Fondacioni humanitar “Labinot Tahiri” i udhëhequr nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovēs dhe këngëtari Labinot Tahiri, ka sjellë sot ndihma të reja për komunën e Ferizajt.
Tahiri ia dorëzoi komunës së Ferizajt mbi 200 pako ushqimore, higjienike dhe me veshmbathje të cilat komuna do të angazhohet që t’i përcjellë tek familjet në nevojë.
Tahiri tha se që nga përhapja e koronavirusit, fondacioni i tij ka ndihmuar familje brenda dhe jashtë Kosovës.
“Ferizaj njihet si vend human. Nuk jam i vetmi dhe në çfarëdo rrethane mos të zbehet humanizmi, pasi ra pandemia dhe u pa se sa ka nevojë populli ynë për ndihma. Unë nuk jam ndalë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë kufijve. Unë jam shumë i kënaqur për punën që është bërë, deri tash i kemi përfshirë 30 komuna, ndërsa në Ferizaj shuma është 17 mijë e 600 euro që janë sjellur nga donatorë të ndryshëm”, tha Tahiri.
Kësaj here ndihmat nga Tahiri i pranoi vet kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili falënderoi Tahirin për solidaritetin e treguar në këtë kohë pandemie dhe mbështetjen që po u jep familjeve skamnore.
“Ferizaj ka një shpirt të madh dhe njerëz të mëdhenj dhe sot është një ditë kur duhet të falenderojmë këta njerëz me shprit të madh. Ferizaj ka treguar solidaritet edhe jashtë kufijve të Ferizajt dhe këtë në mënyrën më të mirë e ka bërë Labi duke shpërndarë atje ku ka pasur nevojë. Labi nuk e meriton vetëm falënderimin tim, por edhe të shumë kryetarëve të komunave të tjera. Unë në emër të qytetarëve falënderoj Labin në emrin tim dhe në emër të të gjithë qytetarëve”, tha Aliu.
Fondacioni humanitar “Labinot Tahiri” edhe javë më parë ka dhuruar pako ushimore për shoqatat “Hendifer” dhe “Handikos”, por edhe në fillim të përhapjes së koronavirusit ai ka shpërndarë maska mbrojtëse për qytetarë.