohen në zona të pambikëqyrura, si liqenet dhe lumenjtë, pas mbytjeve të raportuara gjatë fundjavës – në mesin e tyre edhe një vajzë 13-vjeçare.

Rreth 845 shkolla janë mbyllur të hënën, për shkak të nxehtësisë, ndërsa 1.800 të tjera i kanë lejuar nxënësit të largohen më herët.

Në Belgjikë, temperaturat këtë javë pritet të jenë “më të nxehtat ndonjëherë”, paralajmëroi shefi i parashikimeve në institutin meteorologjik IRM, David Dehenauw.

Në Spanjë, meteorologët paralajmërojnë nxehtësi shumë të madhe si ditën ashtu edhe natën, deri të mërkurën, me temperatura deri në 44 gradë Celsius.

Ata thonë se kjo është 5 deri në 10 gradë më shumë se normalja për këtë periudhë.

Në Portugali, temperaturat janë mbi mesataren, ndërsa në disa zona ato po u afrohen rekordeve të mëparshme.

Në Britani është dhënë paralajmërim për nxehtësi ekstreme, me temperatura që mund të kalojnë 35 gradë Celsius.

Ekspertët thonë se rekordet e nxehtësisë në Britani për muajin qershor pritet të thyhen.

Në Republikën Çeke dhe në pjesë të tjera të Evropës Qendrore, temperaturat janë gjithashtu mbi mesataren për këtë periudhë.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit, situata është e ngjashme me pjesën tjetër të Evropës: temperatura të larta dhe valë e fortë nxehtësie, me disa dallime nga vendi në vend.

Kjo valë e të nxehtit është e dyta radhazi brenda dy muajve, pas një periudhe të pazakontë të nxehtë në maj.

Shkencëtarët thonë se valët e përsëritura të të nxehtit janë një shenjë e qartë e ngrohjes globale dhe paralajmërojnë se ato do të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më të forta.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja dhe Irani janë pajtuar për një plan drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, thonë ndërmjetësit

Published

on

Ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari deklaruan më 22 qershor se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit kanë përfunduar, me të dyja palët që kanë rënë dakord për një kornizë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqeje brenda 60 ditëve, që përfshin garantimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e luftimeve në Liban.

Pak detaje konkrete u bënë publike në një deklaratë të përbashkët të Katarit dhe Pakistanit. Marrëveshja duket se pasqyron objektivat e përgjithshme të përcaktuara në një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar javën e kaluar nga presidentët e SHBA-së dhe Iranit.

Ai memorandum la të hapura për interpretim shumë prej termave të një marrëveshjeje me 14 pika. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ato çështje ishin sqaruar në marrëveshjen më të fundit.

Deklarata tha se, ndërsa negociatat formale kishin përfunduar në qytezën turistike zvicerane të Byrgenstokut, diskutime të mëtejshme teknike do të zhvillohen nga delegacionet gjatë javës së ardhshme.

Ajo tha se do të krijohen “grupe pune” për të trajtuar çështjet “bërthamore, sanksionet dhe një grup për monitorim dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve për të siguruar zbatimin efektiv të memorandumit të mirëkuptimit, si dhe për çështje të tjera”.

Zyrtarët amerikanë nuk komentuan menjëherë.

Ministria e Jashtme e Iranit, në deklarata të raportuara nga media shtetërore iraniane, tha se bllokada amerikane e porteve ishte hequr, se “disa asete të ngrira” ishin liruar dhe se ishte nisur një “plan i madh zhvillimor për rindërtimin e Iranit”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se, lidhur me kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, “u ra dakord të organizohet një mekanizëm”, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Më herët, ndërsa ora po afrohej mesnatës, një diplomat i lartë amerikan tha se ekipet amerikane dhe iraniane do të punonin “gjatë gjithë natës” në përpjekje për ta shndërruar memorandumin e mirëkuptimit në një zgjidhje të përhershme ushtarake dhe politike. Zyrtarët thanë se bisedimet zgjatën 18 orë.

Marrëveshja, dhe veçanërisht dakordimi për ngritjen e një fondi rindërtimi si dhe mungesa e qartësisë mbi programin bërthamor të Iranit, është pritur me zemërim nga demokratët amerikanë dhe gjithashtu nga shumë republikanë.

Përveç kësaj, shumë udhëheqës izraelitë kanë deklaruar se vendi nuk është palë në marrëveshje dhe janë zotuar të vazhdojnë sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.

Hezbollahu, një grup militant dhe parti politike e mbështetur nga Irani që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor, konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij ushtarak, por jo degën e tij politike.

Raportet kanë sugjeruar gjithashtu se kundërshtimi nga disa fraksione të vijës së ashpër brenda Iranit — përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) — ka ushtruar presion shtesë mbi ekipet negociuese të Teheranit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending