Connect with us

Kosovë

Osmani do t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese komente për çështjen e konstituimit të Kuvendit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën gjykatës më të lartë të vendit komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, konfirmoi të hënën për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata e vendosi këtë masë – që do të jetë në fuqi nga 5 deri më 30 shtator – në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kupina nuk dha hollësi lidhur me përmbajtjen e komenteve që presidentja do t’ia dërgojë nesër Gjykatës Kushtetuese.

Por, ai shtoi se “qëndrimi i presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet të ketë të drejtën të bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet nenin në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për të respektuar ligjet të Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.

Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.

Ankesa e Listës Serbe – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.

Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Bashka e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë.

Në fillim të këtij muaji, Presidenca tha se ekipi ligjor i presidentes po e bënte një analizë lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, ndërsa Osmani tha ditë më parë se në lidhje me konstituimin e institucioneve të vendit, do të vepronte “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.

Njohësi i çështjeve ligjore dhe kushtetuese, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme si një veprim të drejtë dhe të domosdoshëm.

“Për të mos lejuar që të ketë veprime të mëtutjeshme procedurale nga aktorët përkatës – rrjedhimisht nga deputetët e Kuvendit dhe nga presidentja e shtetit”, thotë Bugaqku për REL më 5 shtator.

Vendimi i Kushtetueses u kritikua si i “njëanshëm” nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, shkroi LVV në një reagim në Facebook.

Dy ditë pas vendimit të gjykatës, Vetëvendosje e propozoi përsëri Kurtin për kryeministër të vendit.

Kurti është zgjedhur me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur të dielën.

Në fjalimin e tij, Kurti e kritikoi Gjykatën Kushtetuese për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit.

Kurti e ka quajtur të paarsyeshme masën e marrë nga Kushtetuesja.

“Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”, tha Kurti të dielën.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Hamza pranon të takohet me Kurtin, Gjini e refuzon ftesën

Published

on

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se e ka pranuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim, duke propozuar që të takohen të premten në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Por, ftesën e dërguar nga Kurti e ka refuzuar Aleanca.

Kurti, që është udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, më herët gjatë ditës u dërgoi ftesë për takim kreut të PDK-së, Bedri Hamza, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës, Ardian Gjini.

Letra dërguar krerëve partiakë vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit.

Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Hamza tha se Kurti në letrën e tij kishte propozuar që takimi të mbaj sot në orën 17:00 apo nesër në ora 8:00, në ora 9:00, ose ora 18:00.

“Unë ja ktheva shkresën që PDK është e gatshme të takohet nesër në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit”, tha Hamza.

Ai tha se vendi po përballet me vakum institucional dhe të gjithë duket të sillen në mënyrë të përgjegjshme.

“Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat, e kam thënë dhe po e përsëris, janë tepër të rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së t’i ketë një numër të caktuar të ministrive, ta ketë një kryetar të Kuvendit apo presidentin apo çfarëdo qoftë”, tha Hamza.

Ndërkaq, udhëheqësi i Aleancës Ardian Gjini, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se e ka refuzuar ftesën për takim me Kurtin, duke përmendur se ai veçse ka shprehur qëndrimin e partisë më 26 qershor, kur i shpalosi gjashtë kushtet e partisë në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve.

“Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në shkresën që Gjini i ka dërguar Kurtit.

Përveç PDK-së, edhe LDK-ja e Abdixhikut po mban mbledhjen e kryesisë të enjten. Nga kjo parti ende nuk kanë dalë me një qëndrimin lidhur me letrën e Kurtit.

Ajo që pritet pas certifikimit të rezultatit është konstituimi i Kuvendit, votimi i Qeverisë dhe presidentit të ri të Kosovës. Për këtë të fundit, vendi shkoi në zgjedhje, pasi muaj më parë partitë dështuan të arrinin konsensus rreth kandidatit.

Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.

Meqë LVV-ja duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk pritet që këto dy procese të hasin në pengesa, pasi për të dyja këto kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. Për këto dy procese, Kurti llogarit në votat e partive pakicë joserbe – që kanë dhjetë mandate.

Megjithatë, ende nuk ekziston një marrëveshje apo konsensus rreth emrit të presidentit.

Cilat janë qëndrimet e partive?

Zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë se partia në pushtet i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.

PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë paraqitur disa kushte për bashkëpunim të mundshëm me LVV-në e Kurtit.

Hamza ka thënë se e para se të flitet për bashkëpunim të mundshëm qeverisës janë një sërë temash, sikurse pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të duhen të trajtohen me partinë fituese.

Abdixhiku, ndërkaq, ka thënë se orientimi strategjik i Kosovës, përfshirë gazi amerikan, “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.

Ndërkaq, Gjini ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve të reja. Ndër kushtet e Aleancës janë që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.

Qeveria në detyrë e Kurtit po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të bëhet pjesë e nismave rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Më 8 korrik, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati përsëriti thirrjen që Kosova të furnizohet me LNG-në amerikane “për të siguruar investime amerikane në të ardhmen”.

Megjithatë, deri më tani, nga ekzekutivi nuk kanë dhënë sinjale se janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtyre nismave, teksa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Kurti kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.

Për presidentin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvendin që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.

Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.

Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Raportohen 56 aksidente trafiku në 24 orët e fundit

Published

on

Në 24 orët e fundit, në vendin tonë janë regjistruar 56 aksidente trafiku. Prej tyre, 25 kanë përfunduar me të lënduar derisa 31 aksidente ishin vetëm me dëme materiale, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në njoftim gjithashtu janë publikuar edhe statistikat për gjobat e shqiptuara në trafik, ku  për 24 orë janë shqiptuar 2 mijë e 391 sish.

Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 27 persona prej të cilëve 7 janë dërguar në mbajtje dhe 2 të tjerë janë dërguar në vuajtje të dënimit.

Continue Reading

Ferizaj

Shkaku i asfaltimit bllokohet qarkullimi në rrugën Brezovicë – Prevallë

Published

on

Për shkak të punimeve në rrugën R115, segmenti rrugor Brezovicë – Prevallë,  mbyllur për qarkullim nga ora 08:00 deri në ora 18:00 të ditës së sotme (9 korrik 2026).  

Në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës bëhet e ditur se gjatë kësaj kohe është planifikuar asfaltimi i një segmenti rrugor në gjatësi prej 1,050 m.

“Mbyllja e përkohshme e këtij segmenti është e domosdoshme për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik dhe të personelit të angazhuar në punime, si dhe për të siguruar realizimin cilësor të shtresës së asfaltit”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndërkaq policia, kërkon nga qytetarët mirëkuptim dhe kërkon që të shmangin lëvizjen në këtë rrugë në kohën e lartcekur duke shfrytëzuar rrugët alternative.

Continue Reading

Trending