Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstitutive të Kuvendit.
Kjo kërkesë për opinion të Kushtetueses, e paraqitur nga deputetë e AAK-së, u mbështet edhe nga deputetë të PDK-së dhe LDK-së, deklaroi deputetja Time Kadrijaj.
“E kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Kërkuam nga Gjykata Kushtetuese që kjo të trajtohet me prioritet, ndoshta edhe me një pezullim të përkohshëm, me një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa Gjykata me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”, tha mes tjerash Kadrijaj.
Kërkimi i një opinioni nga Gjykata Kushtetuese, për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, ishte i domosdoshëm, pasi sipas tij, dëmet nga bllokada që po i bëhet konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për vendin dhe shoqërinë.
“Në një situatë të tillë pa rrugëdalje, e vetmja derë na ka mbetur Gjykata Kushtetuese.
Prandaj sot, Grupi ynë Parlamentar me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK dhe të PDK, i është drejtuar asaj për të saktësuar shkeljet kushtetuese në këtë proces dhe për të na dhënë zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç.
Natyrisht deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpresojmë të jetë i shpejtë, kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë produkt!”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Disa nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit – ose së paku një prej tyre – dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit.
Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Por, nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk ka ende ndonjë reagim.
Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.
Radio Evropa e Lirë, bazuar në pamjet nga rrjetet sociale, arriti t’i identifikonte së paku 11 persona të mbledhur në disa grupe, anëtarët e të cilëve ishin të veshur me këmisha të njëjta ngjyrë jeshile. Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë.
Dy protesta me qëllime të kundërta
Më 28 qershor, në Beograd u mbajt një protestë e organizuar nga studentët në bllokadë.
Sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike, rreth 140.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sllavija, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe largimin e të ashtuquajturit “Qacillend”.
Fjala është për një kamp me tenda, që u ngrit para tre muajsh në Parkun e Pionierëve, rreth një kilometër larg Sheshit Sllavija.
Në anën tjetër të këtij parku gjendet Presidenca e Serbisë.
Në kamp janë vendosur disa studentë që “duan të mësojnë” dhe që kërkojnë rihapjen e fakulteteve, të bllokuara tash e shtatë muaj nga studentët protestues.
Bllokada e tyre nisi pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku për pasojë 16 persona humbën jetën.
Grupit në Parkun e Pionierëve iu bashkuan edhe disa ish-anëtarë të “Beretave të Kuqe” – një formacion i shpërbërë për shkak të lidhjeve me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003.
Me kalimin e kohës, zona u rrethua me gardhe metalike dhe u vendos nën mbrojtjen e policisë.
Ndërsa turma bllokonte Sheshin Sllavija dhe rrugët që çonin atje, mbështetësit e pushtetit në Parkun e Pionierëve organizuan një “mbrëmje letrare”.
Atyre iu bashkuan edhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit, përfshirë edhe vetë Vuçiqin në një moment.
Mes tyre ishte edhe Dragosllav Bokan, ish-udhëheqës i grupit paramilitar “Beli orlovi”, dhe Goran Radosavleviq Guri, ish-gjeneral i policisë, i cili është i lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi – dy shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova – në vitin 1999.
Por, ata nuk ishin të vetmit.
Të rinjtë me këmisha jeshile
Ndërsa politikani opozitar serb, Gjorgje Miketiq, ndau në rrjetin social X një fotografi me tre burra dhe pyeti nëse ishin persona nga Banjska, disa media në gjuhën shqipe raportuan se në grupet në Parkun e Pionierëve ishin edhe katër persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Aktakuza u ngrit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku u vra oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Grupin, sipas vetë pranimit të tij, e udhëhoqi Millan Radoiçiq, i cili më parë njihej si biznesmen nga Kosova.
Radoiçiq dhe disa anëtarë të grupit që kreu sulmin, pas përleshjeve të armatosura, u tërhoqën në territorin e Serbisë.
Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin, nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Ai është në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, për të cilat Radio Evropa e Lirë konstatoi se janë bërë më 28 qershor pranë Parkut të Pionierëve.
Vuçetiq, përndryshe, ka një profil të hapur në Facebook, ku shpesh poston fotografi me familjen, nga palestra apo kafeneja.
Në rrjetet e tij sociale, ai shihet me të njëjtën këmishë jeshile. Por në vitin 2010, për shembull, ai dukej edhe me një xhaketë me simbole të Obraz-it – një organizatë ultra-djathtiste që Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi në vitin 2012, për shkak të, siç u tha, diskriminimit ndaj pakicave dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes.
Shtatë vjet më herët, Ministria e Brendshme e Serbisë e etiketoi Obraz-in si organizatë klero-fashiste.
Vuçetiq dhe numri më i madh i të akuzuarve të tjerë janë në arrati dhe për ta është lëshuar një urdhër arrestimi nga ana e Interpol-it.
Heshtje në Serbi, ndërsa Kurti akuzon
Për pretendimet se në grup gjendeshin edhe tre persona të tjerë të kërkuar, Millorad Jevtiq Miqko, Zharko Cvetkoviq dhe Vukashin Jarediq, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente dëshmi të pavarura bazuar në mjetet forenzike.
REL-i pyeti Ministrinë e Brendshme të Serbisë nëse i ka identifikuar personat që gjendeshin pranë brigadës së policisë, si dhe çfarë masash ka marrë lidhur me urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për Vuçetiqin dhe të tjerët – të lëshuar nga Interpol-i në dhjetor të vitit 2023, me kërkesë të Kosovës. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti më 30 qershor se personat e akuzuar për sulmin në Banjskë, duhet të ekstradohen në Kosovë. “Tani, të njëjtët njerëz janë më afër presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiq] sesa sigurimi i tij. Kjo tregon se kishim të drejtë kur thamë se ky grup kriminal dhe terrorist udhëhiqet dhe financohet nga Beogradi dhe se nuk është një grup huliganësh. Këta janë njerëz që janë trajnuar në Serbi, kanë marrë urdhra nga atje dhe kanë kryer agresion ndaj Kosovës”, u tha Kurti gazetarëve.
Çfarë thotë aktakuza?
Nga 45 të akuzuarit, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë në paraburgim në Kosovë dhe gjykimi i tyre është duke vazhduar.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.
Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.
Thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.
Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.
Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike.
Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator, 2023, kur ndodhi sulmi në Banjskë, Radoiçiq siguroi të ardhura në mënyrë indirekte, shumica e të cilave u përdorën për armë të rënda, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesë të pjesëmarrësve në grup.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka publikuar rezultatet e provimit të maturës për këtë vit, ndërsa ka njoftuar se kalueshmëria ka qenë 68.6 %.
Nga 18 mijë e 800 maturantë sa kanë aplikuar, testit iu nënshtruan 18 mijë e 130, ndërsa 12 mijë e 316 prej tyre e kanë kaluar testin.
MASHTI ka njoftuar se përmes platformës eKosova e kanë pranuar rezultatin preliminar 18 mijë e 16 maturantë.
“Nxënësit e pa kënaqur me rezultat mund të parashtrojnë ankesë nga data 1 deri më 3 korrik, ndërsa certifikatën mund ta shkarkojnë nga platforma eKosova nga data 3 deri më 7 korrik”, thuhet në njoftimin nga MASHTI.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në takime në ditët në vijim, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata dhe nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e publikuar më 26 qershor, obligoi deputetët që brenda 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.