Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Gashi, ka ndërruar jetë sot në moshën 70 vjeçare.
Bashkëluftëtarët e tij thanë se Xhavit Gashi ishte njeri me virtyte të larta njerëzore.
“Xhavit Gashi është një luftëtar i ditëve të para në Zonën Operative të Nerodimes, veprimtaria e tij nuk ka filluar vetëm me fillimin e luftës, por historia e tij ka qenë shumë më e hershme qysh nga vitet e 80-ta që është marrë me organizime të protestave, ai në atë kohë ka pasur një lokal të rrobaqepësisë dhe ishtë pikëtakimi e veprimtarëve. Ky ka qenë një bashkëluftëtar edhe i heroit Rexhep Bislimi dhe bashkë me të kanë marrë pjesë në aksionin e parë, unë me të jam takuar në Jezerc në ditët e para në vitin 1998, pra ka qenë qysh në themelim të pikave në Jezerc, ka qenë një ushtar në moshë, por aspak nuk ka ndryshuar nga ushtarët e rinj. Ai kontributin e tij e vazhdoi edhe pas luftës, iu bashkua Trupave Mbrojtëse të Kosovës ku edhe aty dha shumë kontribut”, tha Rafiz Sejdiu, bashkëluftëtar.
“Historia e Xhavit Gashit është shumë e gjerë, veprimtaria e tij është e jashtëzakonshme, ai kontribut dha qysh nga vitet 70-ta, 80-ta dhe 90-ta, por kontribut dha edhe përmes zërit të tij që me çifteli motivoi shumë breza për lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve. Ai sot u nda nga jeta dhe ai po u bashkohet shumë heronjve dhe dëshmorëve me të cilët luftoi. Ai sot po i bashkohet heroit të kombit Rexhep Bislimi, Sejdi Sejdiut, Naim Bekës, Vezir Jasharit e shumë heronjve që ishte krah për krah me ta. Është e pamundur që të përshkruaj fuqinë e tij shpirtërore për atdheun, ai kishte përkushtim të jashtëzakonshëm, jo vetëm para luftës, por edhe pas 20 viteve të luftës i cili nuk ndryshoi qëndrimet e veta dhe vërtetë nëse shumica e ushtarëve kanë dinjitet ai i prin këtij dinjiteti”, tha Imri Ilazi, bashkëluftëtar.
“Xhavitin e kujtoj si një trim, një ushtar me shumë moral, Xhaviti përpos që ishte një luftëtar ishte edhe një enciklopedi në vete, i cili e ka njohur shumë historinë e rrethinës së Ferizajt. Gjatë luftës kemi qenë së bashku në një pikë, ai ka qenë sypatrembur ai ka treguar një moral shumë të madh, ai pas lufte ishte edhe ushtar i trupave mbrojtëse të Kosovës derisa u sëmurë, ai dha shumë kontribut edhe aty për ndërtimin dhe shtetndërtimin e Kosovës”,tha Milazim Salihu, bashkëluftëtar.
Xhavit Gashi, i cili ndërroi jetë pas disa sëmundjeve me të cilat po përballej që sa kohë, është varrosur sot në varrezat e reja të qytetit të Ferizajt.