Connect with us

Ferizaj

Pluhuri nga rruga e lënë në gjysmë shqetëson komogllavasit

Published

on

Ka afër një muaj që fshati Komogllavë i Ferizajt është  mbuluar nga pluhuri si pasojë e rrugës kryesore të këtij fshati e cila ka mbetur vetëm në zhavor.

Banorët thonë se më 4 tetor, pak para zgjedhjeve parlamentare, është larguar asfalti i vjetër për t’u shtruar asfalti i ri, por që nga atëherë askush më nuk është marrë me këtë rrugë.

“Katastrofë jemi me këtë pluhur, jemi lajmëruar edhe në komunë, dritaret nuk mundemi me i hap kurrë se le më me dalë në oborr, rrobat po i terim brenda, kjo rrugë është shtru tri ditë para zgjedhje dhe më as që u interesu dikush, nuk e dimë a është prej komunës apo kompanisë”, tha Lutfie Abdullahu nga Komogllava.

“Dy ditë para zgjedhjeve kanë ardhë e kanë heq asfaltin, po është shumë problem, as në oborr nuk po mundemi me dalë, është katastrofë, nuk e di se çka është duke ndodhë kryesorja ne nuk jemi duke mundur as me dalë në oborrin tonë“, tha Ismail Abdullahu nga Komogllava.

“Nga 5 tetori kompania që e ka fituar tenderin e ka heq asfaltin dhe e ka lënë në këtë gjendje dhe nuk është punuar më në këtë aspekt, na është premtuar se do të filloj në këtë javë, por kjo është gjendja, gjithçka është e pluhrosur, çdo gjë është bërë bardh“, tha Vedat Ismaili.

“Është dhënë një garancion që të premtën me fillu punimet, nuk kanë filluar, ne kemi paralajmëruar një protestë dhe unë e besoj se një kamion nuk e ka qëllimin e mirë, por kanë ardhë vetëm sa me u vërejt në rrugë se përndryshe rruga do të fillonte nga e mbara e jo siç e kanë nisur tani, prandaj nuk besojmë, unë besoj se këtë e kanë bërë me marrë kohë dhe me bë një opinon se jemi të interesuar përndryshe pas përfundimit të zgjedhjeve njeri i gjallë këtu nuk ka ardhë”, tha Vehbi Emini.

Në anën tjetër, përfaqësues të ekzekutivit ferizajas, thanë se punimet për asfaltimin e kësaj rruge kanë filluar dhe ato do të shkojnë sipas planifikimeve.

“Lajmi i mirë është që në Komogllavë punëkryesi është në terren dhe po punohet për përfundimin e këtij projekti,  të gjitha projektet edhe ky në Komogllavë ka një bazë ligjore dhe planifikim financiar, ka një kohë për përfundimin e saj dhe qytetarët nuk kanë arsye të ndjehen të shqetësuar për këtë projekt, pasi ai do të vijoj në ritmin e vet normal”, tha Albion Sherifi, përfaqësues i komunës së Ferizajt.

Ndryshe nga banorët e Komogllavës të cilët  po kërkojnë asfaltim të rrugës, banorët e Zllatarit po ankohen për asfaltim jocilësor. Asfaltimi i rrugës ”Shkolla” i bërë javën e kaluar, po del të jetë jokualitativ. Ai madje po mund të hiqet edhe me dorë.

“Kur ka ardhë asfalti kanë bërë ndasi, por më e keqja është cilësia, kemi bërë një reagim, kam kontaktuar me drejtorin, ka ardhë drejtori dhe i tha kompanisë që ta largoj këtë asfalt se është jocilësor, ne kemi prit që 20 vite bile kur të shtrohet le të jetë cilësor se më nuk i vie radha kurrë“, tha Burim Kurti, banor i fshatit Zllatar.

Albion Sherifi nga komuna e Ferizajt, tha se ky asfalt do të zëvendësohet me asfalt të kualitetit të lartë.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Ndërroi jetë artisti dhe koreografi i shquar ferizajas, Bajram Tahiri

Published

on

Ka ndërruar jetë Bajram Tahiri, artist,  valltar dhe koreografi i shquar i ansamblit “Kastriotët” në Ferizaj.

I ndjeri gjithë jetën e tij artistike ia kushtoi ruajtjes dhe begatimit të traditës dhe trashëgimisë kulturore, fillimisht si valltar pastaj edhe si koreograf i A.K.V ,,Kastriotët” Ferizaj.

Për një periudhë kohore, nga viti 1999-2009, Tahiri ishte Drejtor Operativ në KRM “Pastërtia”, pastaj nga viti 2017 deri në vitin 2020 shërbeu si këshilltar politik në  Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, derisa  nga viti 2010 udhëhoqi me  kompaninë “Mbrojtja e Ambientit”.

Mbledhja komemorative për artistin e ndjerë, Bajram Tahiri, mbahet më 3 Shkurt 2026, ora 14:00 në Teatrin “Adriana” kurse ceremonia e varrimit nga ora 15:30 në varrezat e reja të qytetit.

Continue Reading

Ferizaj

Ngritët aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Në njoftim bëhet e ditur se sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes, i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

Continue Reading

Ferizaj

Devijime minimale të rezultatit nga rinumërimi i mbi 53% të votave në Ferizaj

Published

on

Nga rezultatet e përditësuara të KQZ-së për rinumërimin e votave në Ferizaj, deri në orën 12:00, kur janë rinumëruar rreth 53% të të gjitha votave për kandidatë për deputetë, vërehet një numër shumë i vogël i devijimit nga rezultatet preliminare.

Diferencat e gjetura të votave janë përgjithësisht në marzhën e gabimeve teknike, pasi që deri tani dallimi i votave individuale në shumicën e rasteve është një shifror me disa përjashtime, ku dallimi është mes 30 dhe 40 vota.

Mospërputhjet më të mëdha, deri tani janë tek disa kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje, si tek rasti i Hekuran Muratit të cilit i shtohen +37 vota, Hajrulla Çekos +22 vota, Valon Ramadanit +19 vota derisa në të njëjtën kohë, Albin Kurtit i hiqen – 39 vota apo Glauk Konjufcës të cilit i hiqen -20 vota.

Tek PDK-ja, kandidatit Rashit Qalaj i shtohen +10 vota, Burim Bajramit +10 vota kurse kandidatit Rrahman Rama i hiqen -16 vota, Bedri Hamzës -8 vota e kështu me radhë.

Tek LDK-ja, Ukë Rugovës i shtohen +13 vota, Hykmete Bajramit +11 vota derisa janë disa kandidatë të cilëve u hiqen nga 2 ose 3 vota.

Sipas ecurisë së deritashme, pritet që rinumërimi i tërësishëm i votave në Ferizaj të përfundojë në orët e pasdites së sotme.

Continue Reading

Trending