Connect with us

Kosovë

Nisma për ndryshimin e ligjit të Speciales është dërguar për mendim në Qeveri

Published

on

Nisma për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës, u bë e ditur pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit të legjislaturës së 11-të.

Lidhur me aktgjykimin dënues të 16 shtatorit ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Kryesia është pajtuar që të hënën e 28 shtatorit të dalë me një deklaratë të përbashkët.

Më 21 shtator, Partia Demokratike e Kosovës – forca e dytë politike e dalë nga zgjedhjet e qershorit – dorëzoi në Kuvend projektligjin.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen nga Gjykata në Hagë të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Sipas Arian Tahirit nga PDK-ja, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar që të angazhohet që nisma të trajtohet me shpejtësi nga ekzekutivi.

“[Kryetarja e Kuvendit, Albulena] Haxhiu u zotua se personalisht ajo do të angazhohet dhe do të komunikojë me Kurtin që të trajtohet me urgjencën e nevojshme”, tha ai pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit.

Haxhiu, ndërkaq, sqaroi se Qeveria ka kohë 30 ditë për ta shqyrtuar nismën, por u zotua se do ta adresojë sërish çështjen, që ekzekutivi ta trajtojë me prioritet, duke shtuar se “tani i kemi ditët e numëruara” pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo ju referua 6 tetorit – datës së fundit kur deputetët duhet të zgjedhin presidentin e ri vendit, pasi në të kundërtën, tha Haxhiu, vendi do të shkojë në zgjedhje.

“Kur flasim për vendimin në Hagë, nuk i ndihmojnë atyre në Hagë që ne me vetëdije të plotë, pa kokëçarje e çojmë vendin në zgjedhje. Mendoj që ka hapësirë të bëhemi bashkë dhe ta procedojmë një emër për president”, tha ajo.

Dy ditë më parë, Gjykata Kushtetuese doli me njoftim, duke thënë se Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në mënyrë kushtetuese, Kuvendi është konstituuar, ndonëse jashtë afatit kushtetues dhe se deputetët duhet të zgjedhin presidentin deri më 6 tetor.

Haxhiu kritikoi Kushtetuesen, duke thënë se po krijon norma të reja kushtetuese, duke shtuar se tani doli me një afat tjetër për presidentin, krahasuar me aktgjykimin e vitit të kaluar.

“Jam e shqetësuar me mënyrën si i trajton gjykata lëndët. Ajo nuk është gjykatë që duhet t’ua bëjë qejfin partive politike”, tha Haxhiu, e cila është ushtruese e detyrës së presidentit.

E pyetur se kush i shpall zgjedhjet pas 6 tetorit, Haxhiu tha se ka interpretime të ndryshme për këtë çështje, dhe shtoi se duhet pritur publikimi i aktgjykimit të plotë për të parë nëse Kushtetuesja e ka trajtuar edhe këtë aspekt.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq, tha se duke pasur parasysh situatën me të cilën po përballet Kosova pas vendimit të Hagës, vendi duhet të ketë institucione me mandat të plotë, përfshirë presidentin.

Nagavci u shpreh se kreu i partisë do të tregojë së shpejti nëse do të ketë takime me subjektet politike, por shtoi se partia e saj do të angazhohet maksimalisht për zgjedhjen e presidentit.

Nëse deputetët nuk arrijnë të gjejnë pajtim për presidentin, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Ato do të ishin votimet e katërta që nga shkurti i vitit 2025 dhe të dytat për shkak të moszgjedhjes së presidentit.

Por, për Tahirin e PDK-së, pritoritet është çështja e aktgjykimit në Hagë dhe madje tha se në takim nuk është diskutuar për presidentin. Ai madje tha se vendimi i 16 shtatorit nuk duhet të lidhet me tema politike.

“Rrethanat që janë dhe jemi kërkohet përgjegjësi kombëtare, politike dhe karshi kësaj, ne jemi duke thirrur në unitet kombëtar dhe politik”, tha Tahiri.

Partia Aleanca tha se mbështet nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit dhe çdo nismë që ndihmon në lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, që u dënuan për krime lufte nga shkalla e parë e mekanizmit të drejtësisë në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale.

Kritika për nismën e PDK-së

Kryeparlamentarja Haxhiu tha se projektligjin e PDK-së e ka dërguar te një ekip ekspertësh, por ende nuk mund të japë një vlerësim për përmbajtjen e tij.

Megjithatë, ajo pati kritika që për të nuk ka pasur konsultime, duke shtuar se do të ishte më e drejtë që ai të hartohej nga Komisioni për legjislacion ose paraprakisht të konsultohen ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së dhe ekspertë të fushës.

“Unë mendoj se nuk bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo nisme ligjore”, tha ajo.

Kritika të ngjashme pati edhe Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se partia e saj, por as partitë e tjera nuk janë konsultuar për këtë projektligj.

“Nga sot kemi 11 ditë që të zgjedhim presidentin. Në këtë pikë është e rëndësishme që çështjet e rëndësishme t’i adresojmë me një strategji shtetërore, pa protagonizma, por duhet të përmendet që askush nga LVV-ja nuk është konsultuar me këtë nismë të PDK-së. Kjo duhet të jetë një nismë që na bashkon”, tha ajo.

Paraprakisht, LVV-ja ka thënë se do ta shqyrtojë projektligjin e propozuar në aspektin juridik, përfshirë edhe përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe “efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara”.

Vetëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës, fuqia e tretë politike në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar rreth projekligjit për Specialen.

Nisma e PDK-së vjen në kohën kur po mbahen protesta të përnatshme në Prishtinë në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Aktakuzë për krime lufte në Zveçan, i dyshuari akuzohet për vrasje civilësh

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri – që ndodhet në paraburgim – në cilësinë e komandantit të Repartit Policor rezervë në Zveçan, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, dyshohet se ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Prokuroria pretendon se më 29 prill 1999, M.Gj., së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, mori pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në komunën e Zveçanit.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, u vranë tre civilë, ndërsa shtatë persona u rrëmbyen. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, kurse trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Gjatë operacionit, po ashtu, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.

Në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës të viteve 1998-1999.Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.

Më 27 shtator, nëntë persona u arrestuan në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Prokuroria Speciale tha se të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Operacioni nxiti reagime nga Serbia dhe Lista Serbe.

Më herët, më 14 qershor, pesë persona u arrestuan në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Ata dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë..

Ndërkaq, më 6 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë. Të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës.

Më 4 shtator, Prokuroria Speciale dorëzoi gjithashtu aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për vrasjen e 26 civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm në mars të vitit 1998.

Aktakuzat në mungesë janë mundësuar në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2022. Ato mund të procedohen vetëm pasi prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar përpjekjet për të siguruar praninë e të akuzuarve. Sipas ligjit, personat e dënuar në mungesë kanë të drejtë për rigjykim pa kushte nëse arrestohen.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Justina Shiroka Pula inaugurohet si presidente e shtatë e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Brenda, Haxhiu tha se Shiroka Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post. Ndërsa, Shiroka Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që Haxhiu e ka filluar .

Më pas, ato ndërruan karrigat, teksa Shiroka Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet dhe PDK-së. Marrëveshja përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.

Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar parasheh gjithashtu mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe që të ketë mundësi për falje presidenciale, ndërsa kushtetutshmëria e ligjit dhe ndryshimeve të tij mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Pikërisht ky ligj pritet të jetë ndër çështjet e para që do të trajtojë Shiroka Pula në detyrën e re.

Sipas Kushtetutës, ligjet e miratuara nga Kuvendi i dërgohen presidentes për shpallje. Presidentja duhet ta nënshkruajë ligjin brenda tetë ditësh nga marrja e tij ose ta kthejë një herë në Kuvend, duke dhënë arsyet e kthimit.

Nëse brenda këtij afati, ajo nuk merr vendim as për shpalljen e as për kthimin e ligjit, atëhërë ai konsiderohet i shpallur dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen u miratuan pas protestave të zhvilluara në Prishtinë çdo natë qysh nga vendimi të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

PDK-ja e kishte lidhur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen me gatishmërinë e saj për të votuar presidenten e re, ndërsa procesi u zhvillua në një situatë të tensionuar politike, me protesta para Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmani. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për Specialen

Published

on

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.

Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.

Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.

Continue Reading

Trending