Për 8 orë nuk ofrohet asnjë shërbim mjekësor në Ferizaj

Nxënësit janë nëpër klasa, por mësimdhënësit po qëndrojnë në sallën e arsimtarëve, pasi janë duke respektuar grevën dyorëshe të thirrur nga Sindikata e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës.

 Kryetari i SBASHK-ut në Ferizaj, Rexhep Sadiku, tha se në të gjitha shkollat e kësaj komune është  respektuar vendimi për grevë. Ai tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar Ligjin e Pagave deri në mars, ka krijuar indinjatë edhe më të madhe tek punëtorët arsimor.

“Është zhvilluar procesi sipas skenarit të paraparë të grevës, përndryshe ka pasur unitet mes punëtorëve dhe nuk ka pasur anashkalim të marrëveshjes sonë që sot t’i mbajmë dy orë grevë. Sot punëtorët janë edhe më të indinjuar pasi Gjykata Kushtetuese e tërhoqi ligjn deri në mars dhe tani ka krijuar një gjendje psikologjike dhe ka lënë hapësira për një kaos të mundshëm që mund të ndodhë“, tha Sadiku.

 Në grevë sot ishin edhe mjekët. Përveç Emërgjencës në asnjë repart shëndetësor në Ferizaj nuk është kryer asnjë shërbim përgjatë 8 orëve. Kryetarja e Sindikatës së Shëndetësisë në Rajonin e Ferizajt Tevide Imeri, tha se në Ferizaj greva ka qenë e qetë, por pa incidente nuk ka kaluar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Shtime.

“Në Ferizaj ka shkuar mbarë nuk ka pas asnjë incident, por në QKMF në  Shtime ka qenë një, ku është sulmuar laboratori, nuk ka lëndim tek punëtorët as tek pacientët, por është dëmtuar laboratori i QKMF-së, shpresoj të mbyllet greva pa asnjë incident tjetër”, tha Imeri.

 Imeri edhe Sadiku, thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, brenda një kohe kaq të shkurtër lë të kuptohet se këtu ka gisht politika.

“Na ka befasuar krejtve se si Gjykata u tregua kaq azhur e kaq e shpejtë me marrë me pezullu Ligjin për Paga në afat rekord duke shkelur kështu afatin e vet që i ka dhënë kryeministrit, ia ka dërgu për me dhënë sugjerime dhe afatin e vet e ka pasur deri më 27 dhe as atë nuk e ka respektuar, prandaj kjo është pure politike, është e qartë se këtu ka gisht politika”, tha Imeri.

Është irrituese kur Gjykata Kushtetuese në formë shumë urgjente merr këtë hap dhe kjo lë për të kuptuar se  këtu ka intervenuar faktori politik, por cilat subjekte apo grupacione janë prapa do të dalin në pah”, tha Sadiku.

Përfaqësues të Sindikatës së Arsimit dhe të Shëndetësisë në Ferizaj, thanë se ditëve në vijim do të merret vendim se si do të veprojnë tutje , të ndalin grevën apo të hynë në grevë të përgjithshme.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90