Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Marko Kovaç, ka refuzuar ta ekstradojë në Kosovë shtetasin serb Momçillo Vukotiq, 61 vjeç, i dyshuar për krime lufte në territorin e Pejës në vitin 1999, konfirmoi Ministria malazeze për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, kushtet ligjore për ekstradim janë plotësuar, por ministri Kovaç e refuzoi ekstradimin e tij, pasi mendon se është shkelur Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Në vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve, nuk thuhet se cilat veprime i ka bërë Vukotiqi, të cilat janë pjesë e veprave penale, por thuhet se pas 24 vjetësh, gjoja është paraqitur një dëshmitar i cili e ka njohur atë nga fotografia e tij në një album”, tha Ministria.

Vukotiq u arrestua më 25 shtator dhe ndaj tij u caktua masa e paraburgimit ekstradues.

Ai kërkohej nga Interpoli përmes UNMIK-ut, Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile. /REL/

Të ngjashme

Të tjera