Familjarë, miq e përfaqësues të institucioneve lokale, kanë nderuar jetën dhe veprën e heroit të kombit Rexhep Bislimi në 20 vjetorin e rënies.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyqi, tha se pa dëshmorë si Rexhepi Kosova nuk do të ishte e lirë.
“Sikur mos të ishte lufta e UÇK-së dhe rënia e dëshmorëve ne do të ishim nën juridiksionin e Serbisë, nën juridiksionin e çetnikizmit dhe për fat të mirë e për fat të ideatorëve të luftës si Rexhep Bislimi e Kadrush Ilazi dhe të gjithë dëshmorët e tjerë sot Serbi nuk ka”,tha Bytyqi.
Kurse, djali i heroit të kombit Rexhep Bislimi, Fisnik Bislimi, tha se megjithë kalimin e viteve dhembja për babain është e njëjtë, por edhe krenaria sa vjen e shtohet.
“Kaluan 20 vite nga koha e luftës, 20 vite me dhembje, 20 vite me kujtime të mbushura për më të dashurit tanë, por edhe 20 vjet krenari, krenari kjo që na mbajti gjallë e kokën lartë, kjo liri ka kushtuar shumë shpresoj që kjo dekadë e re ta vlerësoj”, tha Fisnik Bislimi.
Emri i Rexhep Bislimit lidhet me formimin e njësive të para ushtarake të UÇK-së dhe krismës së parë të pushkëve të organizuara çlirimtare në Ferizaj dhe rrethinë. Ai u pat vrarë nga forcat serbe nën torturë gjatë procesit të hetuesisë që ndiqej ndaj tij. Veprimtarë ferizajas, ditën e 21 korrikut e vitit 1998, e konsiderojnë si ditë të rënies heroike të militantit të shquar të lëvizjes ilegale të Kosovës.
Në këtë ditë, u shënua edhe 19 vjetori i rënies së dëshmorit Kadrush Ilazi nga komuna e Kaçanikut.