Mijëra qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, rajoni dhe diaspora morën pjesë në protestën e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta, kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë dhe në mbështetje të drejtuesve të UÇK-së, që po mbahen në paraburgim.
Hysni Gucati: Specialja po e deformon historinë e Kosovës
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në fjalimin e mbajtur në protestë ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka devijuar nga misioni i saj dhe po e deformon historinë, pasi, siç u shpreh, Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.
“Kjo nuk është drejtësi, kjo është luftë politike. Penalizimi i luftës së UÇK-së është i padrejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë dhe mbetet një nga luftërat më të pastra në historinë moderne. Kjo gjykatë, që nga fillimi, më shumë i ka shërbyer Serbisë. E vërteta nuk fshihet dot”, tha mes tjerash Gucati.
Ali Ahmeti: Serbia po bën gjithçka që përmes gjykatës në Hagë të zhbëjë shtetin e Kosovës
Folës në protestë ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Ali Ahmeti, që ka qenë pjesë e UÇK-së, në fjalimin e tij bëri thirrje liri për ish-krerët e UÇK-së, pasi tha se ata po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.
“Që nga viti 1994, kur filloi t’i komunikojë qëllimet e saj, UÇK i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Gjenevës. Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq. Lufta e saj ishte vetëm dhe vetëm çlirim. Lufta e saj nuk është kundër asnjë populli, asnjë etnie në Kosovë. Nuk është luftë tradhtare e as terroriste. UÇK me udhëheqësit e saj sollën ndryshime pozitive gjeostrategjike duke e sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan”, tha Ahmeti, duke kërkuar njëkohësisht nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës, mbi pretendimet e të cilës u krijua Gjykata Speciale.
“Shpifje monstruoze, idoteske se gjoja UÇK-ja ka bërë trafikim organesh, përpara së vërtetës dështuan të gjithë antishqiptarët që përgatitën një dosje të verdhë për të komprometuar historinë më të lavdishme të shqiptarëve: UÇK-në”, tha Ahmeti.
Nevenka Tromp: Drejtësia selektive rrezikon të jetë padrejtësi
Protestuesve u është drejtuar edhe Nevenka Tromp, ish-hetuese e Tribunalit të Hagës në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit.
Në fjalimin e saj, Tromp tha se gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi.
Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi tha se “besuan se do të ketë drejtësi”.
“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre…Ata luftuan dhe fituan”, tha Tromp.
Arbër Cacaj: Ata që bënë krimet në Kosovë po dëshmojnë kundër çlirimtarëve në Hagë
Protestuesve iu drejtua edhe Arbër Cacaj, djali i dëshmorit Nagip Cacaj .
Cacaj ka thënë se UÇK-ja nuk është dorëzuar para Serbisë dhe nuk do të dorëzohet as para Gjykatës Speciale.
“Në shtëpinë time e kam një varr të hapur, varrin e babait. Nuk është veç shtëpia ime, ka mbi 1 mijë e 600 varre të hapura. E kam ende pamundësinë për të vendosur një lule në varrin e babait, mbi 1 mijë e 400 fëmijë nuk e patën fatin të rriten të lirë. Nuk arritën ta gëzojnë këtë liri, ata mbetën fëmijë të vrarë e masakruar”, tha Cacaj duke shtuar se shumë nga ata që bënë krimet në Kosovë po dëshmojnë kundër çlirimtarëve në Hagë.
“Nëse babai im është kriminel, edhe unë jam kriminel. Urdhëroni ejani e mi lidhni duart. Kjo nuk është drejtësi, kjo është poshtërsi. “ tha Cacaj, duke përfunduar fjalën e tij me thirrjen “Liri për çlirimtarët”.
Që nga viti 2020, katër udhëheqës të lartë të UÇK-së janë në paraburgim nga gjykata, ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Parlamentit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata përballen me akuza që përfshijnë vrasje, torturë dhe persekutim të civilëve gjatë dhe pas luftës.
Gjykata Speciale u krijua kur në gusht në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës votoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara.
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë të mërkurën se, nëse do të vinte një emër për president të Kosovës nga familja e heroit të vendit, Adem Jashari, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.
Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhjesh të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.
Osmani nuk duket ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për t’u rizgjedhur, ndërsa deri tani nuk janë përmendur emra të tjerë të mundshëm për president, pavarësisht se afti po soset.
“Konsensus të partive politike, deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari”, tha ai për mediat më 25 shkurt, pas takimit me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
I pyetur se a ka vullnet nga familja Jashari për këtë çështje, Konjufca tha se nuk i takon të flasë në emër të tyre.
“Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj se kjo është. Ka qenë kryeministri aty”, tha ai.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.
Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.
Për çështjen e presidentit, Konjufca u pyet edhe gjatë një konference për media me homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali.
Ai i cilësoi si pozitive takimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka zhvilluar me krerët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e kreut të ri të shtetit.
Konjufca tha se hartuesit e Kushtetutës e kanë shkruar pjesën për zgjedhjen e presidentit me idenë që një shumicë e thjeshtë të mos ketë garancinë që ta zgjedhë vetë atë, por kjo të ndodhë në bashkëpunim me forcat politike.
Ai tha se shumica aktuale ka 66 vota në Kuvend dhe për arritjen e 80 votave të kërkuara për president duhet edhe mbështetja e partive opozitare.
Sipas tij, 80 vota nuk mund të arrihen nëse propozohet një “emër i njëanshëm”.
“Pra, konkludimi është që përmes një emri të përveçëm ne mos ta mbështesim për muri opozitën”, tha ai.
Vetë Kurti ka kërkuar një marrëveshje me PDK-në dhe LDK-në për presidentin, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.
Nga PDK-ja kanë thënë se nuk do të jenë pengesë e proceseve shtetërore, por nuk mbështetin kandidatura që nuk përfaqësojnë unitet qytetar, ndërkaq LDK-ja ka kërkuar ose marrëveshje politke ose konsensus për kreun e ri të shtetit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të udhëheqë dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Kështu bëri të ditur MPJD-ja, pas një takimi të udhëheqësit të kësaj ministrie, Glauk Konjufca, me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në Prishtinë.
“Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensenin se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, u tha në njoftim.
Konjufca, i cili njëherësh është zëvendëskryeministri i parë, tha se Kosova mbetet “e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Konjufca do të jetë bartës i këtij procesi, që ka nisur më 2011.
Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bisilimi.
Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.
Përgjatë vitesh të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.
Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, por BE-ja ka thënë se ajo ende nuk është zbatuar.
Ndonëse marrëveshja nuk është nënshkruar, sipas bllokut evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët.
Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.
Gjatë takimit të parë të “Bordit të Paqes” në Uashington, Gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffers, komandant i Forcës së sapoformuar Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) foli në detaje për organizimin e dhe veprimin e kësaj force ku mes tjerash bëri të ditur se Kosova bashkë me Shqipërinë, Indonezinë, Marokun dhe Kazakistanin janë pesë vendet e para që do të kontribuojnë me trupat e veta ushtarake në Gazë, ndërkaq Egjipti dhe Jordania do të trajnojnë policinë vendëse.
Ai tha se misioni i kësaj force synon të stabilizojë sigurinë e Gazës dhe të mundësojë qeverisjen civile nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese do të nisë me dislokimin në Rafah, në jug të Gazës, ku do të trajnojë policinë atje dhe më pas do të zgjerohet sektor pas sektori, tha Jeffers duke treguar se në planin afatgjatë do të dislokohen 20 mijë trupa ushtarake dhe do të trajnohen 12 mijë policë.
Në “Bordin e Paqes” të themeluar nga presidenti Donald Trump, në mesin e 27 vendeve anëtare janë edhe Kosova dhe Shqipëria si anëtare themeluese.