Connect with us

Botë

Pesë destinacione për Lionel Messin nëse largohet nga PSG

Published

on

Lionel Messi po përballet me një vendim të madh në muajt e ardhshëm, me kontratën e tij aktuale me Paris Saint-Germainin që skadon në fund të qershorit.

Argjentinasi iu bashkua PSG-së në një marrëveshje dyvjeçare në gusht 2021 pas largimit të tij emocional nga Barcelona për arsye financiare. 35-vjeçari ka formuar një treshe sulmi të mbushur me yje në kryeqytetin e Francës, duke luajtur përkrah talentëve si Neymar dhe Kylian Mbappe, por gjithçka mund të marrë fund kur të përfundojë sezoni.

Ka pasur shumë spekulime për të ardhmen e Messit që kur ai luajti një rol kryesor në fitoren e Argjentinës në Kupën e Botës në dhjetor. Raportimet në atë kohë thanë se ai po konsideronte ofertën për një rinovim të kontratës me PSG-në, por L’Equipe tani bën të ditur se ai po shkon drejt largimit nga Parisi.

Kështu, Mirror Football hedh një vështrim në pesë destinacione të mundshme nëse Messi vendos të largohet nga PSG:

Inter Miami

Klubi nga MLS, i cili është nën pronësi të David Beckham, nuk e kanë fshehur dëshirën për të nënshkruar me Messin.

The Times ka raportuar se ata janë të sigurt për nënshkrimin e Messit dhe do t’i jepnin atij një marrëveshje që do ta bënte atë lojtarin më të paguar në historinë e MLS.

Barcelona

Messi e bëri absolutisht të qartë se ai nuk donte të largohej nga Barça në gusht 2021. “Ne ishim të bindur se po vazhdonim këtu, në shtëpi”, kishte thënë ai ndërsa u përpoq të mos qante. “Bëra gjithçka që munda për të qëndruar sepse doja të qëndroja”.

Barcelona është shtëpia e Messit dhe pavarësisht nga të gjitha problemet financiare, gjithmonë do të ketë një dëshirë për të rikthyer yllin argjentinas.

Manchester City

PSG nuk ishte klubi i vetëm i lidhur me Messin në verën e vitit 2021. Prania e Pep Guardiolës në Manchester City – dhe financat e klubit – nënkuptonin se ata ishin gjithashtu të përcaktuar si një destinacion i mundshëm.

Guardiola nuk ka ngurruar të lëvdojë Messin, i cili bëri mrekulli nën drejtimin e tij te Barcelona.

Megjithatë, nënshkrimi i një 36-vjeçari së shpejti do të përfaqësonte një largim nga strategjia e Cityt në tregun e transferimeve, pavarësisht se sa i mirë është Messi.

Al-Hilal

Lëvizja e Cristiano Ronaldos me shumë para te Al-Nassr tregoi se Arabia Saudite është e gatshme të thyejë bankën për të joshur superyjet në ligën e saj. Që kur Ronaldo u transferua në Riad, ka pasur zëra se Messi mund të ndjekë shembullin e portugezit.

Mundo Deportivo raportoi kohët e fundit se rivali i Al-Nassr, Al-Hilal do të ishte i gatshëm t’i paguanin Messit mbi 300 milionë euro në vit.

Newell’s Old Boys

“Dëshira është të luaj gjithmonë për Newell’s – kjo është ajo që kam ëndërruar si fëmijë”, kishte thënë Messi për TyC Sports pesë vjet më parë. “Kur shkova në klub imagjinova të luaja në Primera Division, por nuk e di se çfarë do të ndodhë pas disa vitesh. Nuk mund të them se do të kthehem sepse nuk e di se ku do të jem”.

Është një nocion romantik, kthimi atje ku gjithçka filloi si fëmijë para se të transferohej në Barcelonë, dhe është një nocion që mund të tërheqë Messin tani. Pas fitimit të Kupës së Botës – trofeu i fundit që ai dëshironte – Messi mund të rikthehet në Argjentinë, aty ku mund t’i thotë lamtumirë futbollit si lojtar./telegrafi

Botë

Demokratët marrin kontrollin e Kongresit

Published

on

Demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke shënuar fitore edhe në bastione tradicionale republikane dhe duke i dhënë një goditje të rëndë politike presidentit Donald Trump.

Rezultatet tregojnë një ndryshim të madh në raportin e forcave në Uashington, ku republikanët deri më tani kontrollonin si Senatin, ashtu edhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Fitorja e demokratëve vjen në një kohë pakënaqësish të mëdha të amerikanëve me gjendjen ekonomike, rritjen e kostos së jetesës dhe luftën kundër Iranit, të nisur nga administrata Trump në shkurt.

Rritja e çmimeve të karburanteve pas shpërthimit të luftës e ka shtuar presionin mbi familjet amerikane, ndërsa sondazhet kanë treguar se shumë votues e konsiderojnë administratën përgjegjëse për vështirësitë ekonomike.

Demokratët kanë arritur të fitojnë vende në Senat edhe në shtete që tradicionalisht votojnë për republikanët, përfshirë: Teksasin, Kansasin, Ajovën, Ohajon dhe Karolinën e Jugut.

Në Kansas, pastori Adam Hamilton u bë demokrati i parë që fiton një vend në Senat, pas më shumë se nëntë dekadash.

Në Ohajo, demokrati Sherrod Brown fitoi vendin që më parë e mbante nënpresidenti JD Vance, ndërsa në Teksas, James Talarico mposhti prokurorin e përgjithshëm republikan, Ken Paxton.

Të dyja shtetet kishin mbështetur bindshëm Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Një tjetër fitore e rëndësishme për demokratët u shënua në Karolinën e Jugut, ku pediatrja Annie Andrews mposhti senatoren republikane, Darline Graham.

Graham ishte emëruar në Senat pas vdekjes së vëllait të saj, senatorit Lindsey Graham, dhe kishte mbështetjen e drejtpërdrejtë të Trumpit.

Presidenti amerikan kishte zhvilluar një fushatë intensive për kandidatët republikanë në javët e fundit para zgjedhjeve, duke marrë pjesë në më shumë se 24 tubime.

Ai u kishte kërkuar mbështetësve të votonin sikur edhe vetë të ishte në garë, me synimin për të mobilizuar elektoratin republikan.

Por, ndërsa rezultatet tregonin humbjen e shumicës republikane në Kongres, Trump këmbënguli se rezultati do të kishte qenë ndryshe nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim.

“Unë nuk isha në fletëvotim dhe, po të isha, do të kishim fituar me epërsi dërrmuese”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Demokratët fituan edhe një numër vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve që më parë kontrolloheshin nga republikanët, përfshirë në Kentaki, Nju Xhërsi dhe Karolinën e Veriut.

Suksesi i tyre është shtrirë edhe në zgjedhjet për guvernatorë.

Në Teksas, demokratja Gina Hinojosa mposhti guvernatorin republikan, Greg Abbott, ndërsa demokratët fituan edhe në Ajova dhe Ohajo.

Çfarë nënkupton rezultati për Trumpin?

Marrja e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit u jep demokratëve mundësi të bllokojnë nisma ligjore të presidentit Donald Trump, të nisin hetime ndaj administratës së tij dhe të ushtrojnë mbikëqyrje më të madhe gjatë dy vjetëve të mbetur të mandatit.

Sipas një analize të institutit amerikan Brookings, një nga pasojat më të rëndësishme lidhet me emërimet presidenciale, të cilat kërkojnë miratimin e Senatit.

Kjo përfshin anëtarët e kabinetit, zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët federalë, përfshirë ata të Gjykatës Supreme.

Me demokratët në shumicë, Trump mund ta ketë më të vështirë të emërojë kandidatët e tij, veçanërisht në sistemin gjyqësor, ku gjyqtarët emërohen për gjithë jetën.

Një tjetër instrument i rëndësishëm është kontrolli mbi shpenzimet federale.

Kongresi miraton fondet për funksionimin e qeverisë dhe programet publike, duke u dhënë demokratëve mundësi të ndikojnë në prioritetet buxhetore të administratës.

Mospajtimet mund të çojnë edhe në bllokimin e financimit të institucioneve federale, nëse palët nuk arrijnë marrëveshje.

Demokratët mund të ushtrojnë presion edhe mbi politikën e jashtme, përfshirë luftën kundër Iranit, përmes hetimeve parlamentare dhe kontrollit mbi financimin e operacioneve ushtarake.

Megjithatë, Trump ruan kompetencat ekzekutive dhe të drejtën e vetos ndaj ligjeve.

Për ta rrëzuar veton nevojiten dy të tretat e votave në secilën dhomë të Kongresit.

Kontrolli i Kongresit sjell edhe përgjegjësi për demokratët, nga të cilët votuesit do të presin përgjigje ndaj shqetësimeve ekonomike, ndër të tjera.

Kjo mund t’i bëjë dy vjetët e fundit të mandatit të Trumpit një periudhë përplasjesh politike, por edhe kompromisesh të domosdoshme për miratimin e buxhetit dhe financimin e qeverisë federale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

SHBA-ja rikthen Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve

Published

on

Shtetet e Bashkuara njoftuan se përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë do të takohen më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi, për një rund të ri bisedimesh që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Uashingtoni shpreson se armëpushimi i përkohshëm i javës së kaluar do t’i hapë rrugë përparimit në negociata.

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha se SHBA-ja do t’i ndërmjetësojë bisedimet, të cilat do të përqendrohen në masat për garantimin e sigurisë pas përfundimit të luftës, uljen e tensioneve, ndihmën humanitare dhe hapat e ardhshëm drejt paqes.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Uashingtoni pritet të përfaqësohet nga Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët udhëheqin përpjekjet amerikane për negociata.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi që bisedimet të zhvillohen në formatin trepalësh, me pjesëmarrjen e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, pas një takimi me Witkoffin në Shën Petersburg, dy javë më parë.

Kjo nismë e re diplomatike vjen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po përpiqet të arrijë përparim drejt përfundimit të luftës më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rundi i fundit i bisedimeve trepalëshe, me ndërmjetësimin amerikan, u mbajt në shkurt.

Procesi u ndërpre më pas, për shkak të luftës që përfshiu SHBA-në, Izraelin dhe Iranin.

Shpresat për rifillimin e negociatave u rritën pas një armëpushimi të përkohshëm, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, javën e kaluar.

Ai mundësoi dërgimin e ndihmave humanitare në qytetin Oleshki, në jug të Ukrainës, i cili është nën pushtimin rus.

Banorëve iu dha gjithashtu mundësia të largoheshin nga qyteti, nëse dëshironin.

Por, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë vazhduar.

Më 3 nëntor, sulmet ruse plagosën së paku 62 persona në një institucion shëndetësor në Harkiv dhe dëmtuan infrastrukturën energjetike në pjesë të tjera të Ukrainës.

Ndërkohë, sipas zyrtarëve, dronët ukrainas goditën një rafineri nafte në qytetin rus të Jarosllavlit.

Analistët dhe ish-zyrtarët amerikanë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, paralajmërojnë se nuk ka shumë arsye për të pritur ndonjë përparim të madh në Abu Dabi.

Sipas tyre, qëndrimet e Moskës dhe Kievit vazhdojnë të jenë shumë larg njëra-tjetrës dhe ende nuk ka shenja të qarta se Putin është i gatshëm të pranojë një armëpushim.

William Taylor, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë dhe më vonë i ngarkuar me punë në Ambasadën amerikane gjatë mandatit të parë të Trumpit, tha se çështja kryesore është nëse Rusia e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj armëpushimit.

“A ka vendosur Putin ta pranojë armëpushimin?”, pyeti Taylor, duke kujtuar se si Uashingtoni, ashtu edhe Kievi, e kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen për të.

Ai rikujtoi se Trump ka propozuar më herët një armëpushim që do të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.

Ukraina e ka pranuar propozimin, por Rusia e ka refuzuar.

Gjatë bisedimeve të mëparshme trepalëshe, të zhvilluara në nivel ekspertësh në janar dhe shkurt, negociatorët kanë shënuar përparim në disa çështje teknike, përfshirë mënyrën se si mund të mbikëqyrej respektimi i një armëpushimi të mundshëm.

Megjithatë, sipas Taylorit, ata nuk kanë arritur marrëveshje për vetë armëpushimin.

“Pjesa e vështirë, dhe ajo që do të përbënte përparim të vërtetë, do të ishte që Putin të thoshte po, se e pranon armëpushimin”, tha Taylor për Radion Evropa e Lirë.

Armëpushimi mbetet pengesa kryesore

Për Taylorin, suksesi i bisedimeve në Abu Dabi varet nga një gjë: nëse Rusia pranon t’i ndalë luftimet.

Nëse merret ky vendim politik, ekspertët ushtarakë dhe teknikë mund të përcaktojnë më pas se si do të mbikëqyret dhe zbatohet armëpushimi.

Kjo mund të përfshijë përdorimin e mjeteve të vëzhgimit nga ajri, dronëve dhe sensorëve, si dhe përcaktimin e procedurave për reagim ndaj shkeljeve të mundshme.

Por Heather Conley, eksperte në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ish-zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, u shpreh më skeptike për mundësinë e arritjes së ndoonjë përparimi të madh.

“Nuk besoj se mund të presim shumë nga këto takime teknike, përveç faktit që bisedimet po rifillojnë”, tha Conley për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk do të ketë ndonjë përparim vendimtar, por është e mundur të caktohet një takim tjetër”, shtoi ajo.

Sipas saj, shkëmbime të tjera të të burgosurve mund të jenë ndër rezultatet më realiste të këtyre bisedimeve.

Krahas negociatave në Abu Dabi, zyrtarët amerikanë do të takohen këtë javë në Bruksel me përfaqësuesit evropianë, për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, organizimin e ardhshëm të sigurisë në Evropë dhe mbështetjen financiare për rindërtimin e Ukrainës.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, në takime do të marrin pjesë përfaqësues të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Bisedimet synojnë të vazhdojnë përpjekjet diplomatike të zhvilluara së voni në Kiev, Oslo dhe Shën Petersburg.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Të paktën 68 të vdekur pas përplasjes së trenave të shpejtë në Spanjë

Published

on

Të paktën 68 persona kanë vdekur pasi dy trena të shpejtë u përplasën në Spanjë. Ky është aksidenti i dytë vdekjeprurës në më pak se një vit në linjat që lidhin Madridin me rajonin jugor të Andaluzisë, thanë autoritetet rajonale.

Dhjetëra persona të tjerë raportohet se kanë pësuar lëndime, teksa qindra autoambulanca, helikopterë janë parë në vendngjarje.

Pamjet e transmetuara nga mediat rajonale shfaqën disa vagonë të dëmtuar dhe shina metalike të shtrembëruara.

Miguel, që po udhëtonte me disa kolegë dhe gjendej në vagonët nga fundi i një prej trenave që u përplas, foli për radio COPE për aksidentin.

“Dëgjuam një zhurmë të madhe që zgjati për dhjetë sekonda, teksa treni po dilte nga shinat. Nga dritarja që gjendej në anën e djathtë e pamë trenin e shkatërruar”, tha ai.

Një person i informuar për aksidentin tha se një tren ekspres i operatorit hekurudhor spanjoll Iryo ndaloi pranë Toledos për shkak të një defekti në sinjalistikë, me urdhër të menaxherit të infrastrukturës, ADIF-it, kur u godit nga një tjetër tren i shpejtë.

Sipas këtij personi, një tren që operohet nga Renfe më pas goditi me shpejtësi të madhe trenin që kishte ndaluar, duke bërë që disa vagonë të të dy trenave të dilnin nga shinat.

As Iryo as Renfe nuk kanë komentuar publikisht për ngjarjen.

Qeveria rajonale e Kastilla-La Mança tha se numri i viktimave është të paktën 30, duke paralajmëruar se numri mund të rritet.

Jesus Perez Martin, kryetar i qytetit Los Jebenes, që gjendet në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti, tha se situata është e “tmerrshme”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e Spanjës u ka bërë thirrje njerëzve që të dhurojnë gjak pas këtij aksidenti.

Nga qeveria rajonale e Kastilla-La Mança thanë se 174 persona po udhëtonin me trenin e Iryo-s dhe 397 me atë të Renfe-së.

Përplasja e dy trenave vjen nëntë muaj pas një aksidenti mes dy trenave të shpejtë – që u përkisnin dy operatorëve të njëjtë – që ndodhi në të njëjtën linjë dhe që la të vdekur 46 persona.

Aksidenti i janarit, që ndodhi pasi një tren doli nga shinat dhe u përplas me një tren që po vinte në drejtim të kundërt pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, nxiti debat për nivelin e investimeve në mirëmbajtjen e rrjetit hekurudhor gjatë viteve të fundit.

 | Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending