Muaji i shenjtë i Ramazanit këtë vit po shënohet shumë më ndryshe se herave të tjera. Masat për kufizimin e lëvizjes dhe ato për distancë sociale të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit kanë bërë që shumë nga ritualet dhe traditat e Ramazanit të kufizohen këtë vit. Kryeimami i Bashkësisë Islame në Ferizaj, Sulejman Roshaj, tregon se si po përjetohet ky muaj i shenjtë për myslimanët në një gjendje të tillë.
“Ne jemi në gjysmën e muajit Ramazan, ky muaj është muaji më i dalluar i vitit pasi shtohen lutjet, por për fat tonin në këtë vit është një muaj krejt i jashtëzakonshëm pasi është e ndaluar falja e namazeve në xhami dhe deri më tani në këtë muaj vetëm ezani është thirrur dhe jemi detyruar që kohët e namazit t’i falim nëpër shtëpitë tona. Vërtetë është një ndryshim shumë i zbehtë për neve dhe është hera e parë që unë e përjetoj edhe pse i kam mbi 50 vite”, tha Roshaj.
Roshaj shpreson që në fazën e dytë kur edhe parashihen lehtësira të tjera sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, më 18 maj, pjesë e hapjes në këtë fazë të jenë edhe xhamitë. Ai tha se të paktën namazi i Bajramit të falet siç duhet.
“Shpresojmë se nga data 18 të bëhet ndonjë ndryshim dhe të kemi mundësi t’i organizojmë të paktën ditët e fundit të këtij muaji mubarek, po ashtu edhe namazin e Fitër Bajramit të paktën të mund ta organizojmë, por këtë do të shohim në ditët në vijim se si po rrjedhin gjërat “,tha Roshaj.
Gjatë ditës së djeshme, myftiu i Kosovës Naim Tërnava, paralajmëroi mundësinë e hapjes së xhamive për faljen e namazit të xhumasë dhe namazeve ditore, meqë numri i të prekurve me COVID-19 çdo ditë është duke u zvogëluar.