Connect with us

Botë

Komisionarja Kos dhe udhëheqësit e Ballkanit takohen në Shkup për Planin e Rritjes

Published

on

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të zhvillojë bisedime në Shkup sot dhe nesër me udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e zbatimit të Planit evropian të Rritjes për këtë rajon, njoftoi Komisioni Evropian.

Udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe komisionarja Kos do të përqendrohen në reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes dhe të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në bllok, u tha në njoftim.

Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të para-financimit.

Takimi në Shkup po ashtu do të jetë mundësi për të diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit: mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Gjatë takimit dyditor, Komisioni Evropian do të propozojë një paketë të investimeve në vlerë prej 87.7 milionë eurosh nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), e cila pritet të tërheqë pothuajse gjysmë miliardi euro në investime private për projekte të energjisë së pastër në mbarë rajonin, u tha në njoftim.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron përfitime për shtetet e rajonit që po përgatiten për anëtarësim në BE dhe gjatë takimit, pjesëmarrësit do të rishikojnë përparimin dhe do të diskutojnë për hapat e mëtejmë.

KE-ja tha se qëllimi i Planit të Rritjes është të stimulojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor dhe të ndihmojë shtetet e rajonit që t’i bashkohen bllokut.

Plani i Rritjes parasheh mbështetje financiare prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë janë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha sikurse energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, do të ketë takim të ndarë me komisionaren Kos sot dhe të dy më pas do të kenë një adresim të përbashkët të martën. Të martën do të mbahen dy panele, e para do t’i kushtohet Planit të Rritjes dhe e dyta për mekanizma specifikë dhe mbështetje për zbatimin e planit.

\Radio Evropa e Lirë

Botë

Vdes ish-nënpresidenti amerikan, Dick Cheney

Published

on

Dick Cheney, forca shtytëse mbrapa pushtimit amerikan në Irak më 2003, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Ai është përshkruar nga historianët si njëri prej nënpresidentëve më të fuqishëm në historinë amerikane.

Familja e tij ka bërë të ditur të martën se ai ka vdekur më 3 nëntor nga komplikimet e pneumonisë dhe sëmundjet kardiake dhe vaskulare.

Cheney i Partisë Republikane – dikur edhe kongresist i Uajominut dhe Sekretar i Mbrojtjes – ka qenë figurë shumë e rëndësishme në Uashington kur George W. Bush, e ka zgjedhur të jetë kandidati me të cilin do të garonte për garën presidenciale të vitit 2000, të cilat e pati fituar.

Si nënpresident prej vitit 2001 deri më 2009, Cheney ka luftuar për zgjerim të kompetencave të presidentit, duke thënë se ato ishin tkurrur dukshëm prej skandalit Watergate, i cili pati rezultuar me largimin e ish-shefit të tij, Richard Nixon prej pushtetit.

Cheney i ka zgjeruar edhe kompetencat e zyrës së nënpresidentit, duke e bërë bashkë ekipin për siguri kombëtare, që shpesh ka shërbyer si qendra kryesore brenda një administrate.

Ai ka qenë mbështetës i madh i pushtimit të Irakut më 2003 dhe ka qenë në mesin e zyrtarëve të administratës së Bushit që ka paralajmëruar për rrezikun nga rezervat e dyshuara të armëve të shkatërrimit në masë të Irakut. Si përfundim, armë të tilla nuk u gjetën asnjëherë.

Cheney ka pasur probleme me zemrën në pjesën më të madhe të jetës, meqë me sulmet e para ishte përballur në moshën 37-vjeçare. Ai i ishte nënshtruar transplantit të zemrës më 2012.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Ish-presidenti francez Sarkozy nis dënimin me burgim

Published

on

Nicolas Sarkozy është kthyer në ish-presidentin e parë të Francës që përfundon në burg.

Dënimi i tij me burgim pesëvjeçar ka nisur të martën, pasi është shpallur fajtor se ka komplotuar për të financuar fushatën e tij zgjedhore me paratë e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.

Hera e fundit që i ka ndodhur diçka e ngjashme Francës ka qenë viti 1945, kur ishte burgosur lideri kolaboracionist nazist Philippe Petain me akuzat për tradhti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sarkozy, i cili ka qenë president në periudhën 2007-2012, do të qëndrojë në burgun La Sante në një qeli prej 9 metrash katrorë.

Më shumë se 100 persona janë parë duke qëndruar para burgut, pasi djali i tij, Louis, 28-vjeçar, u ka bërë thirrje mbështetësve që të tregojnë përkrahje.

Sarkozy është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

Ndonëse ai ka thënë se nuk dëshiron trajtim special në burgun La Sante, autoritetet e kanë ndarë atë në një qeli të veçantë për çështje të sigurisë.

Brenda qelisë, ish-presidenti do të ketë banjon, zonën për dush dhe një televizor të vogël. Përgjatë ditës, atij do t’i lejohen ushtrime brenda një ore në ambiente të jashtme.

“Nuk jam i frikësuar nga burgjet. Do ta mbaj kokën lart edhe në ambientet e burgut”, ka thënë ai në hyrje të ndërtesës së burgut.

Mes tjerash, ai ka thënë se do t’i marrë me vete dy libra, njërën për jetën e Krishtit dhe tjetrën për Kontin e Monte Kristos, e cila ka të bëjë me jetën e një burri të burgosur gabimisht, i cili arratiset për t’u hakmarrë ndaj prokurorëve të tij.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Sanae Takaichi, gruaja e parë kryeministre në Japoni

Published

on

Konservatorja e linjës së ashpër, Sanae Takaichi është zgjedhur gruaja e parë kryeministre e Japonisë, e cila pritet ta drejtojë shtetin kah e djathta.

Ish-ndihmëse e kryeministrit Shinzo Abe dhe admiruese e ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher, Takaichi i ka siguruar 237 vota në Dhomën e Ulët të Parlamentit, nga 465 sa janë gjithsej.

Fitorja e saj shënon një moment të rëndësishëm për vendin në të cilin kanë udhëhequr gjithmonë burrat.

Ajo pritet të ketë qasje më të ashpër në temat sikurse imigrimi dhe çështjet sociale.

Japonia është duke u përballur me rritje të çmimeve, situatë që e ka rritur zemërimin publik dhe e ka rritur mbështetjen për grupet e së djathtës.

Ndonëse ka fituar mjaftueshëm vota për pozitën e kryeministres, asaj do t’i duhet mbështetje më e madhe e partive opozitare për të udhëhequr në mënyrë efektive.

Takaichi pritet ta bëjë betimin në mbrëmjen e së martës.

Emërimi i saj ka ardhur pasi kryeministri në shkuarje Shigeru Ishiba ka dhënë dorëheqje një muaj më parë, duke e marrë përgjegjësinë për humbjen e partisë së tij në zgjedhje.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending