Bllokimi i kanalizimit në fshatin
Dubravë të Ferizajt, po ua vështirëson jetën banorëve të kësaj ane. Nga dëmtimi
i gypave, ujërat e zeza po ua vërshojnë oborret e shëpive. Ata thonë se përveç
erës së rëndë, uji i grumbulluar po ua pamundëson qarkullimin normal.
“Janë mbyllur kanalizimet, shikoje
aty kanalizimin, gypat nuk po e marrin ujin. Kjo lidhet me lumë të madh andej,
askush nuk merr parasysh këtë punë. Të gjithë bllokohemi këtu, jemi 10 shtëpi,
duan fëmijët të shkojnë në shkollë, ndonjë të sëmurë diçka, kur del uji nuk
kemi nga të shkojmë, dalim nga anë tjera, disi të bëhet ndonjë zgjidhje. Kanë
thënë që vijnë, e premtojnë, por askush akoma nuk na ka marrë parasysh. Ne më shumë
në hall jemi këtë gyp të na e rregullojnë, të hapet kanalizimi nëse mundet
ndokush”, tha
Bejtullah Kadrolli.
“Kemi dëshirë këtë të na e pastrojnë. Nëse vdes ndokush, na duhet kufomën
ta mbajmë një javë, dy javë, derisa të pushon uji këtu, sepse përndryshe nuk
mund të dalim askund. Uji vjen afër 30 metra, 40, nga ky kanalizim këtu, nuk
kemi nga të shkojmë”,
u shpreh Aziz Ahmeti.
Një pjesë tjetër e këtij fshati po
kanë probleme me erën e rëndë që kundërmon nga kanalizimi. Ata frikësohen se
era e rëndë do t’ua dëmtoj shëndetin.
“Këtu është problemi me kanalizim, ka shpërthyer gypi, askush nuk merr
masa, vjen këtu uji, era e rëndë, plus hedhin edhe rroba si mbeturina këtu pa
masë, çkado, hedhin natën, nuk e dimë çka bëjnë. Kjo është keq për të gjithë,
për të gjithë vlen e kështu që nëse munden të marrin masa ndokush”, theksoi Muhamet Bakolli.
“Është prishur gypi, uji e ka
bartur gypin edhe më nuk kanë ardhur ta rregullojnë fare. Kanë qenë të komunës
e kanë shikuar, kanë thënë për ta rregulluar por jo nuk janë duke ardhur. Në
mbrëmje, gjatë verës nuk mundemi të rrimë jashtë nga era e keqe”, tha Elez Guriqi.
Ndërsa, zyrtari për marrëdhënie me
publikun të komunës së Ferizajt, Albion Sherifi, thotë se projekti për
rregullimin e kanalizimit në fshatin Dubravë do të nis vitin e ardhshëm, pa
treguar se në cilin muaj.
“Në kuadër të investimeve kapitale që po ndodhin në gjithë territorin e
Ferizajt, komuna e Ferizajt fillimisht ka bërë evidentimin e të gjitha efekteve
apo mangësive, sfidave që paraqiten në terren, ndër to edhe në fshatin Dubravë.
Ju tashmë e dini që ka një gamë projektesh të cilat do të zhvillohen dhe janë
planifikuar për fshatin Dubravë ku jeton një pjesë e madhe e komunitetit joshumicë
në Ferizaj. Edhe kjo sfidë besoj që do të tejkalohet me intervenimin e
instuticioneve lokale, në këtë rast thashë ka projekte konkrete të cilat
synojnë të zgjidhin problemin e kanalizimit që është në atë zonë”, tha Albion Sherifi.
Shumicën e popullsisë së fshatit
Dubravë e përbëjnë komunitetet joshumicë.