Pas një beteje dyvjeçare nëpër Gjykata të Kosovës, drejtësia filloi të buzëqeshë për banorët e lagjes “Astrit Bytyqi” të cilëve Komuna e Ferizajt padrejtësisht dhe me shkelje ligjore, përmes miratimit të Planit Zhvillimor, kishte nisur t’ua shndërrojë pronat e tyre në një kantier ndërtimi të lartë, në kundërshtim me vullnetin e shprehur të shumicës së pronarëve, që kjo zonë të mbetej lagje e ndërtimit të ulët.
Harta e koeficientit të ndërtimit – e palejuar në PZHK, sipas Gjykatës dhe Inspektoratit të MMPH-së
Konkretisht, Gjykata Administrative në Prishtinë, me Aktgjykimin e djeshëm nr. 1675/2017 ka anuluar vendimin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor KSHA 926/17, i cili gjatë vitit 2017, pa bazë ligjore dhe pa i administruar provat e palëve, pat hequr pezullimin e pëlqimit të Ministrisë së Planifikimit dhe i pat hapur rrugë Kuvendit të Komunës së Ferizajt që më 21 Shtator të vitit 2017 të miratojë Planin e ri Zhvillimor 2017-2025.
Këshilltarët e grupit parlamentar të PDK-së të mbetur në seancë, abstenojnë gjatë votimit të PZHK-së 2017-2025, 21 Shtator 2017
Implementimi i PZHK-së re nga administrata kaluar dhe nga administrata e tanishme komunës së Ferizajt, ka rezultuar me dhënie të lejeve ndërtimore pa kriter dhe në kundërshtim me planet rregullative të Zonave 1,3,6,7 dhe 8 të cilat sipas ligjit janë ende ne fuqi.
Plani Zhvillimor Komunal 2017-2015 i miratuar me përmbajtje të jashtëligjshme
Mirëpo Gjykata Administrative me
aktgjykimin e vet ka aprovuar provat e paditësit Imri Haliti, dhe ka gjetur se Komisioni
i MMPH-së, gjatë shqyrtimit të ankesave, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit
për Procedurën Administrative, nuk e kishte dëshmuar me prova se Komuna e Ferizajt
i ka plotësuar kërkesat e vendimit të Inspektoratit të Ministrisë së
Planifikimit, që nga Plani Zhvillimor të largohej kategorizimi i ndërtimeve të
larta dhe të ulëta, sepse kjo ishte në kundërshtim me udhëzimin administrativ UA
11/2015, ku ceken përmbajtja dhe procedurat e miratimit të Planit të ri.
Gjykata Administrative
ka vërtetuar se vendimi i Ministrisë ka kundërshtim në mes të përmbajtjes dhe dispozitivit
dhe se nuk mund të bëhet analiza e ligjshmërisë së tij.
Gjykata Administrative poashtu ka gjetur prova se Komisioni i Ministrisë së Planifikimit ka pasur në përbërje persona që janë në konflikt të interesit, dhe se njëri nënshkrim në raportin e komisionit të Ministrisë ka qenë i paautorizuar.
Këto gjetje të Gjykatës Administrative i hapin rrugë edhe prokurorisë speciale të Kosovës që në bashkëpunim me Prokurorinë e Ferizajt të nisin hetime edhe kundër zyrtarëve të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor për keqpërdorim eventual të detyrës zyrtare dhe tejkalim eventual të kompetencave, në lidhje me shkeljet e vërtetuara të Ligjit 04/L-174 dhe Udhëzimeve përkatëse administrative, ndërsa banorëve të rrugës “Astrit Bytyqi” u mbetet në dispozicion mundësia që të ngrisin kallëzim penal dhe të kërkojnë dëmshpërblim për ”dëmet e mëdha e të pariparueshme”, si prova të pranuara në aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.R., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 28 Qershor 2026, rreth orës 22:40 në Ferizaj, rruga, “Sejdi Sejdiu”, e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H., pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike në mes tyre, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja”, nga neni 172 të KPRK-së.
Ndërkaq, i dyshuari me iniciale M.B., që ishte ndaluar deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në rast, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është liruar.
Po ashtu, në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar edhe e dyshuara A.R., të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima- tani i ndjeri (F.H.,) për të cilat ka marr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:50, në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”në Ferizaj, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë ndaluar për 48 orë.
Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë.
Nga hetimet fillestare rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin aty bashkëshortja, si dhe vajza e tij A.R. (24 vjeçe). Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari M.B. është ndaluar për 48 orë. Po ashtu, edhe ndaj A.R. është lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh, mirëpo ajo vazhdon të mbetet nën trajtim mjekësor në QKUK.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim dhe autorizim të prokurorit të shtetit, është duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.
Policia Rajonale në Ferizaj ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit është raportuar një aksident trafiku ku si pasojë u lëndua një person. Gjatë këtij harku kohor njësitet e trafikut kanë shqiptuar gjithsej 240 gjoba për kundërvajtje.
Më së shumti janë shqiptuar gjoba për tejkalim të shpejtësisë, 74 sosh dhe 48 të tjera për mosrespektim të shenjave të komunikacionit.
Po ashtu, si rezultat i shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut, policia ka konfiskuar 1 automjet, 4 skuterë/motoçikleta dhe 4 patentë shoferë.