Connect with us

Kosovë

Qeveria miraton pakon ekonomike të emergjencës

Published

on

Dje Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar pakon e ndihmës ekonomike për sektorin privat dhe publik, për tu përmballur më lehtë me pasojat e masave emergjente të imponuara nga pandemia COVID-19. Në kumtesën për publik thuhet:

“Me kërkesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, sot është mbajtur mbledhja korresponduese (mbledhja elektronike) e Qeverisë, në të cilën është diskutuar dhe miratuar Vendimi për Pakon Emergjente Fiskale.

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale e cila parasheh masat si në vijim:

– Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale për të gjithë përfituesit të skemave sociale për muajin Prill dhe Maj, masë kjo në vlerë deri në shtatë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë (7,650,000.00 €) euro, përfshirë këtu edhe pagesën e realizuar për muajin Mars;

– Pagesa shtesë në vlerë prej tridhjetë (30 €) euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore në vlerë më të ultë se njëqind (100 €) euro, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, me kusht që të jenë përfitues vetëm të një skeme; si dhe rikthim në listat e përfituesve për përfituesit që për shkak të mos-paraqitjes apo mos-vlerësimit në periudhën Janar – Mars 2020, nuk u janë rinovuar të drejtat e tyre. Kjo masë është në vlerë deri në trembëdhjetë milionë euro (13,000,000.00 €)

-Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, si në vijim:

  • Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej njëqind e shtatëdhjetë (170 €) euro, për muajin Prill dhe Maj, masë kjo deri në dyzet e një milionë (41,000,000.00 €) euro;
  • Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për muajin Prill dhe Maj, masë kjo në vlerë prej dymbëdhjetë milionë (12,000,000. 00€) euro; dhe
  • Mbulimi i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim për muajin Prill dhe Maj, deri në vlerë prej tetë milionë (8,000,000.00 €) euro;

– Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, me qëllim të sigurimit të likuiditetit të përkohshëm të tyre, me kthim deri më 31.12.2020, në vlerë deri në njëzetë milionë (20,000,000.00 €) euro;

– Sigurimi mbështetjes shtesë financiare për Komunat e Republikës së Kosovës që janë ndikuar në përballje me pandeminë, në rast nevoje për shkak të zgjatjes eventuale të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dhjetë milionë (10,000,000.00 €) euro;

– Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300 €) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianët) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë – Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin Prill dhe Maj deri në vlerë prej pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro;

– Pagesë shtesë në vlerë prej njëqind (100 €) euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe farmacive për majin Prill dhe Maj, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00 €) euro;

– Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në katër milionë (4,000,000.00 €) euro;

–  Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, që janë goditur më rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dy milion (2,000,000.00 €) euro;

– Sigurimi i likuiditetit financiar për:

  • Mikro-ndërmarrjet dhe të vetë-punësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit për Garantimin Kreditor të Kosovës, në shumën dhjetë mijë (10,000 €) euro për periudhën 24 muajsh, në vlerë deri në pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro; dhe
  •  Shoqëritë Tregtare/Kompanitë të autorizuara që ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kudër të vlerës së përcaktuar në 1.4. të këtij vendimi.

-Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00 €) euro;

-Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik  në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00 €) euro;

– Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, vlerë prej në vlerë prej dhjetë milionë (10,000,000.00 €) euro;

– Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga njëqind e tridhjetë (130€) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në gjashtë milionë (6,000,000.00 €) euro; dhe

– Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti i Kosovës, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00 €) euro;

Me vendimin e aprovuar nga Qeveria në detyrë e Kosovë​s është autorizuar Ministria e Financave dhe Transfereve që të miratojë kriteret, afatet, kushtet, mënyrën e zbatimit si dhe të gjitha specifikat tjera të nevojshme për zbatimin e tyre, sipas parimeve të menaxhimit të financave publike. Vendimi obligon gjithashtu të gjitha organizatat buxhetore/institucionet përkatëse për zbatimin e vendimit dhe të vendimeve që do të nxirren nga ministria për zbatimin e tij.”

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Një muaj paraburgim ndaj ish-pjesëtarit të MPB-së serbe, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për një ish-pjesëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i arrestuar nën dyshime për krime lufte në Kaçanik.

A.D. u arrestua më 4 prill dhe sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai ishte pjesëtar i MPB-së serbe në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut në kohën kur dyshohet se ka kryer krime në mars të vitit 1999 në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Kaçanikut.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se “në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan”.

Prokuroria po ashtu ka thënë se ai dyshohet për rrahjen dhe torturimin “në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike” dhe shkaktimin e “lëndimeve të rënda trupore” të 13 civilëve gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor në Kaçanik.

Këta civilë ishin në mesin e 91 meshkuj që forcat serbe i kishin ndarë prej rreth 400 burrave, grave, pleqve e fëmijëve të grumbulluar për t’u dërguar në stacionin policor në Kaçanik, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Arrestimi i A.D. nxiti reagime nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, që tha se ai ishte një polic në pension nga një fshat i Prizrenit, duke e cilësuar arrestimin e tij si të motivuar “politikisht”.

Arrestimi i fundit vjen pak javë pasi Gjykata në Prishtinë shqiptoi dënim me burgim ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99.

Gjykata në Prishtinë i dënoi më 18 mars Zoran Kostiqit me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Milloviqin me 7 vjet burgim.

Së voni, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Këto janë çmimet maksimale të derivateve për sot

Published

on

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se për ditën e sotme (07.04.2026) një litër naftë mund të shitet maksimumi për 1.88 €, 1 litër benzinë 1.46 € derisa 1 litër gaz mund të shitet maksimumi 0.74 €.  

MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri të marrë më datë 05.04.2026. Shkeljet e këtij vendimi do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Continue Reading

Kosovë

Visar Azemi dorëzon në polici dëshmitë për njehsorët e rrymës

Published

on

Sekretari organizativ në LDK, Visar Azemi, sot ka dorëzuar në polici dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë.

Ai u tha mediave se dosjen me fakte e dorëzoi pas ftesës nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për të dëshmuar rreth dyshimeve për mosfunksionimin e rregullt të njehsorëve elektrik të KEDS-it.

Azemi tha se skandali me njehsorët elektrik po tentohet të minimizohet nga KEDS-i dhe Ministria e Industrisë, por meqë prokuroria ka autorizuar fillimin e hetimeve, ai shpreson që  ky proces të zhvillohet për të mirën e qytetarëve dhe që ata në fund të kompensohen.

“I gjithë ky skandal i madh i cili ka filluar me njehsorë elektrike po mundohet me u minimizuar edhe nga ana e KEDS-s, e fatkeqësisht edhe nga ana e Qeverisë, në këtë rast nga Ministria e Industrisë, ku akoma po manipulojnë me qytetarë, po thonë që këto devijime të cilat i kanë pranuar dhe i kanë tërheq disa njësorë elektrikë nga qytetarët, po e matin saktë sasinë, po nuk po tregojnë ku është problemi.

Pra, problemi është që energjia elektrike e cila është dashtë me u faturua me të lirën, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, është faturuar me tarifën e shtrenjtë. Qytetarët kanë prit me orë të tëra për me i vendos në funksion pajisjet e tyre, duke menduar që po e shfrytëzojnë energjinë me të lirë qysh edhe iu ka mundësuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, po në fakt ka dalë e kundërta. Kjo është dëshmia kryesore dhe ky është skandali kryesor në të cilin unë po punoj. Do ta bëj maksimumin tim për të gjetur një zgjidhje sepse qëllimi këtu është që t’iu kthehen të gjitha paratë që iu kanë marrë qytetarëve të Kosovës padrejtësisht”, tha ai.

Ditë më parë, Azemi kishte prezantuar gjetjen, sipas së cilës, nga 884 njehsorë të verifikuar, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.

Continue Reading

Trending