Shkolla e muzikës “Çesk Zadeja”, e hapur edhe për komunat fqinje

Në prag të regjistrimit të afatit të dytë në Shkollën e mesme të Muzikës “ ÇESK ZADEJA “, në Ferizaj, pritet të plotësohen të gjitha vendet e parapara me konkurse që i shpallë MASHT-i.  Ajo është e hapur edhe për nxënësit nga komunat fqinje prej Hanit të Elezit e deri tek Lipjani.

Për më shumë, për përgatitjet që po bëhen për vitin e ri shkollor, na tregoi Drejtori i kësaj shkolle Bardhyl Abazi.

“Kemi përfunduar afatin e parë të pranimit të nxënësve, ku pas atij konkursi janë pranuar në dy paralele. Për klasë të dhjetë, kemi pas të planifikuara nga dy paralele në drejtimin e muzikës dhe të artit figurativ, kështu që me datën 23 sipas kalendarit të Ministrisë do të hapet edhe konkursi i dytë plotësues, besoj që edhe në atë afat do të ketë nxënës të ri të cilët kanë me ardh në shkollën e muzikës.”

Bardhyl Abazi – Drejtor i shkollës “Çesk Zadeja”
Bardhyl Abazi – Drejtor i shkollës “Çesk Zadeja”

Në kuadër të kësaj shkolle, e cila ka shtrirje rajonale, ekzistojnë edhe 9 degë instrumentale për ciklin e ulët të muzikës. Drejtori Abazi tregon se pandemia ka ndikuar paksa në uljen e nxënësve në vitin e fundit shkollor.

“Në shkollën e ulët është një trend i cili në vazhdimësi po shkon duke u rrit për t’i ndjekur mësimet në instrumente muzikore. Sipas statistikave që i kam, që i kemi bërë për nevoja të brendshme të shkollës domethënë numri në shkollën fillore në tetë vjeçarin e fundit  është rritë për 50%. Më gëzon fakti që edhe në shkollën e ulët, nëse dikur kanë ndjekë mësimet vetëm nxënësit e qytetit, sot ndjekin mësimin nga fshatrat edhe Komunat për rreth Ferizajt, sepse shkolla e muzikës është shkollë regjionale, kështu që edhe nga qyteti më i largët, po e thamë siç është Hani i Elezit, por edhe nga Komuna e Lipjanit, kemi nxënës që ndjekin shkollën e ulët të muzikës.”

“Për dallim nga vitet e kaluara duket se është një trend i ramjes së interesimit siç duket pandemia ka ndikuar se na kryesisht një pjesë e madhe e nxënësve që gravitojnë nga Komunat e tjera ata gjithmonë e kanë plotësuar numrin, fatkeqësisht gjithmonë është dashtë me i refuzuar për shkak mundësive, por në këtë vit sikur ka qenë një ardhje më e vogël nga komunat për rrethe. Në planifikimin që e ka bërë shkolla janë planifikuar drejtime të reja, por Ministria nuk i ka miratuar, ministria ka shkuar me një miratim të viteve të kaluara kështu që e ka përsërit atë planifikim, nuk ka planifikime të reja për këtë vit. Na në shkollën fillore i kemi të hapura 9 degë të instrumentalit. Kemi pretenduar që në këtë vit me e hapë edhe një degë të re por siç duket është e pa mundur kështu që vazhdojmë me ato 9 degë.”

Bardhyl Abazi – Drejtor i shkollës “Çesk Zadeja”

Gjatë katër viteve të fundit në Shkollën e Muzikës është shtuar interesimi në instrumente, por më së shumti në instrumentin e pianos dhe të kitarës sa që lind nevoja edhe për staf të ri për këto drejtime, ndërsa instrumente frymore e kanë një rrjedhje të vazhdueshme.