Connect with us

Botë

Botërori 2022 fillon nesër, njohësit shohin më shumë se një favorit

Published

on

Kampionati i 21-të i Kupës së Botës fillon të dielën në Katar.

32 kombëtare luftojnë për të marrë epitetin e më të mirit në botë.

Njohësi i sportit, Rrahman Kurti teksa thotë se ka disa favoritë për këtë kampionat shton se Cristiano Ronaldo e Leonel Messi do japin gjithçka nga vetja për të quar kombëtaret e tyre përpara.

“Ky kampionat do jetë shumë interesnt. U bë në vjeshtë falë ikonës Beckenbauer i cili dha idenë që të zhvillohet në vjeshtë. Brazili është skuadra më favorite por mund të dështojë pasi që shumica e lojtarëve dinë të jenë egoistë e kjo mund t’i shkaktojë probleme. Rivaliteti më i madh do jetë mes Argjentinës, Brazilit dhe kombëtareve nga Europa si Anglia, Portugalia që do jetë nga skuadrat më të fuqishme por mos ta përjashtoj edhe Francën. Në çdo kampionat ka befasi, ska kampionat pa befasi por unë e shoh një kombëtare si Senegali që do jetë befasia e kampionatit. Do knaqemi me futboll e fokusi i njerzve shpresoj të jetë futbolli se me politikë jemi lodhë më“, deklaroi Kurti për TV TEMA.

Komentatori i Sporitt në Kujtesa Sport, Arbër Loxha për TV TEMA thotë se sivjet nuk ka vetëm një favorit, teksa shton Kevin De Bruyne po hyn në këtë kampionat në formën më të mirë të mundshme.

“Për mua janë 4 kombëtare që duken shumë të përgatitura për të shkuar deri në ndeshjen e fundit. Brazili, Argjentina, Portugalia dhe Anglia për mua janë favoritet në Katar 2022. Kam përshtypjen që këtë herë Messi po hyn më i përgatitur se kurrë. Shumë kush mund të pyes pse Anglezët i shoh si favorit? Anglezët asnjëherë nuk u paraqiten mirë nëpër botëroret tjera pasi e dimë qe FA nuk lë fare pushim, duke ditur qe organizon Premier ligën, FA cup dhe Kupën e ligës dhe kështu ata gjithmonë shkonin në boteror të shpenzuar për nga energjia në angazhim me klubet dhe gjërat vështirësoheshin ne aspektin fizik”, thotë Loxha për TV TEMA.

“Dua të shtoj gjithashtu edhe diçka. Lojtari për të cilin do të mbaja vëmendje të madhe gjatë Botërorit është edhe Kevin De Bruyne. Ai po hyn në Katar me formën më të mirë të mundshme dhe me një perkrahje solide, belgët mund të dalin shumë mirë këtë herë“, shtoi ai.

Në anën tjetër, trajneri i futbolli, Vigan Shaqiri thotë se sivjet në finale e do Argjentinën dhe Brazilin derisa si lojtarët që mund të shpërthejë në botëror e sheh Jamal Musialen e Gjermanisë dhe Rafael Leaon e Portugalisë.

“Besoj se ka me qenë një ndër kampionatet më të mira dhe shumë atraktive. Ka disa ekipe favorite jo vetëm një. Por përsëri për mendimin tim Argjentina është favorit kryesor dhe dëshira ime është të jetë në finale me Brazilin. Në të njejtën kohë nuk mund të anashkalojmë edhe Portugalinë e Francën që kanë super ekipe. Nëse kisha guxu me quajt befasi, mendoj që do jetë Maroku edhe pse nuk është e hijshme me e quajt befasi sepse ka lojtarë si Hakimi e Ziyech që luajnë në kampionatet më të forta“, shprehet Shaqiri.

Gazetari i Sportit në GazetaBlic Sport, Mërgim Rrecaj thotë se Ronaldo e Messi do bëjnë gjithçka që kombëtaret e tyre të fitojnë botërorin, por shton se duhet të mbahet një sy sepse lojtarët Musiala, Pedri, Leao, e Mbappe që do të jenë ‘fjala kryesore’ në Katar me ekipet e tyre.

“Kampionati Botëror është pa asnjë dyshim kompeticioni më i rëndësishëm i futbollit. Emocionet, rivalitetin dhe spektaklin që e jep ky organizim është i veçantë dhe i pakrahasueshëm. Megjithatë, Kupa e Botës që do të zhvillohet në Katar është më e veçantë se gjitha të tjerat për disa arsye, mbi të gjitha për kohën se kur do të zhvillohet, në muajin nëntor dhe dhjetor, që realisht nuk ka ndodhur diçka e tillë më herët.
Ky është Kampionati i 21-të Botëror dhe jo më kot konsiderohet njëri nga më të paparashikuarit. Ka dy kombëtare nga Amerika Latine dhe një nga Evropa që kanë epitetin kryesor të favoritit. Brazili dhe Argjentina në njërën anë nga Amerika e Jugut, kurse Franca nga ‘Kontinenti i Vjetër’, me ‘Seleçao’ që sipas mendimit tim ka pak më shumë përparësi se dy të tjerat.
Në asnjë mënyrë nuk mund të mos përmendet fakti që ky Botëror pritet të jetë i fundit për dy futbollistët që kanë ndryshuar ‘sensin’ e futbollit, Leo Messi dhe Cristiano Ronaldon. Të dyve ju mungon vetëm ky trofe, sepse në karrierën e tyre kanë fituar gjithçka që ishte për t’u fituar. Një gjë e tillë mund të thuhet edhe për Neymar, i cili ka deklaruar se ky pritet të jetë Botërori i tij i fundit. Do të ishte një përmbyllje fantastike sikur njëri nga këta në fund të kurorëzohet me trofeun e çmuar
” tha Rrecaj për TV TEMA.

“Ka disa futbollistë të rinj që pritet të shkëlqejnë, me emra si Musiala, Pedri, Gavi, Bellingham, Saka, Leao, Vinicius e Mbappe që duan të jenë ‘fjala kryesore’ në Katar me ekipet e tyre. Kam përshtypjen se do të ketë disa befasi të mëdha gjatë këtij Kampionati Botëror, dhe një nga kombëtaret e vogla që unë mendoj se do të befasojë me rezultate pozitive është Danimarka, natyrisht një kombëtare e vogël në krahasim me kombëtaret favorite për ta fituar këtë komepticion. Një super skuadër e ndërtuar, me pika të forta që nga porta e deri tek sulmi, besoj që do të jetë në gjendje të shkojë relativisht lartë me rezultatet e saj“, shtoi Rrecaj.

Finalja e botërorit do të luhet më 18 dhjetor e fituesi përveç kupës, në shtëpi shkon edhe me 44 milionë euro.

Botë

Të paktën 68 të vdekur pas përplasjes së trenave të shpejtë në Spanjë

Published

on

Të paktën 68 persona kanë vdekur pasi dy trena të shpejtë u përplasën në Spanjë. Ky është aksidenti i dytë vdekjeprurës në më pak se një vit në linjat që lidhin Madridin me rajonin jugor të Andaluzisë, thanë autoritetet rajonale.

Dhjetëra persona të tjerë raportohet se kanë pësuar lëndime, teksa qindra autoambulanca, helikopterë janë parë në vendngjarje.

Pamjet e transmetuara nga mediat rajonale shfaqën disa vagonë të dëmtuar dhe shina metalike të shtrembëruara.

Miguel, që po udhëtonte me disa kolegë dhe gjendej në vagonët nga fundi i një prej trenave që u përplas, foli për radio COPE për aksidentin.

“Dëgjuam një zhurmë të madhe që zgjati për dhjetë sekonda, teksa treni po dilte nga shinat. Nga dritarja që gjendej në anën e djathtë e pamë trenin e shkatërruar”, tha ai.

Një person i informuar për aksidentin tha se një tren ekspres i operatorit hekurudhor spanjoll Iryo ndaloi pranë Toledos për shkak të një defekti në sinjalistikë, me urdhër të menaxherit të infrastrukturës, ADIF-it, kur u godit nga një tjetër tren i shpejtë.

Sipas këtij personi, një tren që operohet nga Renfe më pas goditi me shpejtësi të madhe trenin që kishte ndaluar, duke bërë që disa vagonë të të dy trenave të dilnin nga shinat.

As Iryo as Renfe nuk kanë komentuar publikisht për ngjarjen.

Qeveria rajonale e Kastilla-La Mança tha se numri i viktimave është të paktën 30, duke paralajmëruar se numri mund të rritet.

Jesus Perez Martin, kryetar i qytetit Los Jebenes, që gjendet në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti, tha se situata është e “tmerrshme”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e Spanjës u ka bërë thirrje njerëzve që të dhurojnë gjak pas këtij aksidenti.

Nga qeveria rajonale e Kastilla-La Mança thanë se 174 persona po udhëtonin me trenin e Iryo-s dhe 397 me atë të Renfe-së.

Përplasja e dy trenave vjen nëntë muaj pas një aksidenti mes dy trenave të shpejtë – që u përkisnin dy operatorëve të njëjtë – që ndodhi në të njëjtën linjë dhe që la të vdekur 46 persona.

Aksidenti i janarit, që ndodhi pasi një tren doli nga shinat dhe u përplas me një tren që po vinte në drejtim të kundërt pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, nxiti debat për nivelin e investimeve në mirëmbajtjen e rrjetit hekurudhor gjatë viteve të fundit.

 | Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Trump falënderon Kosovën për kontributin me trupa në Bordin e Paqes

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka falënderuar Kosovën për kontributin e saj në Bordin e Paqes – nismës së udhëheqësit amerikan për arritjen e paqes në botë.

“Dua të falënderoj ato shtete që kanë vendosur të kontribuojnë me trupa, e trajnime për të stabilizuar Gazën, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjerë”, tha Trump gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit të tij, Trump e përmendi Kosovën dhe Serbinë edhe në kontekstin e ndaljes së një lufte, duke deklaruar se i kërcënoi këto dy shtete se do të ndalte tregtinë e tyre me SHBA-në nëse do të shpërthente lufta.

Edhe në të kaluarën, Trump ka përmendur ndaljen e një përplasjeje të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në misionin në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Më 7 shtator, Kosova u bë formalisht pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), pasi u nënshkrua marrëveshja formale për t’u bërë pjesë e kësaj force.

Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.

“Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump”, u tha në deklaratën e Bordit të Paqes.

Nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i ka paraprirë miratimi nga Kuvendi për dërgimin e FSK-së jashtë vendit dhe marrëveshjes për anëtarësim në Bordin e Paqes, si dhe autorizimit për dërgimin e tyre në Gazë nga Presidenca.

Ndërkaq, në prill një ekip i FSK-së shkoi në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.

Trumpi krijoi Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar.

Sipas planit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendosen në Gazë për të siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, si dhe t’i trajnojnë forca e reja policore palestineze dhe të mbështesin dërgimin e ndihmave atje.

Pjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e cila u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

Por, që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi si Izraeli, ashtu edhe Hamasi nuk kanë pranuar t’i përmbushin kushtet që do ta mundësonin zbatimin e marrëveshjes.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja pezullon terminet për viza për aplikantët në mbarë botën

Published

on

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka pezulluar terminet për viza për aplikantët në mbarë botën.

Vendimi është pjesë e një fushate të vazhdueshme të Qeverisë amerikane për ashpërsimin e politikave të emigracionit gjatë mandatit të dytë të udhëheqësit republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ka nisur një iniciativë për trajnimin e stafit në të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën dhe se terminet për shërbimet e vizave do të përshtaten për t’iu mundësuar punonjësve pjesëmarrjen në trajnim.

Trump ka ndjekur një politikë për dëbimin e emigrantëve dhe ashpërsimin e politikave të emigracionit, e cila përfshin revokimin e vizave dhe vizës së njohur si Green Card, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, përfshirë qëndrimet politike dhe protestat propalestineze kundër fushatës ushtarake të Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gazë.

Ai argumenton se kjo fushatë synon përmirësimin e sigurisë së brendshme. Megjithatë, masat e ndërmarra nga administrata amerikane janë përballur me disa pengesa ligjore.

Ditë më parë, një gjykatë në SHBA rrëzoi një vendim të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave për migrantët nga 75 shtete – përfshirë nga Kosova – duke thënë se një politikë e tillë përbënte tejkalim të kompetencave ligjore të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Departamenti i Shtetit nuk dha detaje për trajnimin që do të realizojë apo edhe afatet se kur do të mbahet, vetëm tha se ky trajnim synon t’i ndihmojë zyrtarët konsullorë të përjashtojnë aplikantët që vlerësohet se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA, si dhe të sigurojë që vlerësimi i aplikantëve për viza të bëhet “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të njëtrajtshme”.

Pezullimi i termineve për viza u raportua fillimisht nga Financial Times, që tha se aplikantët për viza imigruese që kishin intervista të caktuara në ambasadat dhe konsullatat amerikane kishin pranuar email-e ku njoftoheshin se takimet e tyre po riplanifikoheshin dhe se do të njoftoheshin më vonë për një datë të re.

Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending