Connect with us

Kosovë

Vuçiqi i quan gënjeshtarë QUINT-in, BE-në dhe Kosovën

Published

on

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia vazhdimisht po kërkon targa KS me status neutral, porse kjo po refuzohet.

Vuçiqi thotë se u ka bërë me dije përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it se është gënjeshtër që Kosova ka të drejtë për veprimet e saja në lidhje me riregjistrimin.

“Ajo që po flet QUINT-i, BE-ja dhe Prishtina nuk ekziston askund. Ata shpikën legjitimitetin. Për këtë nuk mora përgjigje”, ka thënë Vuçiq, pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Para disa ditëve mora një demarsh nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe të BE-së. Në atë akt, në pikën dy thuhet se veprimi i Kosovës është legjitim, por problemi është në kohën dhe metodat. Ata nuk kanë të drejtë të bëjnë këtë, sipas asnjë marrëveshjeje. Ata shpikën gjithçka. U thash se po mashtronin publikun, ua theksova dhe nuk u interesuan. Ata mund të jenë arrogantë”.

Vuçiq ka thënë se” mesazhi për serbët në Kosovë e M. është se ne nuk jemi me ta për të qenë kur është e lehtë dhe për të vënë parulla nëpër lokale, por edhe kur është e vështirë”.

Presidenti serb ka thënë se ka dëgjuar kërkesat e përfaqësuesve serbë të Kosovës.

“Ata na informuan për nevojat dhe gjithçka me çfarë po përballen, veçanërisht para skadimit të ultimatumit të dhënë nga regjimi i Prishtinës për ata në veri të Kosovës, që i referohet konfiskimit të automobilave me targa të lëshuara në Serbi, të ashtuquajtura targa KM, prej të cilave janë rreth 9 mijë”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se vetëm 18 persona i kanë riregjistruar veturat, prej tyre tre nga veriu i Kosovës.

Vuçiq ka thënë se “serbët në Kosovë do t’i rezistojnë paqësisht autoriteteve të Prishtinës”.

“Sigurisht se do të hasin në rezistencën demokratike të popullatës serbe. Nuk do të ketë përsëritje të vitit 2004, as veprime të tilla të ngjashme kundër popullit serb”.

Vuçiq ka thënë se iniciativa nga ndërkombëtaret për të shtyrë afatin e riregjistrimit të veturave për 10 muaj synon ta tregojë “palën prishtinase si të mirë”.

Ai thekson se Beogradi insiston gjatë gjithë kohës për targa KS – të statusit neutral, të cilat janë hequr.

Vuçiq ka thënë se thelbi i çështjes së targave është në marrëveshjen e vitit 2011 dhe gjithkund thuhet se bëhet fjala për targa KS, të cilat, siç theksoi ai, janë status neutral, porse Prishtina po e mohon tash.

“Gjatë gjithë kohës insistojmë në këtë, ne themi targa KS, ata thonë se nuk ka më targa KS sepse i kanë hequr”, tregon Vuçiq.

Afati për riregjistrimin e targave nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës për në ato legale RKS përfundon më 31 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të afatit.

Vuçiq thotë se kjo po kërcënon paqen e stabilitetin.

“Kërcënimet nga Prishtina se do të vazhdojnë me zbatimin e një aksioni që duhet të tregojë qëndrueshmërinë dhe forcën e tyre dhe të kërcënojnë plotësisht stabilitetin, paqen dhe mbijetesën e popullit tonë në Kosovë e M.”, tha Vuçiq. “Plani i tyre është që të lënë të dalin me targa, por të mos i lejojnë të kthehen në territorin e Kosovës e M. me targa të njëjta. Shteti i Serbisë nuk do të lejojë as pogrom e as vrasje të popullit të vetë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që javën e ardhshme Kosova të futet në procedurë për pranimin në Këshillin e Evropës.

“Ajo procedurë mund të zgjasë deri një vit. E keni të qartë se cili do të jetë rezultati”, tha Vuçiq, raporton “B92”. “Është mesazh i qartë se e drejta ndërkombëtare nuk u intereson. Pastaj do të thonë se ti Vuçiqi i vogël, do të bëhesh autokrat dhe pastaj do të fillojnë të bëjnë disa veprime kundër Qeverisë së Serbisë. Ne nuk na kanë dhënë asnjë mundësi, të bëjmë ndonjë gjë. Vendet e QUINT-it gjithmonë do t’i japin mundësi Prishtinës, e kurrë nuk do të marrin ndonjë vendim që do të ishte në favor të serbëve dhe Serbisë”./koha

Kosovë

Prokuroria interviston Gani Gecin dhe Lirim Mehmetajn

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka intervistuar Gani Gecin në cilësinë e të dyshuarit dhe Lirim Mehmetajn në cilësinë e të dëmtuarit lidhur me rastin e dyshimit për kanosje.  

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Gani Geci është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ai dyshohet se e ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

#

Continue Reading

Kosovë

Aktakuzë për krime lufte në Zveçan, i dyshuari akuzohet për vrasje civilësh

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri – që ndodhet në paraburgim – në cilësinë e komandantit të Repartit Policor rezervë në Zveçan, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, dyshohet se ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Prokuroria pretendon se më 29 prill 1999, M.Gj., së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, mori pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në komunën e Zveçanit.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, u vranë tre civilë, ndërsa shtatë persona u rrëmbyen. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, kurse trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Gjatë operacionit, po ashtu, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.

Në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës të viteve 1998-1999.Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.

Më 27 shtator, nëntë persona u arrestuan në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Prokuroria Speciale tha se të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Operacioni nxiti reagime nga Serbia dhe Lista Serbe.

Më herët, më 14 qershor, pesë persona u arrestuan në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Ata dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë..

Ndërkaq, më 6 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë. Të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës.

Më 4 shtator, Prokuroria Speciale dorëzoi gjithashtu aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për vrasjen e 26 civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm në mars të vitit 1998.

Aktakuzat në mungesë janë mundësuar në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2022. Ato mund të procedohen vetëm pasi prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar përpjekjet për të siguruar praninë e të akuzuarve. Sipas ligjit, personat e dënuar në mungesë kanë të drejtë për rigjykim pa kushte nëse arrestohen.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Justina Shiroka Pula inaugurohet si presidente e shtatë e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Brenda, Haxhiu tha se Shiroka Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post. Ndërsa, Shiroka Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që Haxhiu e ka filluar .

Më pas, ato ndërruan karrigat, teksa Shiroka Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet dhe PDK-së. Marrëveshja përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.

Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar parasheh gjithashtu mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe që të ketë mundësi për falje presidenciale, ndërsa kushtetutshmëria e ligjit dhe ndryshimeve të tij mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Pikërisht ky ligj pritet të jetë ndër çështjet e para që do të trajtojë Shiroka Pula në detyrën e re.

Sipas Kushtetutës, ligjet e miratuara nga Kuvendi i dërgohen presidentes për shpallje. Presidentja duhet ta nënshkruajë ligjin brenda tetë ditësh nga marrja e tij ose ta kthejë një herë në Kuvend, duke dhënë arsyet e kthimit.

Nëse brenda këtij afati, ajo nuk merr vendim as për shpalljen e as për kthimin e ligjit, atëhërë ai konsiderohet i shpallur dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen u miratuan pas protestave të zhvilluara në Prishtinë çdo natë qysh nga vendimi të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

PDK-ja e kishte lidhur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen me gatishmërinë e saj për të votuar presidenten e re, ndërsa procesi u zhvillua në një situatë të tensionuar politike, me protesta para Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmani. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending