Connect with us

Botë

Mbyllet Qeveria amerikane

Published

on

Qeveria amerikane nisi mbylljen në mesnatë, pasi ligjvënësit dhe presidenti amerikan, Donald Trump, dështuan të arrinin një marrëveshje për shpenzimet gjatë bisedimeve të tensionuara që u kushtëzuan nga kërkesat e demokratëve që të financohet kujdesi shëndetësor.

Kjo është hera e parë që Qeveria amerikane mbyllet pas mbylljes më të gjatë në histori – që zgjati 35 ditë – para pothuajse shtatë vjetësh, dhe do të ndalojë punën në disa departamente dhe agjenci federale duke prekur qindra mijëra punonjës qeveritarë.

Trump fajësoi demokratët për bisedimet që ngecën dhe kërcënoi se do të ndëshkonte partinë dhe votuesit e saj gjatë mbylljes, duke paralajmëruar se do të shënjestrojë disa prioritete progresive, duke detyruar shkurtime masive në vendet e punës në sektorin publik.

“Do të largojmë nga puna shumë njerëz që do të preken shumë dhe ata do të jenë demokratë”, tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale.

Ai shtoi se “shumë gjëra të mira do të vijnë nga mbyllja”, duke sugjeruar se do ta përdorë këtë ndërprerje për “të hequr qafe shumë gjëra që nuk i donim, dhe ato gjëra do të jenë të demokratëve”.

Operacionet qeveritare nisën të paralizoheshin pas mesnatës, pas një përpjekje të dështuar në Senat për miratimin e një rezolute rezolutë afatshkurtër të financimit, që veçse është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Shpresat për një kompromis u zbehën prej të hënës, kur një takim i minutës së fundit në Shtëpinë e Bardhë nuk solli asnjë përparim.

Demokratët, që janë pakicë në dy dhomat e Kongresit, kanë synuar që të kenë ndikim mbi Qeverinë federale, tetë muaj pasi Trumpi nisi mandatin e dytë presidencial.

Kërcënimi i Trumpit për shkurtime të reja të vendeve të punës ka rritur shqetësimet në mesin e punëtorëve federalë, pas largimeve masive nga puna më herët gjatë këtij viti nga Departamenti për Efiçiencë Qeveritare që u drejtua nga Elon Musk.

Në Senatin prej 100 anëtarësh kërkoheshin 60 vota për të kaluar projektligji për shpenzime. Republikanët kishin propozuar që të zgjasnin financimin aktual deri në fund të nëntorit, me qëllim që të zhvilloheshin negociata për një plan për shpenzime afatgjatë.

Por, demokratët kërkuan që të riktheheshin qindra miliarda dollarë në shpenzimet për kujdesshin shëndetësor, veçmas për programin për sigurime shëndetësore Obamacare për familjet me të ardhura të ulëta, që me gjasë administrata e Trumpit do ta largojë nga financimi.

Pothuajse të gjithë demokratët në Senat votuan kundër projektligjit që kishte kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Mbetet e paqartë se sa do të zgjasë mbyllja.

Qeveria federale është mbyllur 21 herë që nga viti 1976, kur Kongresi miratoi procesin e ri për miratimin e buxhetit.

Disa mbyllje kanë zgjatur vetëm disa orë dhe nuk kanë pasur ndikim në funksionimin e Qeverisë.

Mbyllja më e gjatë, ndërkaq, nisi më 22 dhjetor 2018, kur demokratët dhe Trumpi nuk arritën pajtim për 5.8 miliardë dollarët që presidenti i kërkonte për murin në kufi me Meksikën.

Atëbotë, pothuajse 380 mijë punonjës federalë u dërguan në pushim administrativ, ndërkaq 420 mijë të tjerë punuan pa pagesë.

Mbyllja e re nuk do të prekë funksionet vitale, sikurse janë shërbimet postare, ushtria, programet për mirëqenie. Por, deri në 750 mijë punonjës mund të dërgohen në shtëpi dhe nuk do të mund të paguhen derisa të përfundojë mbyllja, sipas Zyrës për Buxhet të Kongresit.

| Radio Evropa e Lirë

Botë

Trump thotë se ka “mundësi serioze” për ujdi me Iranin, pasi i pezulloi sulmet ndaj caqeve energjetike

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se ka “mundësi shumë serioze” për të arritur marrëveshje me Teheranin, pasi tregoi se SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime gjatë fundjavës, gjë që e shtyu atë t’i pezullojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane për pesë ditë.

Duke folur për gazetarët para se të hipte në avionin Air Force One më 23 mars, Trump tha se i dërguari special, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, janë përfshirë në bisedimet e nisura nga Irani.

Ai tha se bisedimet po zhvillohen me një lider “të lartë” iranian – por jo me udhëheqësin suprem Mojtaba Khamenei – dhe se në to janë arritur “pika të rëndësishme të marrëveshjes”.

Zyrtarët dhe mediat shtetërore të lidhura me Iranin e kanë mohuar menjëherë se po zhvillohen bisedime të tilla.

Agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Fars, të dyja të afërta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), cituan burime që thanë se “nuk po zhvillohen bisedime”, as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi, midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Ndërkohë, Omani po “punon shumë për të vendosur masa të sigurta kalimi për Ngushticën e Hormuzit”, tha ministri i Jashtëm i vendit, Badr al-Busaidi, në rrjetet sociale pak para se Trump të deklaronte se Shtetet e Bashkuara kishin zhvilluar “bisedime frytdhënëse” për t’i dhënë fund luftës.

“Bazuar në tonin dhe përmbajtjen e këtyre bisedimeve të thella, të detajuara dhe frytdhënëse, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që ta shtyjë çdo sulm ushtarak ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore,” tha Trump në një postim në rrjetet sociale më 23 mars, duke shtuar se pezullimi varet nga suksesi i bisedimeve.

Nuk ka pasur njoftime paraprake se po zhvilloheshin bisedime midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Ndërkohë, Izraeli – i cili tha menjëherë pas njoftimit të Trumpit se po kryente sulme ajrore në Iranin qendror – nuk ka komentuar publikisht.

“Ne kemi eliminuar fazën e parë të udhëheqjes, fazën e dytë dhe në masë të madhe fazën e tretë. Por, po merremi me njeriun që unë besoj se është më i respektuari dhe lideri”, tha Trump për gazetarët.

“Ne nuk duam pasurim [të uraniumit], por gjithashtu duam uranium të pasuruar”, shtoi ai.

Afati për Ngushticën e Hormuzit

Të shtunën, Trump e kishte paralajmëruar Iranin se centralet e tij elektrike do të shkatërroheshin nëse Teherani nuk do ta “hapte plotësisht” Ngushticën e Hormuzit për të gjithë transportin detar brenda 48 orësh.

Trump e caktoi afatin deri të hënën rreth mesnatës.

Paralajmërimi i tij nxiti kërcënime për kundërpërgjigje nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila në një deklaratë të hënën tha se do t’i sulmonte centralet elektrike të Izraelit dhe ato që i furnizojnë bazat amerikane në rajonin e Gjirit, nëse Trump do ta zbatonte kërcënimin e tij për ta “shkatërruar plotësisht” rrjetin energjetik të Iranit.

Ndërsa, Mohammad Baqer Qalibaf, kryetar i Parlamentit iranian, paralajmëroi se “menjëherë pas shënjestrimit të centraleve elektrike dhe infrastrukturës në vendin tonë, infrastruktura jetike, si dhe infrastruktura energjetike dhe e naftës në të gjithë rajonin, do të konsiderohen objektiva legjitime dhe do të shkatërrohen në mënyrë përherë”.

Më shumë se 3.000 njerëz janë vrarë në luftën që SHBA-ja dhe Izraeli e nisën më 28 shkurt, sipas grupit iranian për të drejtat e njeriut, HRANA.

Lufta ka tronditur tregjet, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikë për inflacion global dhe ka lëkundur aleancën perëndimore të pasluftës.

Kërcënimi për sulme ndaj rrjeteve elektrike në Gjirin Persik ka rritur frikën për ndërprerje të mëdha në procesin e shkripëzimit të ujit për pije dhe ka trazuar edhe më shumë tregjet e naftës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Izraeli thotë se ka vrarë zyrtarë të lartë të inteligjencës iraniane

Published

on

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë vrarë zëvendësministrin e inteligjencës së Iranit për çështjet e Izraelit, Sayed Yahya Hamidi.

Jalal Pour Hossein, udhëheqës i divizionit të spiunazhit në Ministrinë e Inteligjencës, u vra gjithashtu, së bashku me “zyrtarë të tjerë të regjimit”, thuhet në njoftim.

Detaje se si, kur ose ku u vranë nuk jepen.

Por, shtohet se selia e Ministrisë së Inteligjencës në Teheran u godit “pak kohë më parë”.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Gjysmëhëna e Kuqe: Më shumë se 550 persona të vrarë në Iran

Published

on

Organizata iraniane Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi të hënën se 555 persona janë vrarë në sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

Sipas raportit të saj, 131 qytete janë përfshirë nga sulmet që nga dita e parë e tyre më 28 shkurt.

Gjysmëhëna e Kuqe shtoi se operacionet e shpëtimit, ndihmës, transportit dhe shërbimeve mjekësore janë duke vazhduar.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending