Connect with us

Kosovë

KEDS kërkon kursim të rrymës: Lini bojlerin ndezur gjatë natës, pas orës 22:00

Published

on

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), i publikoi të martën disa rekomandime se si mund të kursehet energjia elektrike nga amvisëria.

Në mesin e rekomandimeve, KEDS-i tha që pajisjet elektroshtëpiake të përdoren kur energjia është më e lirë, bojleri të përdoret me kujdes dhe të ndalohet furnizimi i pajisjeve kur nuk është e nevojshme.

Në objektet banesore ku është e pamundur një gjë e tillë, kalimi në ngrohës efiçient si dhe menaxhimi më i mirë i hapësirave të ngrohjes. Amvisëria si një ndër shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike mund të kontribuojë shumë në uljen e konsumit, sidomos aty ku ka mundësi të madhe të kursimit”, thuhet në njoftim.

KEDS-i tha se ditëve në vijim do të përcillen edhe udhëzime për kursim për kategori të tjera.

Këshillat e KEDS-it:

Rrobalarësja

Mënyra e parë e kursimit është përdorimi më i madh i këtyre pajisjeve gjatë tarifës së ulët.

Makina për larjen e rrobave shpenzon më pak energji nëse lani rrobat në temperatura më të ulëta.

Makinat vendosni në vende të thata e kurrsesi në vende me lagështi, sepse lagështia përçon rrymën dhe paraqet rrezik, gjithashtu kontrolloni a janë në rregull telat e rrymës, kabllot, spinat. Po ashtu kujdesuni që gypat për marrjen dhe zbrazjen e ujit të jenë të vendosura mirë.

Preferohet që çdo herë makinat larëse t’i mbushni plot para se t’i lëshoni në përdorim, por nëse makina është gjysmë e mbushur, atëherë përdorni programin ekonomik. Shpenzimi i energjisë elektrike është i njëjtë qoftë me ngarkesë të plotë, qoftë me gjysmë ngarkesë.

Makina e rrobave shpenzon energji elektrike për të ngrohur ujin. Nëse e njëjta pajisje i lan rrobat me ujë të ftohtë kjo do të reduktojë koston e shpenzimeve të energjisë elektrike.

Enëlarësja

Nëse keni vendosur të blini makinë të re për larjen e enëve, makinë për larjen apo tharjen e rrobave, atëherë orientohuni në produkte më cilësore dhe më ekonomike, shikoni udhëzimin e prodhuesit ku janë të shkruara karakteristikat kryesore dhe pastaj vendosni cila është më ekonomike.

Vendosjen e makinave e bëni në vende të thata e kurrsesi në vende me lagështi, sepse lagështia përçon rrymën dhe paraqet rrezik, gjithashtu kontrolloni të jenë në rregull telat e rrymës, kabllot, spinat. Gjithashtu kujdesuni që gypat për marrjen dhe zbrazjen e ujit të jenë të vendosur mirë.

Frigoriferi

Në shtëpi frigoriferin mbajeni larg pajisjeve që lirojnë nxehtësi, mbajeni atë në vendin më të ftohtë në shtëpi, kështu kujdeseni që temperaturat e ulëta të qëndrojnë konstant.

Përpara se të fusni ushqimin në frigorifer, lëreni të ftohet, ushqimi i nxehtë kërkon më shumë energji elektrike për t’u ngrirë.

Mos lejoni lagështi në frigorifer, mbuloni enët e ushqimit, pastroni pikat e ujit nga të gjitha enët dhe shishet që i vendosni në të.

Mos lejoni të formohet trashësi e akullit në frigorifer dhe ngrirës, shkrini dhe pastroni ato, sepse do të jenë më efektiv dhe më ekonomik.

Derën e frigoriferit apo të ngritësit mbani të hapur sa më pak që është e mundur dhe bëhuni të kujdesshëm që dera të jetë mirë e mbyllur, sepse depërton ajri i ngrohtë dhe humbet freskia, kështu që atyre ju duhet më shumë kohë për të rikthyer gjendjen paraprake.

Ndriçimi

 Zgjidhni poçat e duhur. Llambat LED janë më efiçiente për përdorimin e energjisë elektrike. Ata përdorin 75% më pak energji elektrike sesa llambat inkandeshente dhe zgjasin 25 herë më shumë;

 Instaloni sensorë automatikë që funksionojnë me detektim të lëvizjes për ndriçimin e jashtëm;

Mënyra më e mirë për të filluar të kurseni energji elektrike është të fikni dritat në dhomat që nuk i shfrytëzoni;

Është gjithashtu e rëndësishme të keni dritë të mjaftueshme në dhomë, as më shumë e as më pak, provoni të keni shpërndarje të barabartë të dritës;

Hapni roletat apo perdet e dritareve për të lejuar dritën e diellit të hyjë brenda, ndonjëherë drita e diellit mund të ndriçojë më shumë se llambat e zakonshme;

Pastroni pluhurin nga poçat elektrik. Sa më i pastër poçi, aq më shumë dritë përhap në dhomë;

Kur jeni duke lexuar në një vend të veçantë ndriçoni vetëm vendin që ju duhet duke e përdorur një llambë tavoline, në vend që të ndriçoni të gjithë dhomën.

Bojleri

Varësisht nga madhësia, lloji i bojlerit, anëtarët e familjes, si dhe kohën që qëndron i ndezur bojleri, sipas një mesatareje që kanë nxjerrë ekspertët tanët të kursimit, duke analizuar përdorimin e energjisë elektrike, bojleri në shtëpitë tonë shpenzon diku prej 30 deri në 50% të faturës mujore gjatë sezonit të verës, dhe 40 deri në 60% gjatë stinës së dimrit, kuptohet jo në rastet kur edhe ngrohja qendrore është me energji elektrike. Për shembull, për një familje çift me dy fëmijë, do të thotë diku 20 euro gjatë stinës së verës dhe 25 euro gjatë dimrit.

Për kursim të energjisë elektrike, por edhe të xhepit tuaj, ekspertët tanë rekomandojnë:

Lini bojlerin ndezur gjatë natës, saktësisht pas orës 22:00 (tarifa e ulët gjatë dimrit).

Gjatë ditës ndizni bojlerin vetëm sipas nevojës.

Kujdesuni që bojleri në shtëpinë tuaj të mos jetë shumë i vjetër dhe të jetë sa më funksional.

Reduktoni në minimum përdorimin e ujit të ngrohtë në lavaman të kuzhinës apo banjos

Kosovë

KQZ-ja shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të qershor, hap rrugën për certifikimin e tyre

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, duke hapur rrugën për certifikimin e tyre zyrtar dhe nisjen e procesit të themelimit të institucioneve të reja për t’i dhënë krizës pothuajse dyvjeçare politike.

Rezultatet përfundimtare u shpallën të shtunën në një mbledhje të KQZ-së në Prishtinë.

Certifikimi i tyre pritet të bëhet të hënën, kur përfundon një periudhë ankesash prej 48 orësh, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë mbledhjes së komisionit.

Sipas rezultateve përfundimtare, partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i ka fituar 47.13% të votave, apo 53 vende në Kuvendin me 120 sosh.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44%, apo 22 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69% , apo 18 ulëse; dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.74%, apo shtatë ulëse.

Çfarë tani?

Tani që u shpallën rezultatet përfundimtare, komisioni zgjedhor do të presë deri të hënën në mesditë për ndonjë ankesë të mundshme dhe, nëse nuk ka të tilla, do t’i certifikojë këto rezultate.

Certifikimi nënkupton se mund të fillojë procesi për bërjen e Kuvendit të ri dhe formimit të Qeverisë së re.

Duke parë numrin e ulëse të fituara, partia në pushtet nuk pritet ta ketë telash formimin e Qeverisë, për çka nevojiten 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse.

Por, ajo nuk do t’i ketë votat për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, një çështje që ka shkaktuar krizë politike këtë vit.

Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit – më pak se tre muaj pas konstituimit të tij – dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.

Deri tani partitë politike nuk kanë mbajtur bisedime për një marrëveshje të mundshme për presidentin.

Një dështim i radhës për të arritur pajtueshmëri për këtë post kryesisht ceremonial, mund të çojë në një palë zgjedhjesh të tjera të parakohshme – që do të ishin të katërta brenda dy vjetësh.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

LDK-ja kërkon Presidencën: Abdixhiku ose Haziri

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.

Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.

Osmani më herët ka deklaruar se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.

Haziri theksoi se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizjen Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale.

“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Kjo është përgjigja e tij ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së.

Gërvalla në një intervistë për televizionin vendor KTV, duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, tha se brenda saj “janë disa rryma të ndryshme”.

Sipas saj, LVV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për konsolidimin e institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haziri shpjegoi se deri më tash në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.

Sipas tij, në rast se një ftesë e tillë arrin në adresë të partisë, atë do ta shqyrtojnë organet e LDK-së dhe vendimmarrja do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill.

Nga LVV-ja kanë thënë se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjen e krijimit të institucioneve të reja, pasi të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas Kushtetutës, për themelimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë kërkohet vota e së paku 61 deputetëve.

Fituesja e zgjedhjeve, LVV-ja e Kurtit pritet të ketë 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh dhe ajo mund t’i bëjë numrat, së bashku me pakicat joserbe, për Kuvendin dhe Qeverinë.

Por, për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Rutte: KFOR-i në të ardhmen do të ketë deri në 3.500 trupa

Published

on

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se në të ardhmen, misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, do të ketë deri në 3.500 trupa.

Rutte këtë deklaratë e bëri gjatë një konference për media në Bruksel, pasi u pyet lidhur me njoftimin e disa ditë më parë se aleanca ushtarake perëndimore synon të reduktojë numrin e trupave paqeruajtëse në Kosovë.

“Në këtë moment, ju e shihni që KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë. Ajo çfarë do të bëjmë është që do të kthehemi në nivelet e para vitit 2023. Sigurisht, varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3.000 deri në 3.500 trupa. Dhe, mendoj se duke pasur për bazë përmirësimin e situatës, KFOR-i do të vazhdojë të jetë i fokusuar në misionin e tij thelbësor”, tha Rutte.

Ai tha se ky ndryshim që do të bëhet në NATO vjen pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar si “lajm të mirë”.

“Prandaj, NATO-ja në janar i dha fund dislokimit të forcave rezervë në KFOR. Kjo ndodhi dy vjet pas rotacionit të vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë, ne vazhdimisht po shikojmë për pozicionimin më të mirë për KFOR-in për të ardhmen”, tha shefi i NATO-s.

Më 12 qershor, NATO-ja tha se gradualisht, gjatë vitit të ardhshëm, do të përshtatë forcën për mbështetjen e KFOR-it.

“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich.

“Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.

Pas njoftimit të NATO-s, Shtetet e Bashkuara thanë se presin që të ketë ndryshime në kontributin e tyre në KFOR.

Një zyrtar i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi bazohet në rishikimin vjetor të bërë nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), e cila rekomandoi përshtatjen e trupave në terren.

“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë, NATO-ja do të optimizojë pozicionimin e Forcës së Kosovës [KFOR]. Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje – në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut – të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me këtë rishikim të udhëhequr nga SHAPE”, tha zyrtari për REL-in.

Ai shtoi se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë misionin një komponent kyç të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, pa dhënë detaje për natyrën apo përmasën e ndryshimeve të mundshme.

Më 2023, për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, NATO kishte dislokuar afër 1.000 trupa shtesë në Kosovë.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999 në vend. Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar në atë vit, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë rreth 4.600 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga 31 vende të botës.

Italia ka numrin më të lartë të trupave, përkatësisht 907, pasuar nga Shtetet e Bashkuara me 590 paqeruajtës dhe Hungaria me 408.

Sa trupa i ka NATO-ja në Kosovë?

Gjithsej 4.657 trupa nga 31 vende të botës shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR. Gati gjysma e forcave janë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX.

Misioni i NATO-s, po ashtu ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending