Pas shtimit të rasteve me koronavirus, Drejtoria e Arsimit kërkon kujdes të shtuar nga shkollat

Që kur ka filluar procesi mësimor, në komunën e Ferizajt janë testuar 442 mësimdhënës, prej tyre pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar 17. Të infektuar me këtë virus që ka pushtuar globin kanë qenë edhe nxënës dhe personeli tjetër  shkollor.

Rastet pozitive nëpër shkollat e Ferizajt kanë bërë që disa klasë të zhvillojnë procesin mësimor online, e disa shkolla u mbyllën për dy javë.

Këto ditë është mbyllur edhe një shkollë tjetër. Është kjo shkolla “Ali Hadri” në fshatin Mirash, nxënësit e së cilës tashmë kanë kaluar në mësimin online për shkak se drejtori i shkollës, një mësimdhënëse dhe një ndihmës teknik rezultuan pozitiv me koronavirus.

Së fundmi e kemi shkollën “Ali Hadri” në Mirash ku ajo shkollë tani është në mësim online pasi  kanë rezultuar pozitiv drejtori i shkollës, një mësimdhënëse dhe një punëtor ndihmës, po ashtu është edhe klasa e katërt në shkollën në Tërrn që ka kaluar në sistemin online, pasi mësimdhënësja që ka rezultuar pozitiv në Mirash ka punuar edhe në këtë klasë të Tërrnit, kështu ne do të vazhdojmë deri në shërimin e plotë të tyre dhe deri në marrjen e vendimit tjetër që do ta na vie nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë“, tha Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Përkundër shtimit të rasteve të reja këto ditë, Llabjani thotë se nuk është diskutuar për mbyllljen e shkollave, por vetëm është kërkuar të shtohet kujdesi.

“Ne jemi për të vazhduar mësimin dhe do të bëjmë çmos për të vazhduar mësimi në bankat shkollore,  sepse e dimë sa është i rëndësishëm vazhdimi i procesit mësimor nëpër institucionet edukativo-arsimore, fatkeqësi është se është duke u rritur numri i të infektuarve në nivel vendi, por edhe në komunën e Ferizajt. Ne jemi duke qenë të kujdesshëm sa i përket sferës së arsimit, ne kemi kërkuar nga drejtorët e shkollave, meqë janë të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për t’u mbrojtur nga COVID-19, që të shtojnë edhe më shumë vigjilencën  gjatë këtyre ditëve dhe të kemi kujdes ende më të shtuar në mënyrë që mos të kemi shpërndarje të virusit”, tha Llabjani.

Vetëm nga fillimi i kësaj jave, në Kosovë janë regjistruar 683 raste të reja me koronavirus.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

300X220