Connect with us

Kosovë

Barrikadat në veri – Kamionët e kujt u përdorën?

Published

on

Në mesin e makinerive të rënda, me të cilat serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada dhe bllokuan pothuajse të gjitha rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, kishte edhe automjete pothuajse identike me ato që përdoren nga shërbimet komunale serbe në komunat në veri të Kosovës.

Këto shërbime, si Ndërmarrja Publike “Standard” nga Mitrovica Veriore, janë nën kontrollin e Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë që është e afërt me Partinë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Me datat 31 korrik dhe 1 gusht, kamerat e Radios Evropa e Lirë kanë regjistruar edhe praninë e punonjësve të kompanisë “Standard”, të cilët ishin me uniforma pune në barrikada.

Drejtor i kësaj kompanie është Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës të kryeministrit Albin Kurti.

Radio Evropa e Lirë është përpjekur të kontaktojë me Rakiqin, por ai nuk është përgjigjur. REL i është drejtuar edhe Aleksandar Trajkoviqit, të cilin mediat vendore e prezantojnë si “udhëheqës” i ndërmarrjes “Standard”. Pyetjes se çfarë po bënin punëtorët dhe kamionët e asaj kompanie në barrikada, Trajkoviq i është përgjigjur se: “Duhet t’ia bëni drejtorit të kompanisë atë pyetje, unë vërtet nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për ju”.

Ai ka thënë se është “vetëm menaxher i sektorit ekonomik”.

Në faqen zyrtare të ndërmarrjes “Standard” thuhet se kjo kompani është e ngarkuar “për kryerjen e veprimtarive komunale në territorin e komunës së Mitrovicës”.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë edhe me Aleksandar Spiriqin, kryetar i komunës paralele serbe në Mitrovicën e Veriut, lidhur me praninë e kamionëve të shërbimeve komunale serbe në barrikada, por ai nuk është përgjigjur.

Përveç komunave paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat nga autoritetet e Kosovës konsiderohen institucione ilegale, ka edhe komuna me shumicë serbe që punojnë sipas ligjeve të Kosovës, por në të cilat në pozita udhëheqëse janë po ashtu zyrtarët e Listës Serbe.

Për shembull, Zoran Todiq është kryetar i Komunës së Leposaviqit që funksionon sipas sistemit të Kosovës, por ai drejton edhe komunën paralele serbe.

Shoferë të maskuar dhe kamionë pa targa në barrikada

Shumë nga kamionët në barrikada ishin pa shenja, disa edhe pa targa.

Megjithatë, një kamion cisternë që mund të shihet në pamjet e Radios Evropa e Lirë në Rudarë, ka pasur targat e Beogradit. Anash duket edhe një shirit i verdhë.

Më 16 maj 2019, Ndërmarrja Publike “Gradska çistoqa” (Higjiena e qytetit) nga Beogradi ua dhuroi një automjet identik përfaqësuesve të komunës paralele serbe të Zubin Potokut.

Për këtë ka raportuar edhe vetë ndërmarrja në ueb sajtin e saj.

Gjithashtu, në njërën nga fotot shihet një cisternë e ngjashme me atë që ndodhej në barrikadë, por nuk shihet numri i targës, pasi fotografia është bërë anash.

REL i është drejtuar Doganës së Kosovës me kërkesën për marrjen e numrit të targës së cisternës që ishte importuar në Kosovë nga Beogradi si donacion më 16 maj 2019, për qëllime të komunës paralele të Zubin Potokut. Megjithatë, Dogana nuk është përgjigjur.

Në barrikada, ekipi i REL-it ka filmuar edhe një kamion të bardhë për mbeturina, në të cilin është logoja e Ndërmarrjes Publike “Gradska çistoqa” (Higjiena e qytetit) nga Beogradi. Fotoja është e anës së djathë të kamionit dhe nuk duken targat, por dallohet logoja e ndërmarrjes.

Kjo kompani i ka dhuruar një kamion të tillë kompanisë “Standard” në Mitrovicën e Veriut më 18 qershor 2020. Këtë e ka bërë të ditur Administrata e Qytetit të Beogradit në faqen e saj zyrtare, së bashku me fotografitë nga ceremonia solemne në Mitrovicën e Veriut.

Siç shihet, në ceremoni ka marrë pjesë edhe nënkryetari i atëhershëm i kryeqytetit, Goran Vesiq, i cili ka bërë një foto para kamionit të dhuruar.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Goran Vesiqin, tashmë ish-nënkryetar i Beogradit, përmes Viber-it, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

REL-i, po ashtu i ka dërguar Ndërmarrjes Publike “Gradska çistoqa” (Higjiena e qytetit).

Kërkesë për qasje në informata me rëndësi publike, lidhur me numrat e targave të automjeteve të dhuruara komunave në veri të Kosovës REL-i i ka dërguar edhe Ndërmarrjes Publike “Gradska çistoqa” (Higjiena e qytetit). As ky institucion nuk është përgjigjur.

Përveç automjeteve, të cilat janë të lidhura me shërbimet komunale lokale, rrugët në veri të Kosovës janë bllokuar edhe nga kamionë të disa kompanive private nga Serbia. Një kamion i kuq kishte logon e kompanisë së “Srbija autoput” (Autostrada e Serbisë) në barrikadën në afërsi të Zubin Potokut.

Bëhet fjalë për një firmë private me seli në Beograd, e cila merret me ndërtimin e rrugëve dhe autostradave.

Drejtor dhe pronar i kësaj firme është Zhelko Jankoviq. Në dy vitet e fundit kjo kompani ka fituar rreth njëzet tenderë për ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve lokale në Serbi.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kërkesë kësaj kompanie për dhënien e më shumë informatave për kamionët e tyre në barrikada, por përgjigje nuk ka kthyer deri në publikimin e këtij teksti. Askush nuk u është përgjigjur as thirrjeve telefonike.

Ndryshe, shoferët e kamionëve që bllokuan rrugët në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht mbanin kryesisht maska në fytyrë.

Në Jarinjë të Poshtme afër pikës kufitare me Serbinë, në pamjet e Radios Evropa e Lirë shihen se si dy burra, me maska në fytyrë, të armatosur dhe me jelekë antiplumb po qëndronin pranë barrikadave./REL

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Lumir Abdixhiku i mbijeton votëbesimit në Kuvendin e LDK-së

Published

on

Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit që e ka kërkuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), raportojnë mediat lokale në Kosovë.

Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave – rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.

Por, disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim.

Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.

“Unë kam zgjedhur të dalë para jush, jo sepse e kam të lehtë, por sepse e ndjej të domosdoshme, sepse kam besuar gjithmonë se njeriu nuk matet kur gjithçka shkon mirë, por kur duhet të flasë edhe atëherë kur fjala i dridhet”, ka thënë Abdixhiku gjatë fjalimit të mbajtur të shtunën para Kuvendit partiak.

Ai ka thënë më herët gjatë së shtunës se Kuvendi është organi më i lartë i partisë dhe rrjedhimisht ai vendos për gjithçka.

“I siguroj të gjithë anëtarët LDK-së që nga ky debat do të dalim edhe më të unifikuar, edhe më të fortë, e më të gatshëm për të ardhmen më të mirë që na pret përpara. Me shumicë votash e përcaktojmë fatin tonë politik”.

Pas fjalimit të Abdixhikut, Kuvendi i ka zhvilluar punimet me dyer të mbyllura.

Anëtari i kësaj partie, Avdullah Hoti e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë, por të shtunën duket se ka pasur diskutime vetëm për performancën e Abdixhikut.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Rinumërimi i votave u përmbyll në 34 komuna

Published

on

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri më tani (29.01.2025 13:11),  janë rinumëruar 89,21 % e vendvotimeve apo 2 mijë e 281 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë në total.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  procesi i rinumërimit është përmbyllur në 34 komuna.

Bazuar në dinamikën e procesit, rinumërimi mund të përfundojë pasditen e sotme, ose më së voni të premten, më 30 janar 2026.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria në Prizren thotë se të dyshuar të tjerë po intervistohen mbi dyshimet për manipulim të votave

Published

on

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të enjten se një grup i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit – të cilat nxitën rinumërim të plotë të votave.

Në njoftim në Facebook, Prokuroria theksoi se mori informacione shtesë lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës pas rinumërimit të votave në Prizren.

Ajo nuk tregoi për numrin e të dyshuarve që janë duke u marrë në pyetje në stacionin policor në rajonin jugor të vendit, por tha se ata dyshohen për vepra penale si, shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar, si dhe shkelja e detyrës zyrtare.

Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren – vendin ku dyshohet se ka pasur më së shumti manipulim votash – pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar.

Nga mbi 100 të ndaluar në atë aksion, 22 komisionerë dhe një vëzhgues u dërguan në paraburgim për një muaj.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur ditë më parë se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave.

Rinumërimi në Prizren ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë para dhe pas rinumërimit.

Të paktën katër kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 2.000 votat secilit në këtë komunë, përfshirë njërit mbi 6.000, pasi komisioni vërtetoi në rinumërim se atyre u ishin shtuar votat e paqena.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Operacioni i ri në Prizren vjen po ashtu një ditë pasi 15 kryesues zgjedhorë u ndaluan për 48 orë gjatë një aksioni të ngjashëm në Malishevë. Në shënjestër të aksionit në këtë komunë në pjesën qendrore të Kosovës ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë që kishin marrë pjesë në numërim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit.

Ndërkohë, përveç Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit duke marrë mbi 51 për qind të votave.

Rinumërimi nuk pritet të ndikojë në rezultatin e partive dhe Kurti mund ta formojë qeverinë e re pas certifikimit të rezultateve përafërsisht në fillim të shkurtit.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending