Connect with us

Ferizaj

“Zona e pritjes” dhe ”Un Inspektori” fituese të Festivalit të Teatrove

Published

on

Edicioni i 49 i Festivalit të Teatrove u përmbyll me shfaqjen, ”Kanuni i Gruas”, për të vazhduar më pas me shpërndarjen e çmimeve, ku shfaqja “Zona e pritjes” e teatrit “Migjeni” të Shkodrës me regji të Fatos Berishës dhe  ‘UN Inspektori”, me regji të Erson Zymberit, u shpallën fituese të çmimit kryesor.  Ndërkaq, juria gazetare për këtë vit ndau çmimin “Hafir Bislimi” për teatrin e qytetit të Gjilanit me shfaqjen “Erdhi Godoja”, e çmimi  kostumografia më e mirë iu nda Alma Krasniqit, teatri “Hadi Shehu” Gjakovë, skenografia më e mirë Betim Zeqirit nga teatri i Tetovës,  roli më i mirë episodik i takoi aktores së teatrit “Adriana” të Ferizajt Urata Shabani, ndërsa roli dytësor më i mirë për meshkuj Simon Shkrelit nga teatri “Migjeni” të Shkodrës, e roli dytësor më i mirë për femra Vlora Pylla e teatrit “Hadi Shehu” Gjakovë, aktorja më e mirë çmimi “Adriana” iu dha Vjollcë Bekteshit nga teatri i Tetovës, aktori më i mirë çmimi “Ismail Rama” i takoi Arsim Fazliut po ashtu nga teatri i Tetovës, ndërkaq regjia më e mirë iu nda Kushtrim Bekteshit nga teatri i Tetovës.

Me këtë rast, dramaturgu Haqif Mulliqi, i cili ishte pjesë e Jurisë se këtij Festivali, edicionin e sivjetëm  të festivalit e  vlerësoi  të suksesshëm, meqë siç tha ai, kishte prurje mjaft interesante të zhanreve të ndryshme si dhe loja e veçantë e aktorëve.

“Ne duhet ta shohim këtë festival si një event gjithëkombëtar se është një festival kombëtar, meqë këtu vijnë shfaqjet që kanë shënuar vlera nga vendet prej nga vijnë të themi kemi Shkodrën, kemi Tetovën dhe trupat tonë, teatri Ferizajt sivjet ishte me një performancë, shfaqje më të mirë, kur them performancë dua të them që Zhan Di Vinja shfaqjen tetarore e quan performancën më të mirë të mundshme, ne e kemi bastarduar pak, sido që të jetë publiku besoj ishte i kënaqur, ka dominuar komedia, thotë dikun një teori në kohëra të vështira njerëzit kanë nevojë për komedi dhe publiku ka komunikuar shumë mirë. Ishte një publik i mrekullueshëm, edhe ne kohën kur kishte ndeshje te futbollit edhe fundjavës dhe  e stërmbushi këtë sallë me plot njerëz, unë mendoj që festivali, ta quaj unë kombëtar  i Teatrove në Ferizaj është një prej festivale më të mira që organizojnë shqiptarët gjithandej dhe unë mendoj që ndoshta në të ardhmen duhet investuar më shumë, duhet begatuar festivalin me aktivitete përcjellëse, ta themi ndonjë ëorkshop, ndonjë ligjëratë e gjëra të tjera siç ishte sivjet me promovimin e mikut dhe kolegut tim Bekim Lumi të cilit iu promovua libri në kuadër të festivalit”, tha dramaturgu Mulliqi.

Ndërkaq, Fatos Berisha, regjisor i shfaqjes “Zona e pritjes” të performuar nga tetari “Migjeni” nga Shkodra, e cila bashkë me shfaqjen “Un Inspektori” mori çmimin e shfaqjes me të mirë të festivalit, tha se kjo shfaqje do të vazhdoj rrugëtimin e saj edhe në festivale të tjera.

“Zona e pritjes” vazhdon rrugëtimin e saj, ne e kemi edhe një festival sivjet, është ai i Shkupit një festival i ri, që sapo fillon sivjet në Shkup, një festival ndërkombëtar dhe do ta shfaqim edhe atje në muajin e ardhshëm“,  bëri të ditur regjisori Berisha.

E, ndërsa Urata Shabani, aktore e teatrit “Adriana” në Ferizaj, e cila mori çmimin e rolit më të mirë episodik, u shpreh e motivuar për të punuar më shumë.

“Çmimi i parë dhe i imi si studente, si aktore, aktore e trupës së Ferizajt, ka qenë një nder shumë i madh për mua, sepse çmimi parë me t’u nda në një qytet në të cilin je rritë, është përnjëmend një emocion shumë i madh, dhe faleminderit trupës të teatrit “Adriana”, faleminderit publikut, faleminderit të gjithëve”, tha aktorja Urata Shabani.

Në mungesë të kapaciteteve infrastrukturore në teatrin e Ferizajt, drejtori i këtij teatri Fatmir Hyseni, tha se do të fillojnë që tani me përgatitjet për krijuar hapësira të mjaftueshme për festivalin e 50-të jubilar që do të mbahet vitin e ardhshëm.

“Ne do të mundohemi të bëjmë zgjidhje edhe përkundër infrastrukturës që e kemi, mirëpo nuk besoj që brenda një viti mund të ndërtojmë një teatër tjetër, karriget është kërkesë e kahmotshme, 10 vjeçare mos të them, se kanë qenë karrige të përkohshme që janë vendos, por unë besoj që për festivalin do ta mbledhim këshillin qysh herët, qysh tash të mendojmë për festivalin pasi është 50 vjetori, është vit jubilar, festivali të mbahet edhe në teatrot tjerë ndoshta, ose të kemi edhe shfaqje alternative që do të mbahen edhe nëpër objekte tjera që i caktojmë ne. Ka mendime të ndryshme, por do të mundohemi që 50 vjetori të jetë me më shumë prurje, me siguri do të jetë dyfishi i shfaqjeve shqiptare, por do të kemi edhe shfaqje tjera ndërkombëtare që do të jenë alternativë e festivalit që të ketë festë, do të ketë master klasë të dramaturgjisë, të regjisë së teatrit, po do të ketë edhe ëorkshope, do të ketë edhe kritik teatri, kritikë e cila do ta zhvendosë tryezën jo menjëherë pas shfaqjes por të nesërmen dhe do të dalin me konkludime të tyre kritikat që do të mbeten në arkivat e këtij festivali“, tha drejtori Hyseni.

Në festivalin e sivjetëm, të 49-tin me radhë, janë paraqitur shtatë shfaqje ku në natën e parë u dha shfaqja “Shumë zhurmë për asgjë” nga teatri i Gjakovës nën regji të Zana Hoxha, për të vazhduar natën e dytë me shfaqjen “Një letër e humbur” nga teatri i Tetovës me regji të Kushtrim Bekteshit, ndërkaq në natën e tretë u paraqit teatri “Migjeni” nga Shkodra më shfaqjen “Zona e pritjes” nën regjinë e Fatos Berishës, nata e katërt vazhdoi me “UN Inspektori” nga teatri “Adriana” të Ferizajt me regji të Erson Zymberi, “Erdhi Godoja” ishte shfaqja që u dha në natën e pestë nga tetri i qytetit të Gjilanit nën regji të Shkëlzen Berishës, teatri “Avdush Hasani” dhe Insituti për Vetëdijësimin Bashkëkohor në natën e gjashtë  u paraqitën me shfaqjen “Ditë vere” të regjisorit Naser Shatrolli dhe natën e shtatë e mbylli Art Polis-Prishtinë me shfaqjen “Kanuni i Gruas” me regji të Arlinda Morinës.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Ferizaj kualifikohet në finale të Kupës së Kosovës në futboll  

Published

on

Futbollistët e Ferizajt u kualifikuan për në finalen e Kupës së Kosovës në futboll, pasi në gjysmëfinale eliminuan ekipin e Llapit me rezultat të përgjithshëm 2:1.

Ndeshja e kthimit, e zhvilluar sot në stadiumin e qytetit të Ferizajt, përfundoi pa gola 0-0, por falë fitores prej 2-1 si mysafir në ndeshjen e parë, ferizajasit  siguruan vendin në finalen e madhe ku do të përballen me Dukagjinin, i cili në gjysmëfinalen tjetër, eliminoi Ballkanin me rezultat të përgjithshëm 6:2.

Takimi i sotëm në Ferizaj u ndërpre për disa minuta pas hedhjes të gjësendeve në fushë nga shikuesit, për të vazhduar vetëm pas largimit të tërësishëm të shikuesve nga tribunat.

Kjo do të jetë finalja e tretë për ferizajasit, pas asaj të edicionit 2011/2012 kur humbi nga Trepça ’89 dhe finales së edicionit 2012/2013 të cilën e humbi nga Prishtina.

Continue Reading

Ferizaj

Humb jetën nxënësi 15 vjeçar në ambientet gjimnazit në Ferizaj

Published

on

Një nxënës ka humbur jetën në ambientet shkollore të gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”  në Ferizaj.

Sipas policisë, viktima është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike dhe me urgjencë është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku pavarësisht trajtimit mjekësor, ka ndërruar jetë.

“Me datë 17.04.2026, rreth orës 15:15, është pranuar një informatë se në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit”, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, një nxënës mashkull (15 vjeç), në rrethana ende të panjohura, është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike”, njoftoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Në vendngjarje, rastin janë duke e trajtuar hetuesit e stacionit, ata rajonalë dhe krimteknikët ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Continue Reading

Ferizaj

Lëndohet një punëtor pasi bie nga një ndërtesë në Ferizaj

Published

on

Një punëtor 46-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda pasi ka rënë nga kati i dytë i një objekti, në rrugën “Uran Tinova” në Ferizaj.

Për shkak të lëndimeve të pësuara, punëtori fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Ju njoftojmë se sot, rreth orës 12:40, kemi pranuar një informatë se në rrugën “Uran Tinova” në Ferizaj , në një objekt në ndërtim, një punëtor është rrëzuar, dyshohet nga kati i dytë në vendin e punës. Sipas informatave të para nga  vendi i ngjarjes, bëhet fjalë për punëtorin, 46 vjeç.

Për shkak të lëndimeve të pësuara, fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas në QKUK në Prishtinë. Patrullat policore dhe njësitet e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. 

Ndryshe, brenda dy javëve të fundit ky është rasti i tretë i aksidenteve në punë për shkak të rënies nga lartësia në objekte ndërtimi në Ferizaj.

Continue Reading

Trending