Jeton dhe Nexhat Vllasaliu janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen Bedri Rexhepit.
Gjatë shpalljes së dënimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi, tha se të pandehurit u gjetën fajtorë për veprat penale vrasje e rëndë dhe dëmtim i varrezave apo kufomave.
Dy vëllezërit Vllasaliu akuzohen se kanë vrarë në bashkëkryerje e më pas e kanë zhdukur trupin e Rexhepit derisa motivi i kësaj vrasje është cilësuar të jetë përfitimi pasuror në vlerë prej 30 mijë euro.
Sipas aktakuzës, më 08.04.2021, Jeton Vllasaliu e dërgon Bedri Rexhepin në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit të dytë Nexhat Vllasaliu.
Me të mbërritur në shtëpi, Jeton Vllasaliu e vret në mënyrë tinëzare Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave për blerjen e dy veturave për të cilat ishin pajtuar më herët.
Sipas aktakuzës, tek viktima ishin gjetur 8 mijë euro. Më pas, të pandehurit kishin varrosur viktimën në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali të Novobërdës, ku pas rreth 17 muajve, më 30 shtator 2022, prokuroria gjen mbetjet mortore të Rexhepit.
Vetura e të ndjerit ishte gjetur disa ditë pas vrasjes në arat e fshatit Shushicë të Janjevës, ku e kishte dërguar Jeton Vllasaliu. Nga aty, Jetonin e merr me veturë personale i pandehuri Nexhati, i cili për të gjitha këto veprime është gjetur fajtor pasi kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.