Tetori dhe nëntori do të jenë muajt kur në Ferizaj do të zhvillohen fushata sensibilizuese për parandalimin e dhunës në familje. Kështu u vendos sot në një mbledhje të radhës të mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje. Kryetari i këtij mekanzimi Naim Ferati, njoftoi se në këtë takim janë sjellur të dhëna nga terreni dhe fakte të reja që kanë të bëjnë me këtë dukuri negative në komunën e Ferizajt, si dhe u formua trupi punues që do të angazhohet për këtë fushatë.
“Në këtë mekanizëm ku përfaqësohen pothuajse të gjitha institucionet si Policia, Qendra për Punë Sociale, Prokuroria, mbrojtësit e viktimave e të tjerë, u raportua për statistikat e fundit që kanë të bëjnë me rastet e dhunës në familje, si dhe rastet më të veçanta që ndodhin në periudha të caktuara në familjet tona. Ne sot bëmë disa planifikime të cilat do të jenë në kahje të sensibilizimit të familjeve për raportimin e rasteve, si dhe u formua grupi punues i cili ka mandat periodik që do ta hartojë planin e veprimit në kohën sa më të mirë të mundshme, në mënyrë që do të fillohet me aktivitetet përkatëse”, tha Ferati.
Sipas Feratit, të dhënat që sot u prezantuan në këtë takim, flasin për një gjendje shqetësuese sa i përket dhunës në familje edhe në komunën e Ferizajt.
“Në bazë të statistikave që ne sot morëm gjendja nuk është fare e kënaqshme, por shpeshherë në disa raste kemi edhe alarmime të veçanta. Secili nga pjesëmarrësit i ka rastet e veta, por që ky mekanizëm është një trup që puna e tyre është me konfidencë”, tha ai.
U bë e ditur se përveç aktiviteteve të tjera, grupi punes për sensibilizimin e shoqërisë kundër dhunës në familje, do të zhvilloj edhe aktivitete nëpër shkolla dhe nëpër zona rurale.