Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të të konstituojnë përbërjen e re parlamentare edhe në tentimin e 34-të radhazi.
Sot ishte hera e 26-të që PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit.
Në sallë ishin 102 deputetë nga të cilët, 51 votuan pro formimit të këtij komisioni, ndërsa një ishte kundër.
Seanca e radhës do të mbahet të shtunën në ora 10:00.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se e ka tërhequr një kërkesë drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.
Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban.
Osmani tha se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.
“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, tha ajo.
Osmani tha se, sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.
Osmani tha se nuk mund të tregojë hollësi për rrezikun që përbën për sigurinë kombëtare të Kosovës gjyqtari Llaban, duke shtuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.
“Për momentin nuk mund t’i ndajmë. Ndoshta më vonë. Janë dokumente të klasifikuara që nuk mund të ndahen me publikun tani”, tha ajo.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha për Radion Evropa e Lirë se, duke e parë integritetin e kontestuar në publik të gjyqtarit Llaban, “është e pakuptimtë” se si kryetari i Gjykatës Kushtetuese e ka caktuar atë si raportues në një ndër rastet më të rëndësishme që lidhen me konstituimin e Kuvendit.
Ai tha se IKD-ja e kishte kontestuar përmes reagimit publik procesin e emërimit të Llabanit në pozitën e gjyqtarit të Gjykatën Kushtetuese më 2018.
“Në atë kohë IKD në reagim kishte kontestuar integritetin e z. Llaban, duke pas parasysh procesin gjyqësor ndaj të njëjtit. Për më tepër IKD kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës dhe presidenti i republikës që të kishin parasysh integritetin dhe kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e emërimit të të njëjtit”, tha ai.
Megjithatë, Miftaraj tha se presidentja nuk është dashur të merrej me këtë çështje publikisht, pasi kështu “e rrezikon pavarësinë” e Gjykatës Kushtetuese.
“Për më tepër, forma dhe mënyra që presidentja Osmani ka zgjedhur për ta trajtuar ketë çështje përmes adresimit publik, është mënyra më e gabuar dhe e rrezikshme lidhur me pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.
Osmani theksoi se, pas tërheqjes së kërkesës së saj, ka gjasa që “shumë gjëra të mbesin të paqarta, duke shtuar se dëshiron t’i nxisë deputetët e Kuvendit të Kosovës t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive, “me shpresën që Llaban të mos caktohet në lëndën e tyre”.
Në aktgjykimin e saj, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të një shpërfilljeje të tillë.
Kërkesa e Osmanit ishte bërë pasi vendi është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Deputetët kanë dështuar në 54 përpjekje që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri, hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re.
Në fund të muajit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që deputetët të mos marrin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht, sa i përket konstituimit të Kuvendit, derisa po shqyrton dy lëndë.
Kushtetuesja po i shqyrton si lëndë të përbashkët edhe kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kanë kërkuar sqarime për çështjet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj zyrtarit serb, Igor Popoviq.
Ndihmësi i drejtorit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, akuzohet për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, tha Prokuroria Speciale përmes një njoftimit.
Prokuroria tha se Popoviq, me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Rahovec më 18 korrik.
Ai, tha Prokuroria, gjatë fjalimit, ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “’Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste’, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: ‘Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe..’”, u tha në njoftim.
Pas fjalimit në Hoçë të Madhe, Popoviq ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në pikëkalimin kufitar në Bërnjak – që lidh Kosovën me Serbinë – dhe ishte dërguar në mbajtje policore për 48-orë.
Më pas, më 20 korrik Gjykata Themelore në Prishtinë i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji. Avokati i Popoviqit iu drejtua Apelit, por edhe shkalla e dytë e la në fuqi masën e paraburgimit.
Zyrtarët në Serbi vazhdimisht e kanë dënuar arrestimin e Popoviqit, duke e cilësuar si një “vendim politik” dhe duke kërkuar lirimin e tij.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka paralajmëruar Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”. Kjo deklaratë është cilësuar si kërcënim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të reagojë.
UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. Gjatë konferencës, Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë.
Katër persona janë intervistuar lidhur me rastin e trupit të pajetë që u gjet i groposur në fshatin Baicë të LIpjanit.
Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se identiteti i viktimës ende nuk dihet.
Trupi i pajetë i viktimës është gjetur të hënën i varrosur në një arë.
“Fshati Baicë, Lipjan. 04.08.2025-12:05. Në një arë është gjetur i varrosur një trup i pajetë, mashkull rreth moshës 50-60 vjeçare, trupi i cili sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) është i freskët.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori kujdestar bashku me njësinë e zhvarrimit e kanë nxjerr trupit e pajetë. Momentalisht nuk dihet identiteti i tij. Në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarët”, thuhet në raportin e policisë.