Këshilli për Arbitrazh Sportiv (KAS) ka vendosur që KF Dinamo nga Ferizaj të garojë në Ligën e Parë – grupi B, duke anuluar kështu vendimin e mëparshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës sipas të cilit Dinamo ishte caktuar të zhvillonte garën në grupin A.
Dinamo fillimisht ishte ankuar në FFK dhe më pas dërguan çështjen në KAS, me pretendimet se duhet të garojnë në grupin B, aty ku do t’i zhvillojë ndeshjet edhe rivali lokal, KF Ferizaj.
Ankesën e tyre, KAS-i e ka marrë si plotësisht të bazuar andaj ka obliguar FFK-në që menjëherë ta dërgojë Dinamon në grupin B, pasi me këtë vendim FFK ka bërë shkelje të kriterit territorial.
Ndryshe, sipas nenit 3 të Propozicionit të Garave në Ligën e parë të Kosovës në futboll garojnë ekipet e ndara në dy grupe:
– Grupi A me 10 ekipe nga rajoni i Mitrovicës, Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit
– Grupi B me 10 ekipe nga rajoni i Prishtinës, Ferizajt dhe Gjilanit.
Vendimin e Këshillit për Arbitrazh Sportiv e konfirmoi edhe KF Dinamo përmes një postimi në llogarinë e tyre në rrjetin social Facebook.