Në 21 vjetorin e ditës së Çlirimit të Ferizajt, filluan punimet për ndërtimin e Parkut Memorial të UÇK-së në fshatin Jezerc, në vendin ku gjendet Lapidari i Dëshmorëve.


Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se ky projekt do të kthej vëmendjen e shumë studiuesve të luftës për të hulumtuar e dokumentuar luftën e zhvilluar në Zonën Operative të Nerodimes.


“Kur sot jemi në 21 vjetorin e çlirimit sigurisht se nuk do të ishte e denjë që mos të memorizonim gjithë luftën, rënien e sakrificën e bashkëluftëtarëve tanë dhe për këtë sot jemi në Jezerc për të bërë një hap më tutje, një hap në drejtim të njohjes së sakrificës edhe më shumë të sakrificës së dëshmorëve. Mbamendja nuk mund të jetë e gjallë vetëm nga njerëzit bashkëjetues të këtyre ngjarjeve, por ne duhet të lëmë trashëgimi për gjeneratat për ta ditur se liria ishte me çmim dhe sakrificë të lartë dhe sot ne po e nisim një projekt tepër të rëndësishëm “Parkun Memorial të Jezercit”, i cili përfshin të gjitha pëllëmbët e territorit të Jezercit të shkelur nga ushtarë, dëshmorë dhe heronj gjatë ditëve më të lavdishme për të bërë lirinë”, tha Aliu.


Nisja e këtij projekti, nga ish-luftëtarët e UÇK-së, po konsiderohet nder për të rënët e lirisë, por edhe për ata që e përjetuan luftën.


“UÇK-ja pati lad të fuqishëm dhe veçanërisht pa mbështjen e SHBA-së do të ishte e vështirë apo do të ishte një proces i stërgjatur për të arritur këtu, prandaj urimi për qytetarë është që 100 vite kemi kaluar nëpër rrugë të rënda dhe tani 21 vite jemi në liri dhe jemi shtet i pavarur dhe kjo është në radhë të parë falë dëshmorëve, por edhe e mbështetësve të shtetit tonë, prandaj ne duhet të koordinohemi me ta dhe t’i përfillim mendimet e tyre. Ka pasur veprime të hapura e të fshehta që e kanë luftuar dhe e luftojnë UÇK-në, ata njerëz nuk janë të vetëdijshëm që e luftojnë dhe e shkatërrojnë të sotmen e Kosovës, atakimi kundër vlerave të UÇK-së është luftë kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Pikërisht ata kanë përfituar më së shumti prej UÇK-së”, tha Ilmi Reçica.

“Ky projekt është mënyra më e mirë për të falënderuar familjet e dëshmorëve, luftëtarët e veçanërisht të rënët, ky projekt na rikthen në rrugën që kanë ecur të rënët dhe gjithë ata që bënë për lirinë. Për neve ushtarët që ishim në këtë vend rëndësia është e veçantë, por mbi të gjitha për mua duke qenë këtu në këtë nisje të projektit ndjehem mëse i plotësuar”, tha Gazmend Bytyqi.Përfaqësuesi i fshatit Jezerc, Nazmi Baliu, tha se ky projekt nderon edhe banorët e këtij fshati.

“Po shpërblehet mundi, sakrifica e banorëve të Jezercit, me këtë projekt po nderohen dëshmorët, veteranët edhe ne banorët”, tha përfaqësuesi i fshatit Jezerc Nazmi Baliu.

Projekti për ndërtimin e Parkut Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc, që parasheh rindërtimin e rrugëve e kanaleve komunikuese të luftëtarëve gjatë luftës dhe shenjimin e vendrënieve të dëshmorëve të kombit, ka një vlerë rreth 400 mijë euro.

Të ngjashme

Të tjera