Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot u zyrtarizua garimi përbashkët i Vetëvendosjes me Listën e Vjosa Osmanit, me ç’rast ish-kryeministri Albin Kurti dhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, firmosën marrëveshjen siç u tha për “referendumin” e 14 Shkurtit.

Pas nënshkrimit, gazetarëve fillimisht iu drejtua kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili me këtë rast tha se kjo marrëveshje e”Synimeve dhe Parimeve” ka për qëllim ndërtimin e shtetit “të drejtë e pa korrupsion”, ndërsa më 14 Shkurt do të “legjitimohet kryeministri i ri dhe presidentja e re”, duke bërë të ditur se se Vjosa Osmani është njëkohësisht edhe kandidate për Presidente të vendit.

Ndërkaq presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, në adresimin e saj tha se marrëveshja e arritur paraqet vullnetin e qytetarëve të Kosovës, dhe se ky bashkim shkon përtej numrave, me qëllim të ndërtimit të një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.

Në këtë konferencë poashtu u bë e ditur se lista e përbashkët e kandidatëve për deputetë do të finalizohet dhe do bëhet publike të shtunën, më 16 Janar, kur është edhe afati i fundit ligjor për dorëzimin e listave në KQZ.