TEMA

Lëshohet në punë “Autostrada energjetike” Kosovë-Shqipëri

        Nisja e këmbimit të magavatëve të parë të energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë përmes interkoneksionit 400kV, shënon edhe praktikisht pavarësimin energjetik të Kosovës si zonë rregulluese, në kuadër të bllokut Kosovë-Shqipëri. Me këtë ndërlidhje, ky bllok siguron një stabilitet më të madh energjetik, duke pasur parasysh natyrën mikse dhe komplementare të gjenerimit të energjisë në të dyja vendet, ku Kosova kryesisht gjeneron energji nga djegia e fosileve të ngurta, ndërkaq Shqipëria nga hidrocentralet.

     Me këtë rast, Kryeministri i Shqipërisë u prononcua për medie, duke folur për rëndësinë strategjike të kësaj linje:

“Do të ketë hap pas hapi të mira të mëdha mes dy shteteve dhe si rezultat për popullatën brenda dhe jashtë shtetit. Blloku i kontrollit sjell një përfitim të madh për sa i përket pjesës së përbashkët të rezervave, që janë të nevojshme për kontrollin e përbashkët. Kjo do të sjellë rritjen e sigurisë, optimizmin, përshpejtimin e procesit të bashkimit.

Në të gjithë rajonin reduktimi i humbjeve janë gjëra të mëdha që ndodhin falë këtij hapi që hedhim bashkarisht.

Bashkohem me ministren që tha se çka ka bërë OST për të arritur që të shkelet butoni dhe të fillojë qysh prej mesnatës është një shembull kuptimplotë në të gjitha fushat, është një gur kilometrik në rrugën e veprimit të jetës së përditshme të njerëzve. Një falënderim i madh për të gjithë ata që bënë lidhjen. Hapësira e përbashkët shqiptare për sistemin do të jetë një shtyllë në historinë e tregut rajonal që në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e rrjetit europian. Nuk është fundi por vetëm vazhdimi i një rruge kjo që jetojmë sot se fundi është shtrirja e plotë në tregun europian që kalon përmes tregut rajonal. Ju uroj në radhë të parë shëndet për juve e të afërmit tuaj!”

“Autostrada energjetike” 400kV Kosovë-Shqipëri është inauguruar në qershor të vitit 2016, si projekt i bashkëfinancuar nga qeveritë e dyja vendeve përmes huasë nga KfW-ja gjermane.

Exit mobile version