Connect with us

Botë

E shtunë e pasur me futboll – Luajnë Manchester City, Barcelona dhe Bayern Munich

Published

on

Ligat evropiane do të vijojnë edhe në këtë fundjavë me ndeshje interesante.

Manchester City, Barcelona dhe Bayern Munich do të luajnë në ligat e tyre respektive.

Më fillim nga ora 13:30, “Qytetarët” do të jenë nikoqirë të Wolverhamptonit për ta hapur siparin e javës së shtatë në Premier League.

Pos saj, i impenjuar do të jetë edhe Tottenhami që ka punë me Leicester Cityn.

Në La liga, siç u tha, ndeshja për t’u veçuar është Barcelona – Almeria, më fillim nga ora 16:15, ndërsa Bundesliga, ndër të tjera, rezervon takimin Augsburg – Bayern Munich (15:30) dhe derbin Dortmund – Schalke (15:30)./GBS

Botë

Trump konfirmon bllokimin e porteve iraniane

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara do të krijojnë një bllokadë që ua pamundëson anijeve hyrjen dhe daljen prej porteve iraniane.

Sipas tij, bllokada do të funksionalizohet më 13 prill, në orën 10:00, sipas kohës lindore.

Duke e bërë të ditur lajmin për bllokadë, Komanda Qendrore e SHBA-së, e cila është përgjegjëse për të gjitha forcat ushtarake amerikane në Lindje të Mesme, ka thënë se bllokada do të vlejë ndaj anijeve të të gjitha shteteve “pa asnjë dallim”, dhe kështu ato nuk do të mund të hyjnë dhe as të dalin prej porteve iraniane dhe brigjeve detare në “Gjirin Arab” – të njohur edhe si Gjiri Persik – si dhe Gjirin e Omanit.

Komanda Qendrore nuk ka dhënë më shumë hollësi për bllokadën, përfshirë të dhënat se sa anije amerikane do të angazhohen në këtë drejtim, por vetëm që do të vlejë për anijet që synojnë të hyjnë dhe dalin nga Irani.

Prej nisjes së konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, në njërën anë, dhe Iranit, në anën tjetër, Teherani e ka bllokuar gjithë trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, duke ndikuar në rritje të mprehtë të çmimeve të energjisë.

Irani ka bërë të ditur edhe se do të nisë të vendosë taksë për anijet që synojnë të kalojnë nëpër atë ngushticë jetike për furnizimet globale me naftë.

Njoftimi prej SHBA-së ka ardhur pas dështimit të bisedimeve me palën iraniane për t’i dhënë fund luftës së nisur më 28 shkurt.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance e ka udhëhequr delegacionin amerikan në negociatat që kanë zgjatur mbi 21 orë në Islamabad të Pakistanit.

“Lajmi i keq është që nuk kemi arritur një marrëveshje. Mendoj që është lajm më i keq për Iranin sesa që është lajm i keq për SHBA-në”, ka thënë ai shkurt për mediat pas përfundimit të takimit.

Ambiciet bërthamore të Iranit besohet t’i kenë dominuar bisedimet, ndonëse Vance ka thënë se në agjendë kanë qenë edhe çështje tjera madhore, përfshirë ngrirjen e aseteve dhe tensionet më të gjera në Lindje të Mesme.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Anijet nisin të lundrojnë përmes Ngushticës së Hormuzit

Published

on

Armëpushimi i brishtë si duket po respektohet disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani u pajtuan për të, teksa anijet po lëvizin përmes Ngushticës së Hormuzit dhe bombardimet janë ndalur për herë të parë në më shumë se një muaj.

Udhëheqësit nga e mbarë bota – përfshirë edhe tregjet financiare dhe të energjisë – më 8 prill mirëpritën armëpushimin, teksa shpresojnë se ai do të çojë në një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndonëse ka pasur disa raportime për sulme ajrore të kryera nga Izraeli dhe Irani.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara më ka thënë mua, dhe i ka thënë të gjithë ekipit negociator – sekretarit të Shtetit, Marco Rubion, dhe të dërguarit të posaçëm, Steve Witkoff – ‘Shkoni dhe punoni me mirëbesim për të arritur një marrëveshje’”, tha nënpresidenti amerikan, JD Vance, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Budapest.

“Ai nuk ka durim. Është i paduruar për të bërë përparim. Na ka thënë të negociojmë me mirëbesim dhe mendoj se nëse ata negociojnë me mirëbesim, do të jemi në gjendje të gjejmë një marrëveshje. Por, kjo është një ‘nëse’ e madhe dhe, në fund varet nga iranianët se si do të negociojnë. Shpresoj që të marrin vendimin e duhur”, shtoi Vance.

Uashingtoni dhe Teherani u pajtuan më 7 prill për një armëpushim dyjavor, të ndërmjetësuar nga Pakistani, duke u tërhequr nga përshkallëzimi për t’u dhënë kohë dy palëve të negociojnë një marrëveshje paqeje.

“SHBA-ja do të punojë ngushtë me Iranin, për të cilin kemi përcaktuar se ka kaluar në atë që do të jetë një ndryshim shumë produktiv i regjimit”, tha Trump në rrjetet sociale më 8 prill.

Islamabadi do të ndërmjetësojë negociatat e drejtpërdrejta mes dy vendeve më 10 prill.

Trump, që më 7 prill shkroi se “një civilizim i tërë do të vdesë sonte” nëse Irani nuk arrin një marrëveshje, shkroi në rrjetet sociale se ka pranuar një propozim 10-pikësh nga Teherani dhe se ai beson se “është një bazë mbi të cilën mund të punohet për të negociuar”.

Iranianët janë shprehur të lehtësuar, por njëkohësisht të shqetësuar pasi SHBA-ja dhe Irani njoftuan për marrëveshjen, që parasheh ndaljen e armiqësive për dy javë. Pas më shumë se pesë javë sulme ajrore, disa iranianë thonë se presin ditë të vështira përpara, me infrastrukturë të shkatërruar, por gjithashtu duan që Qeveria e tyre të rivendosë të drejtat themelore dhe të lirojë të burgosurit politikë.

“Jam i lumtur që ka një armëpushim, por nuk do të qetësohem derisa të ketë paqe të qëndrueshme”, tha një burrë nga brenda Iranit në një mesazh dërguar Radios Farda të Radios Evropa e Lirë.

“E di se na presin ditë të vështira. Infrastruktura është shkatërruar dhe autoritetet me gjasë do të bëhen më të dhunshme, por ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të distancohemi nga nxitësit e luftës”.

Trump nuk dha detaje për propozimin iranian, por shtoi se marrëveshja varet nga fakti nëse Teherani lejon kalim të papenguar të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç detare përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës dhe gazit në botë.

Sipas të dhënave nga monitoruesi detar MarineTraffic, deri në mesditë dy anije kaluan përmes kësaj rruge ujore.

“Shenjat e para të aktivitetit të anijeve po shfaqen në Ngushticën e Hormuzit pas njoftimit për armëpushim, që përfshin një rihapje të përkohshme të kësaj rruge strategjike për të mundësuar negociatat”, thuhet në një postim të këtij monitoruesi në X, duke theksuar se një anije transportuese me pronësi greke dhe një anije me flamur liberian kanë kaluar tashmë përmes ngushticës.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, konfirmoi përmes një postimi në X se nëse sulmet kundër Iranit ndalohen, forcat e armatosura iraniane “do të ndalin” sulmet hakmarrëse ndaj caqeve në mbarë Lindjen e Mesme.

“Gjatë dy javëve, do të jetë i mundur kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit përmes koordinimit me forcat e armatosura të Iranit dhe duke pasur parasysh kufizimet teknike”, shkroi ai.

Izraeli tha se e mbështet vendimin e presidentit Trump për të ndalur sulmet ndaj Iran për dy javë, me kusht që të rihapet menjëherë Ngushtica e Hormuzit dhe të ndalen sulmet ndaj SHBA-së, Izraelit dhe vendeve të tjera në rajon.

Por, deklarata, e publikuar nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se armëpushimi nuk përfshin Libanin, gjë që bie ndesh me një deklaratë të mëhershme të kryeministrit të Pakistan, Shehbaz Sharif.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit, raportoi për sulme të reja izraelite në jug të vendit, përfshirë granatime dhe një sulm ajror në mëngjes ndaj një ndërtese pranë një spitali, ku u vranë katër persona.

Për më tepër, ushtria izraelite lëshoi paralajmërime urgjente për banorët, duke thënë se planifikonte të sulmonte në jug të Libanit.

Ndërkohë, shtetet e Gjirit, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan për sulme të reja në territorin e tyre.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja dhe Irani bëjnë marrëveshje për armëpushim dyjavor

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja ka pranuar një armëpushim dyjavor me Iranin, të ndërmjetësuar nga Pakistani, për t’u dhënë kohë palëve që të negociojnë një marrëveshje paqeje.

Trump, i cili më 7 prill paralajmëroi se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte” nëse Irani nuk bën marrëveshje, tha se ka marrë nga Teherani një propozim me 10 pika dhe se e konsideron atë një bazë të mirë për negociata.

Agjencia e lajmeve Tasnim, e afërt me forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), konfirmoi se është “vendosur” një armëpushim midis dy palëve, “me kushte të caktuara”.

Ajo nuk dha detaje shtesë, duke thënë se ato do të shpallen së shpejti.

Trump, gjithashtu, nuk dha detaje për propozimin iranian, por tha se marrëveshja varet nga lejimi i lëvizjes së lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit – një rrugë shumë e rëndësishme për transportin e naftës dhe gazit.

“… pas kërkesës së tyre që unë t’i ndalja sulmet shkatërruese që ishin planifikuar për sonte ndaj Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pajtohet për hapjen E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë pranoj t’i pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Analistët e përshkruajnë këtë kusht si çelës të marrëveshjes, duke shtuar se stabiliteti i armëpushimit do të varet nga Teherani.

“Tani të gjithë sytë janë tek Irani, pasi presidenti e ka kushtëzuar armëpushimin me hapjen e Ngushticës nga ana e Iranit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Alex Plitsas, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Atlantik dhe ish-zyrtar i Pentagonit.

Izraeli tha se e mbështet vendimin e Trumpit për t’i pezulluar sulmet kundër Iranit, por shtoi se “armëpushimi dyjavor nuk e përfshin Libanin”.

Anne Dreazen, nënkryetare e Qendrës për një Lindje të Mesme të Re pranë Komitetit Hebre Amerikan, thotë për Radion Evropa e Lirë se, ndonëse armëpushimi përfaqëson një “ulje taktike të tensioneve”, kushtet detare mbeten shumë të brishta.

Ajo thotë se, për shkak se kalimi vazhdon të koordinohet përmes ushtrisë iraniane, marrëveshja përfaqëson një “regjim të kontrolluar dhe të kushtëzuar të qasjes”, dhe jo një rikthim të vërtetë te normat ndërkombëtare.

“Në terma praktikë, Irani po ruan aftësinë për të rregulluar, kufizuar apo politizuar trafikun detar, duke e përdorur Ngushticën si mjet presioni, në vend që të rikthejë parimin e lundrimit të lirë”, thotë Dreazen.

Sipas saj, barra bie mbi Teheranin për të dëshmuar se është i gatshëm të “ndryshojë kurs”.

“Arsyeja për ta bërë këtë është se ne tashmë i kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake dhe jemi shumë larg një marrëveshjeje përfundimtare në lidhje me PAQEN afatgjate me Iranin dhe PAQEN në Lindjen e Mesme”, shtoi Trump.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, shkroi në X se nëse sulmet kundër Iranit ndalen, forcat e armatosura iraniane do t’i ndërpresin sulmet e tyre kundër objektivave në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Për një periudhë prej dy javësh, kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit dhe duke marrë në konsideratë kufizimet teknike”, tha ai.

Ky zhvillim pason paralajmërimet e Trumpit se Shtetet e Bashkuara do t’i sulmojnë termocentralet dhe urat e Iranit – deklarata që zyrtarët iranianë i përshkruan si kërcënime për ‘krime lufte’, edhe pse disa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare i kontestuan këto vlerësime.

Ai vjen gjithashtu vetëm disa orë pasi sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit goditën vende të shumta në të gjithë Iranin, duke përfshirë infrastrukturën dhe ishullin strategjik, Harg.

Zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit e cilësuan marrëveshjen si “një fitore”, ndërsa Jason Brodsky, drejtor i politikave në organizatën Të Bashkuar kundër Iranit, e përshkruan atë si “një pauzë taktike” nga ana e Shteteve të Bashkuara për të parë nëse Irani do t’i përmbahet marrëveshjes.

“Mendoj se presidenti Trump e ka ende opsionin e përshkallëzimit. Planet për sulm janë përgatitur. Kërcënimi i besueshëm ushtarak mbetet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Paraprakisht kishte shqetësime globale për deklaratat e Trumpit për shkatërrimin e civilizimit iranian.

Papa Leoni, amerikan, e konsideroi këtë “vërtet të papranueshme”, ndërsa të tjerë paralajmëruan kundër sulmeve ndaj infrastrukturës civile.

Derisa konflikti, që filloi me sulmet ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, vazhdonte, kishte pak shenja që palët ishin gati për kompromis, dhe propozimet e Uashingtonit dhe Teheranit rrallë përputheshin.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending