Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi masa penale dhe administrative ndaj personave që kanë shkaktuar dëme gjatë protestave të ditëve të fundit, ndërsa tha se qeveria po shqyrton edhe mundësinë e kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.
Që nga 13 tetori, mijëra njerëz kanë protestuar fillimisht në Tiranë e pastaj edhe në qytete të tjera, nxitur nga pakënaqësitë e studentëve për kostot e arsimit, kushtet në universitete dhe mungesën e perspektivës ekonomike.
Protestat u zgjeruan shpejt, duke përfshirë qytetarë që kundërshtojnë koston e jetesës, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij.
Por, pavarësisht protestave dhe kërkesave për dorëheqje, Rama nuk dha asnjë sinjal se do të tërhiqet nga posti. Ai tha se është i gatshëm të dëgjojë edhe qytetarët që kërkojnë largimin e tij, por këmbënguli se ndryshimet politike nuk mund të imponohen përmes dhunës.
Si ftesë për dialog, të martën, ai vendosi disa fleta me mbishkrimin “DIALOG” në disa karrige para objektit të Kryeministrisë në Tiranë. Këto karrige u rrëzuan nga protestues pak orë më vonë. Gjatë protestës të së martës, Policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit pasi ata hodhën gurë gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit. Protestën tani po e mbështesin edhe pedagogët që kanë dalë në protestë mëngjesin e së martës.
Ndërsa, duke folur në Ministrinë e Arsimit, së bashku me ministren Mirela Kumbaro Furxhi dhe drejtues të shkollave të mesme të Tiranës, Rama mbrojti reagimin e policisë – që është kritikuar për përdorim të dhunës së tepruar ndaj protestuesve – dhe i cilësoi protestat si përpjekje për destabilizimin e vendit.
Ai paralajmëroi një pako masash që, përveç përgjegjësisë penale, do të përfshijë edhe detyrimin për të kompensuar dëmet materiale. Sipas tij, përgjegjësia për dëmet e shkaktuara nga të miturit duhet të përfshijë edhe prindërit.
“Po e studiojmë dhe do ta shohim nëse do të duhet ta ulim moshën për dënimin penal, siç thashë që po e bën një sërë vendesh”, tha Rama, i cili shtoi se mund të kufizohet edhe përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Aktualisht, sipas Kodit Penal të Shqipërisë, përgjegjësi penale për kryerjen e një krimi kanë personat që kanë mbushur 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtje penale ata që kanë mbushur 16 vjeç.
Gjatë këtyre ditëve, në rrjete sociale kanë qarkulluar edhe informacione të pavërteta ose të pakonfirmuara kundër Qeverisë së Ramës, disa prej të cilave janë përgënjeshtruar edhe nga organizata për kontrollimin e fakteve.
Gjatë konferencës, Rama përsëriti pretendimet se pas dhunës qëndrojnë aktorë politikë dhe të huaj, pa paraqitur prova publike për këto akuza.
Të hënën, në ditën e shtatë të protestave, policia ndërhyri më herët për të shpërndarë turmat dhe për të penguar grumbullimin e protestuesve. Gjykata e Apelit në Tiranë u godit me gurë, ndërsa në mbrëmje pati përplasje pranë Ministrisë së Brendshme.
Sipas autoriteteve, pesë persona u arrestuan pas incidentit në Gjykatën e Apelit dhe 15 të tjerë u shpallën në kërkim. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një 16-vjeçar.
Më 20 tetor, Policia e Shtetit tha se gjatë protestës të së hënës numri i përgjithshëm i të arrestuarve ishte 33, përfshirë edhe gjashtë të mitur të moshave 15 dhe 17 vjeç. Ndërkaq, janë proceduar penalisht 44 persona.
Ata dyshohet se gjatë protestës kanë hedhur gurë dhe sene të tjera të forta drejt policisë si dhe kanë ndezur koshat e mbeturinave dhe kanë dëmtuar sinjalistikën rrugore.
“Si pasojë e sulmit dhe dhunës nga ana e personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë tubimit të djeshëm, janë dëmtuar shtatë punonjës policie”, tha Policia e Shtetit.
Ndërkaq, në shtatë ditët e protestës, sipas Policisë shqiptare janë arrestuar 271 persona. Sipas autoriteteve, 51 prej tyre kishin të kaluar penale, përfshirë edhe vrasje.
Ndërkaq, deri të dielën, autoritetet kishin ngritur akuza penale ndaj 388 personave në lidhje me protestat. Ndërkohë, shtatë policë ishin pezulluar nga detyra në pritje të hetimeve për dyshime për përdorim të tepruar të forcës.
Bashkimi Evropian dhe Ambasada amerikane në Tiranë kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, respektim të së drejtës për protestë paqësore dhe përdorim proporcional të forcës nga autoritetet.
| Radio Evropa e Lirë