Connect with us

Botë

“Nuk presim asgjë”: Ukrainasit shprehen skeptikë para takimit Trump-Putin

Published

on

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, të takohen këtë javë në Alaskë për të negociuar dhënien fund të luftës në Ukrainë, të shumtë janë ata që presin pakt. Ukrainasit nuk janë në mesin e tyre.

Pas më shumë se tre vjetësh luftë dhe bisedimeve për paqe që përfundonin ende pa nisur mirë, më pas ultimatumeve të papërfillshme, dhe mijëra të vdekurve, Ukraina tenton t’iu bëjë ballë trupave ushtarake ruse.

Optimizmi se do të ketë përparim në bisedimet në Alaskë, më 15 gusht, është shumë i zbehtë në Ukrainë – të paktën deri më tani.

“Nuk ka shumë për të shpresuar për ndonjë zhvillim pozitiv”, ka thënë një burrë në Kiev për televizionin Current Time.

“Mendoj se është fazë e re në zinxhirin e afateve kohore. Frikësohem se situata do të zvarritet kështu deri në fund të mandatit të presidentit aktual amerikan”.

Përpara takimit, Uashingtoni duket se ka nisur t’i përgatisë Kievin dhe Moskën për kompromise të mëdha, në mënyrë që të përfundojë lufta, pasi nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka paralajmëruar se ka mundësi që të dyja palët do të mbesin të pakënaqura nga marrëveshja përfundimtare.

Rusia e ka injoruar vazhdimisht idenë e takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensly, duke thënë se diçka e tillë mund të ndodhë pasi palët të jenë gati për të nënshkruar marrëveshjen për paqe, dhe jo për një marrëveshje armëpushimi.

Por, ai moment duket shumë larg, për shkak të dallimeve të thella në qëndrime mes rusëve dhe ukrainasve në shumë aspekte, përfshirë territorin dhe sigurinë, pavarësisht tri rundeve të bisedimeve direkte në Turqi prej mesit të majit.

Putin e ka refuzuar propozimin e Zelenskyt për t’u takuar ballë për ballë, kur dy shtetet kanë zhvilluar rundin e parë të negociatave në Stamboll.

Ai ka thënë javën e kaluar se sërish e ka bindjen e njëjtë, dhe që nuk ka asgjë kundër takimit me Zelenskyn, por që fillimisht duhet të “krijohen disa kushte”, dhe që ato momentalisht janë “shumë larg”.

“Nuk pres asgjë nga takimi. Pres vetëm prej ushtrisë ukrainase”, ka thënë një grua në Kiev.

Bisedimet zhvillohen në një moment të rëndësishëm, pasi Trumpi duket se është shumë i zemëruar me Putinin. Presidenti rus, në anën tjetër, nuk duket se ka disponim që të heqë dorë prej synimeve fillestare.

Trump dhe Putin i kanë zhvilluar gjashtë biseda telefonike, ndërsa një zyrtar i lartë amerikan ka urdhëtuar në Moskë të paktën tri herë.

Vendimi për ta takuar Putinin ballë për ballë – diçka që paraardhësi i Trumpit, Joe Biden, e ka refuzuar me çdo kusht pas nisjes së luftës – reflekton bindjen e presidentit amerikan që marrëdhënia e tij me liderin rus do të rezultojë me marrëveshje për paqe të qëndrueshme.

Për Putinin, takimi me Trumpin – pa prezencën e Zelenskyt apo ndonjë zyrtari tjetër ukrainas – është fitore e vogël, dhe reflekton pozicionin e Putinit se Zelensky është lider jolegjitim dhe që marrëveshja për përfundim të luftës mund të arrihet vetëm me Shtetet e Bashkuara.

Udhëtimi në Shtetet e Bashkuara përbën një tjetër fitore për Putinin, ndaj të cilit ekziston fletarrestim i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

Vetëm vendet anëtare të gjykatës janë të obliguara që ta ndalojnë atë, ndërsa administrata Trump ka qasje armiqësore ndaj tribunalit të Hagës.

Megjithatë, një grua ukrainase i ka thënë televizionit Current Time se ndonëse nuk pret përparim si rezultat i takimit, ndoshta Trump do të mund ta shtyjë Putinin në rrugën e paqes.

“Nuk pres më asgjë”, ka thënë ajo. “Por, në fakt shpresoj për diçka, edhe miqtë e mi njëjtë, që Trumpi do të bëjë diçka”.

\ Radio Evropa e Lirë

Botë

Politikania nga Venezuela, Maria Corina Machado, fiton Nobelin për Paqe

Published

on

Politikania Maria Corina Machado është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025, ka bërë të ditur Komiteti Norvegjez i Nobelit.

Komiteti ka thënë se ajo është përzgjedhur për punën e saj të palodhshme në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjet e saj për tranzicion paqësor nga diktatura në demokraci.

“Kur autoritarët e marrin pushtetin, është jetike që të njihen mbrojtësit guximtarë të lirisë, të cilët ngrihen dhe rezistojnë”, është thënë në deklaratën e Komitetit.

Çmimi Nobel për Paqe, në vlerë të rreth 1.2 milion dollarëve, do të ndahet edhe zyrtarisht në një ceremoni të organizuar në Oslo më 10 dhjetor.

Ceremonia mbahet gjithmonë në datën e njëjtë, për të shënuar edhe përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez, Alfred Nobel, me dëshirën e tij të cilit janë krijuar çmimet më 1895.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Kryeministri i Francës Lecornu jep dorëheqje vetëm një muaj pasi u emërua

Published

on

Kryeministri i ri i Francës, Sebastien Lecornu, ka dhënë dorëheqje të hënën, vetëm 14 orë pasi e kishte emëruar kabinetin e tij të ri, pasi aleatët dhe kundërshtarët e kërcënuan se do ta rrëzonin Qeverinë e tij.

Dorëheqja e tij e shpejtë ishte e papritur dhe e pashembullt, duke e thelluar edhe më tej krizën politike në Francë.

Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, kërkoi menjëherë nga presidenti Emmanuel Macron të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pas konsultimeve disajavore me parti nga i gjithë spektri politik, Lecornu, i cili është aleat i ngushtë i Macronit, kishte emëruar ministrat e tij të dielën, dhe ata pritej të mbanin mbledhjen e parë të kabinetit të hënën pasdite.

Por, përbërja e re e kabinetit zemëroi si kundërshtarët, ashtu edhe aleatët, të cilët e konsideruan atë ose tepër të djathtë, ose pamjaftueshëm të tillë, duke ngritur pyetje se sa gjatë mund t’ia dalë ajo në një kohë kur Franca tashmë ndodhet në krizë të thellë politike, me një Parlament ku asnjë grup nuk ka shumicë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Mbyllja e qeverisë afekton edhe ambasadën amerikane në Kosovë

Published

on

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka njoftuar se për shkak të ndërprerjes së përkohshme të financimeve në nivel federal në SHBA, komunikimet e rregullta në rrjetet sociale nuk do të përditësohen derisa të rifillojnë plotësisht operacionet.

Përjashtim do të bëjnë vetëm rastet urgjente që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Ambasada njoftoi se shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për në ShBA, ambasadat dhe konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë “sipas mundësive”.

Qytetarët udhëzohen që për informacione të mëtejshme mbi shërbimet të vizitojnë faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit: travel.state.gov.

“Në këtë kohë, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave në Shtetet e Bashkuara dhe në Ambasadat dhe Konsullatat e SHBA-së jashtë vendit do të vazhdojnë gjatë mungesës së fondeve të alokuara, sipas situatës. Ne nuk do ta përditësojmë këtë llogari derisa të rifillojnë operacionet e plota, me përjashtim të informacionit urgjent të sigurisë. Për informacion mbi shërbimet tona dhe statusin e funksionimit, vizitoni travel.state.gov”, thuhet në njoftim.

#

Continue Reading

Trending