Janë nëntë subjekte politike që garojnë për 41 vende në Kuvendin Komunal të Ferizajt.
Prej tyre gjashtë janë parti politike, dy iniciativa qytetare dhe një koalicion.
Deri tani, vetëm tri parti politike kanë publikuar listat e tyre zgjedhore.
Subjektet tjera, mos publikimin e listave e kanë arsyetuar me procedurat e certifikimit nga KQZ-ja.
Partia Demokratike e Kosovës, në këto zgjedhje lokale hynë krahas një procesi të reformimit të brendshëm, pas zgjedhjes së Memli Krasniqit në krye të PDK-së.
Në këto zgjedhje, PDK-së në Ferizaj i është shkëputur një pjesë e anëtarësisë së deritashme, të cilët e kanë formuar nismën “Reformimi Demokratik për Ferizaj”.
Kësaj liste i prijnë dy ish-kuvendarët e PDK-së, Nehat Mustafa dhe Gëzim Haxhimusa.
Duke i shikuar emrat e listës së PDK-së, të cilës i prinë kryetari aktual Agim Aliu, vërehet mungesa e përfaqësuesve të OVL-UÇK, kryetari t Rafiz Sejdiu dhe nënkryetarit Luan Jahiri.
Në anën tjetër, në këtë listë janë përfshirë kandidatë të rinj, bijë të dëshmorëve dhe të afërm të tyre,
si Valmir Hetemi – i biri i dëshmorit Kemajl Hetemi, Driton Islami – nipi i dëshmorit, të cilit ia trashëgoi emrin.
Nga gjithë drejtorët e qeverisjes aktuale lokale, në këtë listë të PDK-së janë vetëm Afrim Llabjani dhe Sabri Murseli, përderisa mungojnë Arbër Bytyqi, Lulzim Aliu, Sebahate Ajeti, Burim Bajrami.
Gjithashtu në këtë listë nuk është përfshirë as kryesuesja aktuale e Kuvendit Komunal, Kristina Gashi-Bytyçi.
Pjesa tjetër e listës mbizotërohet kryesisht me emra pa bagazh të theksuar të angazhimit politik.
Lista e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Ferizajt nga Partia Demokratike e Kosovës
Lista garuese me 45 kandidatë te Vetëvendosjes, të cilës i prinë kryetari i degës Valon Ramadani, ka të fuzionuar edhe kandidatët nga “Lista Guxo”.
Përpos kësaj vërehet një laramani e përfaqësimit të disa kategorive, duke filluar nga aktivistët besnik të partisë, të posa aderuarit si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, si ajo e OJQ-së “Nisja, Zhvillohu”, Florina Ujupi.
Bie në sy edhe rikthimi në politikë i ish-kandidatit për kryetar të Ferizajt nga AAK, Rrahim Sadiku, i cili kësaj radhe i bashkohet LVV-së.
Risi e veçantë është rreshtimi në këtë listë i ish-anëtares që nga themelimi i AAK-së dhe kuvendares në disa mandate të këtij subjekti, Ferinaze Isufi e cila në heshtje iu bashkua Vetëvendosjes.
Në listë gjenden edhe të gjithë kuvendarët aktualë që janë në përfundim të mandatit.
Lista e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Ferizajt nga Lëvizja Vetëvendosje
Edhe Nisma Socialdemokrate ka publikuar listën e vet, por që konkurron me numër të përgjysmuar. Listës i prinë kryetari i degës, Besnik Berisha.
Prej 23 kandidatëve të Nismës, shihet mungesa e njërit nga themeluesit, Bajram Tahirit si dhe kuvendares aktuale, Florije Islamit, e cila kësaj radhe garon në listën e PDK-së.
Gjithashtu mungojnë edhe emrat e kuvendarëve, Xhafer Berisha dhe Ali Halimi.
Pjesë e kësaj liste zgjedhore të NISMA-s është edhe drejtoresha aktuale e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt, Abetare Kurti-Maliqi.
Lista e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Ferizajt nga Nisma Social Demokrate
Subjektet tjera që marrin pjesë në garën për Kuvendin Komunal janë: Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Iniciativa “Ne Mundemi”, Iniciativa “Reformimi Demokratik për Ferizaj”, dhe koalicioni “Lista e Ashkalinjëve të Ferizajt”.
Një banor i fshatit Sojevë të Ferizajt është ndëshkuar me 500 € gjobë nga Policia e Kosovës për ndotje të mjedisit dhe rrezikim nga përhapja e zjarrit.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se rasti është raportuar të dielën mbrëma, më 16.08. 2026.
“Zyrtarët policorë të stacionit në Ferizaj, me datën 16.08. 2026, rreth orës 22:00, kanë pranuar ankesa nga qytetarët për djegie të materialeve të ndryshme në një oborr, në rrugën “Bau Beiden”, në fshatin Sojevë.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar personin e dyshuar, SH.SH., 55-vjeçar.
Për shkak të ndotjes së mjedisit dhe rrezikut që zjarri paraqiste për pronat përreth, ndaj tij, në bazë të Ligjit Nr. 08/L-071, neni 49, është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh” thuhet mes tjerash në njoftim.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre, ndotje të mjedisit apo rrezikim të pronës dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht gjatë temperaturave të larta.
Policia në Ferizaj ka njoftuar se 5 persona janë dërguar në mbajtje kurse një tjetër është dërguar për trajtim në QKUK, si pasojë e pjesëmarrjes në rrahje që ndodhi pas një mosmarrëveshjeje në orët e hershme të së martës.
Sipas policisë, në rrahjen e dhunshme ishin përfshirë pesë meshkuj kosovarë dhe një shtetas i huaj derisa në vendngjarje është sekuestruar një kaçavidë.
Tre nga të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor në Ferizaj, ndërsa njëri nga ta është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm.
Rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”. Me vendim të prokurorit, pesë të dyshuar janë intervistuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari që gjendet në QKUK nuk është intervistuar për arsye të gjendjes shëndetësore.
Në aksidentin tragjik të komunikacionit, që ndodhi ditë më parë në afërsi të Nittendorfit, në rajonin e Regensburgut në Bavari, humbën jetën Tahir Tahiri, 61 vjeç, Gentian Tahiri, 34 vjeç dhe Laurent Aliu, 16 vjeç, që të tre nga lagjja Nuhaj e fshatit Komogllavë të Ferizajt.
Identiteti i të ndjerëve u bë i ditur në njoftimin mortor të publikuar në faqen e fshatit Komogllavë, ku më tej thuhet se data dhe koha e ceremonisë së varrimit do të bëhet e ditur sapo të merren vendimet përkatëse.
Të ndjerët humbën jetën teksa po ktheheshin nga Kosova drejt vendit ku jetonin në Gjermani.