Connect with us

Kosovë

Fillon takimi Osmani-Escobar

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur të mërkurën të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas takimit me Osmanin, Escobar do të takohet edhe me kryministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vizita e Escobarit më 19 tetor në Kosovë vjen në kohën kur Franca dhe Gjermania besohet se u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis dy shteteve, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky propozim konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Për herë të fundit, Escobar ka vizituar Kosovën më 24 gusht, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Atëbotë, Escobar pas takimeve me krerët shtetërorë – por edhe me liderët e partive opozitare – porositi që Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin e situatës, pak ditë para se të niste së zbatuari vendimi i ekzekutivit kosovar për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Po ashtu, ai kishte thënë se pret propozime konkrete nga Prishtina dhe Beogradi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ende është e paqartë se cilat tema do të jenë në agjendën e bisedimeve gjatë vizitës së Escobarit, por SHBA-ja – pavarësisht se nuk është pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shmangin tensionet dhe të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur deri më tani në Bruksel dhe të intensifikojnë bisedimet.

Kosova më 1 shtator ka hapur afatin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Qytetarët do të kenë kohë deri në fund të tetorit që të konvertojnë targat serbe –me akronime serbe për qytete të Kosovës sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – në targat RKS – Republika e Kosovës.

Pavarësisht se fushata për riregjistrim po vazhdon, deri më tani është parë një interesim i ulët i qytetarëve serbë që jetojnë në veri të Kosovës, për t’i konvertuar targat e makinave të tyre në RKS.

Një zgjidhje urgjente për targat ka kërkuar edhe Lajçak gjatë takimit që ka zhvilluar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 17 tetor.

Ai ka thënë se çështja e targave, dhe ajo e energjisë, kanë qenë lart në agjendën e bisedimeve. Për targat, normalizimin e raporteve dhe çështjen e energjisë, Lajçak ka biseduar javën e kaluar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Dialogu për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

Palët kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi.

Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi mund të bëhet fjalë./rel

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosovë

Arrestohen dy persona dhe konfiskohen mbi 50 kg marihuanë

Published

on

Pas hetimeve disa mujore lidhur me rastin e koduar “MALI”, Policia e Kosovës ka arrestuar personat me inicialet B.A.(1988) dhe S.H. (1974),  të dyshuar për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike si dhe ka konfiskuar 50 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Sipas njoftimit, arrestimi ka ndodhur më 16.10.2026 në Gjilan.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë zhvilluar nën dyshimin se persona të dyshuar janë të përfshirë në veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’, gjegjësisht janë duke bërë përgatitjet për transport jashtë vendi të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit janë kontrolluar dy shtëpi dhe objekte përcjellëse. Gjatë kontrollit, në njërën prej veturave (në bagazh) është gjetur dhe konfiskuar substancë,- dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me vlerë në tregun vendor rreth 80,000 (tetëdhjetë mijë) euro.

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë:

• 53 kilogramë substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë;

• 2 telefona mobil dhe

• 2 automjete me targa vendore.

Operacioni është mbështetur në terren nga dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) – Gjilan, si dhe nga Njësia e Forenzikës Rajonale Gjilan, e cila ka bërë fotografimin, evidentimin dhe tërheqjen e dëshmive nga vendi i ngjarjes.”

Të dyshuarit pas intervistimit në prezencë të avokateve mbrojtës, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria interviston Gani Gecin dhe Lirim Mehmetajn

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka intervistuar Gani Gecin në cilësinë e të dyshuarit dhe Lirim Mehmetajn në cilësinë e të dëmtuarit lidhur me rastin e dyshimit për kanosje.  

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Gani Geci është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ai dyshohet se e ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

#

Continue Reading

Kosovë

Aktakuzë për krime lufte në Zveçan, i dyshuari akuzohet për vrasje civilësh

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri – që ndodhet në paraburgim – në cilësinë e komandantit të Repartit Policor rezervë në Zveçan, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, dyshohet se ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Prokuroria pretendon se më 29 prill 1999, M.Gj., së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, mori pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në komunën e Zveçanit.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, u vranë tre civilë, ndërsa shtatë persona u rrëmbyen. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, kurse trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Gjatë operacionit, po ashtu, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.

Në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës të viteve 1998-1999.Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.

Më 27 shtator, nëntë persona u arrestuan në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Prokuroria Speciale tha se të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Operacioni nxiti reagime nga Serbia dhe Lista Serbe.

Më herët, më 14 qershor, pesë persona u arrestuan në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Ata dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë..

Ndërkaq, më 6 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë. Të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës.

Më 4 shtator, Prokuroria Speciale dorëzoi gjithashtu aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për vrasjen e 26 civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm në mars të vitit 1998.

Aktakuzat në mungesë janë mundësuar në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2022. Ato mund të procedohen vetëm pasi prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar përpjekjet për të siguruar praninë e të akuzuarve. Sipas ligjit, personat e dënuar në mungesë kanë të drejtë për rigjykim pa kushte nëse arrestohen.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending