Disa nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit – ose së paku një prej tyre – dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit.
Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Por, nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk ka ende ndonjë reagim.
Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.
Radio Evropa e Lirë, bazuar në pamjet nga rrjetet sociale, arriti t’i identifikonte së paku 11 persona të mbledhur në disa grupe, anëtarët e të cilëve ishin të veshur me këmisha të njëjta ngjyrë jeshile. Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë.
Dy protesta me qëllime të kundërta
Më 28 qershor, në Beograd u mbajt një protestë e organizuar nga studentët në bllokadë.
Sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike, rreth 140.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sllavija, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe largimin e të ashtuquajturit “Qacillend”.
Fjala është për një kamp me tenda, që u ngrit para tre muajsh në Parkun e Pionierëve, rreth një kilometër larg Sheshit Sllavija.
Në anën tjetër të këtij parku gjendet Presidenca e Serbisë.
Në kamp janë vendosur disa studentë që “duan të mësojnë” dhe që kërkojnë rihapjen e fakulteteve, të bllokuara tash e shtatë muaj nga studentët protestues.
Bllokada e tyre nisi pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku për pasojë 16 persona humbën jetën.
Grupit në Parkun e Pionierëve iu bashkuan edhe disa ish-anëtarë të “Beretave të Kuqe” – një formacion i shpërbërë për shkak të lidhjeve me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003.
Me kalimin e kohës, zona u rrethua me gardhe metalike dhe u vendos nën mbrojtjen e policisë.
Ndërsa turma bllokonte Sheshin Sllavija dhe rrugët që çonin atje, mbështetësit e pushtetit në Parkun e Pionierëve organizuan një “mbrëmje letrare”.
Atyre iu bashkuan edhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit, përfshirë edhe vetë Vuçiqin në një moment.
Mes tyre ishte edhe Dragosllav Bokan, ish-udhëheqës i grupit paramilitar “Beli orlovi”, dhe Goran Radosavleviq Guri, ish-gjeneral i policisë, i cili është i lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi – dy shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova – në vitin 1999.
Por, ata nuk ishin të vetmit.
Të rinjtë me këmisha jeshile
Ndërsa politikani opozitar serb, Gjorgje Miketiq, ndau në rrjetin social X një fotografi me tre burra dhe pyeti nëse ishin persona nga Banjska, disa media në gjuhën shqipe raportuan se në grupet në Parkun e Pionierëve ishin edhe katër persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Aktakuza u ngrit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku u vra oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Grupin, sipas vetë pranimit të tij, e udhëhoqi Millan Radoiçiq, i cili më parë njihej si biznesmen nga Kosova.
Radoiçiq dhe disa anëtarë të grupit që kreu sulmin, pas përleshjeve të armatosura, u tërhoqën në territorin e Serbisë.
Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin, nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Ai është në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, për të cilat Radio Evropa e Lirë konstatoi se janë bërë më 28 qershor pranë Parkut të Pionierëve.
Vuçetiq, përndryshe, ka një profil të hapur në Facebook, ku shpesh poston fotografi me familjen, nga palestra apo kafeneja.
Në rrjetet e tij sociale, ai shihet me të njëjtën këmishë jeshile. Por në vitin 2010, për shembull, ai dukej edhe me një xhaketë me simbole të Obraz-it – një organizatë ultra-djathtiste që Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi në vitin 2012, për shkak të, siç u tha, diskriminimit ndaj pakicave dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes.
Shtatë vjet më herët, Ministria e Brendshme e Serbisë e etiketoi Obraz-in si organizatë klero-fashiste.
Vuçetiq dhe numri më i madh i të akuzuarve të tjerë janë në arrati dhe për ta është lëshuar një urdhër arrestimi nga ana e Interpol-it.
Heshtje në Serbi, ndërsa Kurti akuzon
Për pretendimet se në grup gjendeshin edhe tre persona të tjerë të kërkuar, Millorad Jevtiq Miqko, Zharko Cvetkoviq dhe Vukashin Jarediq, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente dëshmi të pavarura bazuar në mjetet forenzike.
REL-i pyeti Ministrinë e Brendshme të Serbisë nëse i ka identifikuar personat që gjendeshin pranë brigadës së policisë, si dhe çfarë masash ka marrë lidhur me urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për Vuçetiqin dhe të tjerët – të lëshuar nga Interpol-i në dhjetor të vitit 2023, me kërkesë të Kosovës. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti më 30 qershor se personat e akuzuar për sulmin në Banjskë, duhet të ekstradohen në Kosovë. “Tani, të njëjtët njerëz janë më afër presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiq] sesa sigurimi i tij. Kjo tregon se kishim të drejtë kur thamë se ky grup kriminal dhe terrorist udhëhiqet dhe financohet nga Beogradi dhe se nuk është një grup huliganësh. Këta janë njerëz që janë trajnuar në Serbi, kanë marrë urdhra nga atje dhe kanë kryer agresion ndaj Kosovës”, u tha Kurti gazetarëve.
Çfarë thotë aktakuza?
Nga 45 të akuzuarit, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë në paraburgim në Kosovë dhe gjykimi i tyre është duke vazhduar.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.
Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.
Thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.
Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.
Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike.
Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator, 2023, kur ndodhi sulmi në Banjskë, Radoiçiq siguroi të ardhura në mënyrë indirekte, shumica e të cilave u përdorën për armë të rënda, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesë të pjesëmarrësve në grup.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku, i cilësoi si “spekulime” raportimet se ai mund të jetë kandidat për president të vendit, duke theksuar se “s’ka gjasa që të vetëpropozohem” për këtë post.
Gjatë një prononcimi për gazetarë më 11 prill, Abdixhiku, partia e të cilit ka 15 vende në Kuvendin prej 120 anëtarësh, tha se me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të 6 prillit, nuk ka folur për mundësinë që ai të bëhet presidenti i shtatë i Kosovës.
“Nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra, kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam kthyer përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku.
Më 5 mars, LVV-ja paraqiti dy propozime për president: kryediplomatin Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.
Kreu i LDK-së tha se Kosovës i duhet një president që është unifikues, që është i mirë në politikën e jashtme, ia hap dyert Kosovës në tryezat ndërkombëtare, duke shtuar se “besoj që Vjosa Osmani ka qenë një kandidate e shkëlqyeshme”.
“Jo, s’ka gjasa që të vetëpropozohem sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra, duhet të flasim për parimet njëherë. Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë. Aq më pak për një pozitë kaq të rëndësishme shtetërore. Pra, flasim për interesa ndërpartiake. A ka mundësi që partitë të akomodohen brenda një marrëveshjeje shumë më të madhe? Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja. Por jo, kjo s’është politikë personale, ju lutem. Nuk kemi përmendur asnjë emër sepse nuk kemi ardhur në pozitën që presidenti duhet t’i takojë LDK-së ose jo”, tha Abdixhiku.
Ai konfirmoi se është takuar me kreun e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për të parë qëndrimet rreth çështjes së presidentit. Ndërkaq, paralajmëroi se javën e ardhshme ka gjasa të ketë takime të reja me Kurtin.
Figura të larta të LVV-së, përfshirë kryetaren e Kuvendit, njëherësh ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, kanë përsëritur qëndrimin se urojnë që deputetët të pajtohen dhe të zgjedhin presidentin, e vendi të mos shkojë në zgjedhje.
Edhe para seancës së 5 marsit, kur u propozuan dy emra për president nga LVV-ja, Kurti kishte mbajtur takime me udhëheqësit e LDK-së dhe PDK-së, por nuk arrit asnjë rezultat. Pasi dështoi seanca e 5 marsit, në mungesë të kuorumit, një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria. Më pas gjykata doli me aktgjykim, duke caktuar 28 prillin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri në këtë datë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.
Sistemi i ri i hyrje-daljeve (EES) i Bashkimit Evropian ka hyrë në fuqi zyrtarisht të premten. Ky sistem vlen për qytetarët që nuk janë shtetas të bllokut evropian.
EES-ja është sistem digjital që zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, kur hyjnë në zonën Shengen.
Ky sistem regjistron të dhëna biometrike – gjurmët e gishtërinjve dhe imazhin e fytyrës – si dhe të dhëna personale dhe të dhëna udhëtimi, me qëllim përmirësimin e sigurisë kufitare, zbulimin e atyre që tejkalojnë afatin e qëndrimit dhe parandalimin e vjedhjes së identitetit.
Sistemi EES do të zbatohet për qytetarët që mbajnë pasaporta biometrike, pavarësisht nëse u duhet vizë për të hyrë në BE apo jo.
Zbatimi i pjesshëm i këtij sistemi kishte filluar në tetor të vitit 2025.
Për zyrtarët e Komisionit Evropian, ky është sistemi më modern në botë që ka treguar tashmë rezultate konkrete.
“Me sistemin e hyrje-daljeve, ne po ndërtojmë sistemin kufitar më modern të IT-së në botë. Dhe tashmë po i shohim rezultatet në pesë muajt e fundit. Janë regjistruar më shumë se 45 milionë hyrje dhe dalje. Ka pasur më shumë se 24.000 refuzime hyrjeje, nga të cilat mbi 600 njerëz janë identifikuar si kërcënim për sigurinë e bllokut tonë. Pra, kjo tregon vërtet se po funksionon për qëllimin për të cilin u miratua fillimisht”, tha Arianna Podesta, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Megjithatë, disa shtete anëtare tashmë po përballen me probleme teknike.
Belgjika, përveç Francës dhe Holandës, për shembull, e kishte njoftuar tashmë Komisionin Evropian se sistemi nuk do të ishte plotësisht funksional në të gjitha pikat kufitare deri në afatin e caktuar ligjor, përkatësisht më 10 prill.
Këto vende janë përballur me radhë pasagjerësh në aeroporte në muajt e fundit, të cilat në disa raste kanë rezultuar në pritje prej disa orësh në pikat kufitare.
Zëdhënësja e Podestes konfirmoi se Komisioni Evropian ka qenë në kontakt me vendet që përballen me probleme, duke ndarë praktikat më të mira nga ato shtete anëtare ku sistemi po funksionon shumë mirë.
Zyrtarët kompetentë të Komisionit Evropian pohojnë se duhen mesatarisht 70 sekonda për të regjistruar një hyrje ose dalje.
Megjithatë, lejohet fleksibilitet për të siguruar rrjedhën e qetë të kufijve, veçanërisht duke pasur parasysh sezonin e verës kur pritet lëvizje e shtuar.
Ky fleksibilitet do të jetë i mundur vetëm gjatë muajve të pushimeve verore.
“Rregullat u lejojnë shteteve anëtare të pezullojnë regjistrimin e të dhënave biometrike, në një farë mënyre për të pezulluar pjesërisht funksionimin e EES, në rast të kohës së tepërt të pritjes. Kjo mundësi ekziston deri në shtator, duke mbuluar kështu periudhën e verës kur mund të pritet rritje e trafikut”, tha Podesta.
Sistemi EES shihet si një mënyrë për të siguruar sigurinë e kufijve të BE-së.
Udhëtarët që qëndrojnë më gjatë se afati i lejuar i qëndrimit të tyre në BE (90 ditë në një periudhë 180-ditore) konsiderohen se qëndrojnë jashtëligjshëm në Zonën Shengen dhe do t’iu nënshtrohen një procedure kthimi.
Sipas rregullores së Komisionit Evropian, vendimet për kthim në raste të caktuara do të shoqërohen me një ndalim hyrjeje (kur nuk është dhënë një periudhë për largim vullnetar ose kur detyrimi për t’u kthyer nuk është përmbushur), ndërsa në raste të tjera mund të vendoset edhe një ndalim hyrjeje.
Si ndalimet e hyrjes ashtu edhe vendimet e kthimit do të regjistrohen në sistemin EES.
Kohëzgjatja e ndalimit të hyrjes do të përcaktohet duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse të rastit individual dhe, si rregull, nuk do të kalojë pesë vjet.
Nëse personi ndaj të cilit zbatohet ndalimi përpiqet të kalojë përsëri kufirin Shengen, hyrja do t’i refuzohet në kufi dhe të dhënat e refuzimit do të regjistrohen në sistem.
Në raste të caktuara, parashikohet edhe mundësia e pavlefshmërisë së pasaportës pas përpjekjes për hyrje.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për një ish-pjesëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i arrestuar nën dyshime për krime lufte në Kaçanik.
A.D. u arrestua më 4 prill dhe sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai ishte pjesëtar i MPB-së serbe në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut në kohën kur dyshohet se ka kryer krime në mars të vitit 1999 në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Kaçanikut.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se “në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan”.
Prokuroria po ashtu ka thënë se ai dyshohet për rrahjen dhe torturimin “në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike” dhe shkaktimin e “lëndimeve të rënda trupore” të 13 civilëve gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor në Kaçanik.
Këta civilë ishin në mesin e 91 meshkuj që forcat serbe i kishin ndarë prej rreth 400 burrave, grave, pleqve e fëmijëve të grumbulluar për t’u dërguar në stacionin policor në Kaçanik, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Arrestimi i A.D. nxiti reagime nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, që tha se ai ishte një polic në pension nga një fshat i Prizrenit, duke e cilësuar arrestimin e tij si të motivuar “politikisht”.
Arrestimi i fundit vjen pak javë pasi Gjykata në Prishtinë shqiptoi dënim me burgim ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99.
Gjykata në Prishtinë i dënoi më 18 mars Zoran Kostiqit me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Milloviqin me 7 vjet burgim.
Së voni, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.
Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.