Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës (INFRAKOS), e cila menaxhon me pronën e Hekurudhave të Kosovës, asnjëherë nuk e ka dhënë pëlqimin përfundimtar për ndërtimin e nënkalimit tek Xhamia e Nikadinit në Ferizaj.
E meqë punimet kanë filluar në muajin korrik të këtij viti pa e siguruar këtë pëlqim, i bie se Komuna e Ferizajt ka uzurpuar pronën e huaj.
Madje për fillimin e këtyre punimeve, kishte njoftuar edhe vet kryetari i Komunës, Agim Aliu përmes një postimi në Facebook.
Postimi i njoftimit për fillimin e punimeve të Kryetarit të Ferizajt – Agim Aliu, 24 Korrik 2021
Bazuar në dokumentet ekzistuese të pronësisë, Komuna e Ferizajt po i zhvillon punimet nën hekurudhë vetëm në bazë të kushteve teknike që i ka pranuar nga Infrakos për zhvillimin e projektit të detajuar. Ndërkaq posedimi pëlqimit përfundimtar nga Infrakos-i , do të duhej të ishte çelësi ligjor i nisjes së punëve në terren. Përndryshe komuna përfundon si uzurpuese e pronës shtetërore.
Sipas kushteve teknike të dhëna nga INFRAKOS për Komunën e Ferizajt, në paragrafin e 2-të figuron: Investuesi është i detyruar të hartoj elaboratin detal të vendkalimit në hekurudhë dhe një kopje t’ia dorëzon kompanisë Infrakos me seli në Fushë Kosovë, për revizionin dhe dhënien e pëlqimit.
Televizioni Tema përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka kërkuar nga Infrakos informacione dhe dëshmi për rrjedhën e procedurave, mirëpo nga përgjigja e kësaj organizate u kuptua se Komuna e Ferizajt nuk e ka dorëzuar elaboratin e kërkuar për projektin e Nikadinit, rrjedhimisht asnjëherë nuk e ka marrë pëlqimin përfundimtar për këtë projekt.
Në përgjigjen e Infrakos thuhet: Sa i përket “qasjes në fletëpranimet e elaboratit për projektet: Bashkimi i Qytetit dhe Nënkalimit në fshatin Nikadin te Xhamia” komisioni i ka dhënë kushtet teknike lidhur me projektin, ndërsa projekti ende nuk është dorëzuar nga ana e komunës në Infrakos sh.a.
INFRAKOS SH.A
Rreth kësaj çështjeje, ekipi ynë ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqin, por ai nuk pranoi të flasë për shikuesit e TV Tema për arsye të njohura vetëm për të.
Më herët, më 22 Korrik 2021, drejtori Bytyqi pat deklaruar se punimet në Nikadin e kanë pëlqimin paraprak nga Infrakos.
“Disa herë e kam bërë publik pëlqimin që e kemi nga Infrakos dhe Kushtet Teknike që kanë qenë për ndërtimin e këtyre nënkalimeve, disa herë edhe në mediumin tuaj e kam bërë publik këtë pëlqim, e kanë pasur mediat, ka qenë publik dhe besoj që nuk kemi çka të themi më shumë sa i përket këtyre pëlqimeve. Nuk mund të prekësh në pronën e Inrakosit pa pasur pëlqim paraprak përndryshe lënda përfundon në gjykatë e lëre më të bëhet prerja e binarëve dhe kthimi i tyre pa pasur pëlqim, edhe ne këtë e kemi ditur me kohë dhe të gjitha masat i kemi marrë me kohë që të kemi pëlqimet për vazhdimin e punimeve për të gjitha nënkalimet edhe tash për nënkalimin në Nikadin që do të fillojmë me 23 ose 24 korrik punimet, e kemi edhe për atë nënkalim pëlqimin dhe po besoj që do të vazhdojmë realizimin e këtij projekti”.
Arbër Bytyqi – Drejtor i Infrastrukturës në Ferizaj
Arbër Bytyqi – Drejtor i Infrastrukturës në Ferizaj
Me mosdorëzimin e projektit në Infrakos dhe pa e siguruar pëlqimin final, Komuna e Ferizajt rrezikon të ndiqet penalisht për uzurpim të pronës së huaj.
Ngjashëm kishte ndodhur më 2016, në kohën kur Ferizaj udhëhiqej nga Muharrem Svarqa i LDK-së .
Asokohe, Infrakos u kishte ngritur kallëzim penal për uzurpim edhe ish-kryetarit Svarqa, Komunës së Ferizajt, por edhe Ministrisë së Infrastrukturës si investitore e projektit të rrugës përgjatë varrezave ortodokse. Infrakos bëri të ditur se me Komunën e Ferizajt ka edhe një kontest tjetër pronësor në Gjykatë që nga viti 2008.
Gjykata Themelore në Ferizaj, departamenti për Krime të Rënda, e ka shpallur fajtor ish-policin Festim Ramadanin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Ramadani është dënuar me 16 vjet burgim. Sipas aktgjykimit, në dënim do të llogaritet edhe koha e tij e kaluar në paraburgim, nga 16 gushti 2024. Dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas akuzës, ngjarja kishte ndodhur më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e oborrit të restorantit “F. Palace”, në fshatin Bibaj të Komunës së Ferizajt, gjatë një ceremonie martesore.
I pandehuri akuzohej se me dashje dhe paramendim, për motive të pretenduara familjare, kishte shtënë me një armë zyrtare automatike të policisë në drejtim të viktimës S.S., duke e privuar atë nga jeta në vendin e ngjarjes.
Gjykata ka vendosur që Festim Ramadanit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, thuhet mes tjerash në njoftim.
Një burrë është therur me kaçavidë nga dy persona të panjohur në Ferizaj.
Rasti është raportuar mbrëmjen e së hënës rreth orës 22:30. Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas trajtimit mjekësor është liruar.
Ferizaj / 21.09.2026 – 22:30.
‘Është raportuar se viktima mashkull kosovar ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se i njëjti është therur me një mjetë të mprehtë (kaçavidë) nga dy persona të panjohur. Pas tretmanit mjekësor i njëjti është liruar”, thuhet në raportin e policisë.
Policia e Ferizajt gjatë javës së kaluar ka shqiptuar 1 mijë e 205 gjoba për kundërvajtje në trafik dhe ka pezulluar 20 patentë shoferi.
Në këtë hark kohor janë regjistruar 30 aksidente përfshirë edhe ato ku mbetën të lënduar 13 persona.
“Gjatë javës së kaluar, nga data 14-20.09.2026 janë shqiptuar 1.205 gjoba kundërvajtëse, si dhe janë pezulluar 20 patentë shoferë për shoferët e mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 30 aksidente, nga të cilat 9 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 13 persona 21 aksidente me dëme materiale”- thuhet në komunikatën e së hënës (21.09.2026) të Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë Rajonale të Ferizajt.