Connect with us

Kosovë

Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 26 qershor në Bruksel

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, por pa dhënë detaje lidhur me agjendën e këtij takimi të  nivelit të lartë në kuadër të dialogut që do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiq u zhvillua më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim  konkret në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes dyja vendeve.

Pas sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të po këtij viti, diplomatët perëndimorë janë përpjekur disa herë të bindin Kurtin dhe Vuçiqin për vazhdimin e dialogut.

Kosovë

Ndërpritet seanca për shpërthimin në Ibër-Lepenc, mbrojtja kërkon përjashtimin e prokurorit

Published

on

Për shkak të kërkesës së mbrojtjes të të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare për rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, raporton Betimi për Drejtësi.

Avokati i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Nebojsha Vllaiq tha se nuk ka vërejtje për trupin gjykues, por kërkoi që prokurori Kodraliu të përjashtohet nga lënda.

Çfarë thanë avokatët mbrojtës?

Sipas tij, klienti i tij u arrestua më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm gjashtë ditë pas kësaj, ka parashtruar kërkesë për mbledhjen e provave. Sipas Vllaiqit, kjo kërkesë iu dorëzua prokurorisë së shtetit dhe gjykatës dhe provat iu dorëzuan të dyja palëve.

Vllaiq tha se atëbotë prokuror në këtë rast ishte Halim Borovci, ndërkaq tani është Bekim Kodraliu, duke pretenduar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga provat që ai i ka propozuar.

“Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte që të bisedohet më së paku me katër persona, që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Të vërtetohet nga cilat antena telefonike në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjale. Kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe janë shfaqur në mënyrë shumë selektive. Nuk është treguar koha- që është shumë e rëndësishme”, tha Vllaiq, sipas Betimit për Drejtësi.

Mbrojtësi pretendoi se Kodraliu ka shkelur dispozitën e nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se është i obliguar që me kujdes t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo dëm të të pandehurit.

Vllaiq pretendoi se provat janë humbur përgjithmonë sepse askush nuk është i obliguar që t’i ruajë incizimet për një vit, nëse nuk ka një urdhër për një gjë të tillë. Nisur nga kjo, sipas tij, është shkelur neni i Kodit të Procedurës Penale sa i përket një procesi të drejtë dhe mbrojtje të drejtë.

Të gjitha këto shkelje të pretenduara, sipas Vllaiqit, nxisin dyshime për“paanshmëri të Kodraliut, duke e akuzuar atë për veprime të njëanshme.

Kërkesën për përjashtimin e Kodraliut, Vllaiq tha se e ka dërguar edhe te kryeprokurori i shtetit.

Ndërkaq, avokati i Dradisha Viqentijeviq, Millosh Delleviq, iu bashkëngjit kësaj kërkese.

Ai tha se ka parashtruar kërkesë te prokurori që të dëgjohen katër dëshmitarë, të mblidhen video-incizimet e kamerave nga dy objekte në Zubin Potok, të cilat pamje janë një orë para dhe një pas shpërthimit.

Por, sipas Delleviq, deri sot prokurori nuk ka vepruar sipas kërkesës së tij, duke konsideruar kështu se është dëmtuar e drejta e tij për mbrojtje.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviq, Jelena Krivokaqiq kërkoi që seanca të ndërpritet.

Kodraliu: Sulmi cenoi direkt sigurinë kombëtare

Prokurori special, Bekim Kodraliu, u shpreh se ndoshta mbrojtjes nuk i pëlqen hetimi që ka zhvilluar, por theksoi se sulmi ka qenë i përgatitur në mënyrë profesionale dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur.

Sipas tij, provat që i ka propozuar mbrojtja i ka analizuar dhe janë dëgjuar edhe sot. Kodraliu u shpreh se komunikimet telefonike të të akuzuarit Jovan kanë qenë përmes sistemit telefonik të Serbisë dhe se u janë drejtuar autoriteteve serbe dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar.

Por, Kodraliu theksoi se përkundër kësaj, nuk kanë pranuar përgjigje nga ata.

“Ka qenë sulm që ka cenuar direkt sigurinë kombëtare dhe në atë fazë s’kemi mund të vlerësojmë se kush është dëshmitar, kush është i dyshuar në këtë rast penal. Hetimet i kemi zhvillu me partnerë ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Kodraliu tha se prokuroria ka vlerësuar se në këtë fazë, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk paraqesin relevancë që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.

“Kolegu Vllajiq ka qenë edhe ish-prokuror në sistemin jugosllav dhe është njoftuar cilat janë bazat ligjore për përjashtimin e prokurorit. Më konkretisht neni 43 i KPP-së, i parasheh pesë arsye të cilat mund dhe është e obligueshme të përjashtohet prokurori”, u shpreh ai.

Kodraliu tha se është në dorën e gjyqtarit të vendosë për ndërprerjen e seancës dhe më pas gjykatësi Vesel Ismaili vendoi që seanca të ndërpritet, pasi theksoi se janë të obliguar të ndërpresin çdo veprim procedural derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të japë përgjigje.

Në seancën fillestare, që u ndërpre, të pranishëm ishin vëllezërit Viqentijeviq, ndërkaq Dimoviq po mbrohet në liri.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit për veprat penale: “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerje e aktit terrorist”, “armëmbajtje pa leje” dhe “spiunazh”.

Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq janë arrestuar pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe, që nga ajo kohë, ndodhen në paraburgim.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq, së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv brenda kanalit”.

Ata, sipas aktakuzës, aktivizuan mjetin shpërthyes përmes një çante që e kishin lidhur me litar për një shtyllë betoni, çka bëri që të dëmtohej rëndë struktura prej betoni e kanalit Ibër–Lepenc, të ndërpritej furnizimi me ujë të pijshëm, të rrezikohej prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa ndërmarrjes Ibër–Lepenc t’i shkaktohej dëm në vlerë prej gati 400 mijë eurosh.

Prokuroria Speciale Jovan Viqentijeviqin e akuzon gjithashtu për spiunazh, pasi, siç thuhet, deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim të përdorimit të tyre gjatë aktiviteteve të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

Në hetimin e këtij rasti, Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe amerikanë, ndërsa janë sekuestruar edhe armë dhe eksploziv.

Diplomatë amerikanë kanë deklaruar më herët se në hetim kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt edhe agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 10 dhjetor se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më herët se ka disa njohuri se kush mund të jetë kryerësi, pa dhënë më shumë detaje.

Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim në zhvillimin e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe ka deklaruar se “në të njëjtin sekondë” do të ndalohet dhe arrestohet kushdo nëse rezulton se përgjegjës është një person i etnisë serbe që ndodhet në territorin e Serbisë.

Kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë pas shpërthimit se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.

Megjithatë, deri më tani, nuk dihet nëse organet e drejtësisë në Serbi kanë nisur ndonjë hetim.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Bahamas e njeh Kosovën

Published

on

Bahamas, shteti ishull në Karaibe, e ka njohur pavarësinë e Kosovës, njoftoi presidentja Vjosa Osmani.

Kështu Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran.

Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamas u arrit në kryeqytetin Nasau. Marrëveshja u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Bahama, Philip Davis.

“Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, ka shkruar presidentja Osmani.

#

Continue Reading

Kosovë

Justina Shiroka Pula bëhet gruaja e parë në krye të ASHAK-ut

Published

on

Akademikja Justina Shiroka Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion të themeluar më 1975 dhe pason në këtë detyrë akademik, Mehmet Krajën.

Gjatë mbledhjes më 19 dhjetor, ASHAK zgjodhi edhe kryesinë e saj, ku Fejzullah Krasniqi u zgjodh nënkryetar, ndërkaq Bardh Rugova sekretar shkencor.

Mandati i kryetarit të ASHAK-ut është katërvjeçar, me mundësi rizgjedhje.

Kush është Justina Shikora Pula?

Udhëheqësja e re e ASHAK-ut ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë. Po ashtu, më 1976 ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Ndërkaq, studimet pasuniversitare, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonimike të Zagrebit.

Ajo u doktorua në UP me tezën e doktoratës me titull: “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Kryetarja e re e Akademisë së Shkencave ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës dhe më 1978 ka nisur karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.

Sipas biografisë të publikuar në faqen e ASHAK-ut, Shiroka Pula ka marrë pjesë edhe në studime të posdoktoratës, në Universitetin e Lincit në Aushtri, në atë të Arizonës në SHBA si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme të botës.

Pas luftës, ajo është angazhuar në shoqërinë civile, në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore dhe zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Nga viti 2008 deri më 2011 ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending