Connect with us

Kosovë

Osmani: Serbia dhe Rusia kërcënim për Kosovën, BE të mos e shpërblejë Beogradin

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rusia dhe aleatja e saj, Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos “e shpërbëjë Beogradin”.

Para nisjes së samitit të Komunitetit Politik Evropian në Konpenhagë të Danimarkës, Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.

“Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave ajo vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia e përkrah Serbinë në këto veprime. Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për ‘Rusinë e Madhe’ dhe ‘Botën Ruse’, Serbia për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Botën Serbe’ dhe përdorin të njëjtat metoda. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, tha Osmani.

Osmani tha se në rajonin e Ballkanit Perëndimor kurrë nuk ka vakum të ndikimit. Nëse nuk ka ndikim perëndimor, sipas saj, “forcat malinje të ‘Trekëndëshit të Ligësisë’ – që është Rusia, Kina dhe Irani – gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por kanë interesa dashakeq strategjikë. Prandaj është e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara dhe Ballkani Perëndimor, ato shtete të rajonit që i plotësojnë kriteret dhe punojnë me vlerat e BE-së, duhet të merren parasysh që të lëvizin përpara”.

Osmani tha se disa ditë më parë Kosova shënoi dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Kosova e konsideron këtë sulm terrorist dhe akuzon shtetin e Serbisë për organizimin e tij.

“BE-ja vazhdon të kërkojë llogaridhënie. Ka pasur zero llogaridhënie dhe është koha që ata t’i shndërrojnë fjalët në veprime”, tha Osmani.

Sipas saj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar që ta kopjojë udhëheqësin rus, Vladimir Putin, “duke përdorur taktika të agresionit dhe destabilizimit ndaj fqinjëve dhe për këtë arsye është e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin me Rusinë nuk është rruga përpara. Shtetet që janë harmonizuar 100 për qind me BE-në duhet të shpërblehen, jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugë përpara”, tha ajo.

Serbia mban raporte të mira me Rusinë dhe deri më tani ka refuzuar që t’i bashkohet komunitetit ndërkombëtar në sanksionimin e Moskës për shkak të luftës kundër Ukrainës. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Beogradit – që synon të anëtarësohet në bllokun evropian – që të harmonizohet me politikën e jashtme të Brukselit.

Duke folur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE – që Prishtina e ka dorëzuar në fund të vitit 2022 – Osmani tha se ai nuk është trajtuar ende nga BE-ja për shkak të “politikave të brendshme” të disa shteteve anëtare, por shtoi se Kosova do të vazhdojë të punojë që t’i bindë këto shtete, duke theksuar se “rruga e vetme për Kosovën” është anëtarësimi në BE dhe NATO.

Danimarka është mikpritëse e samitit të shtatë të Komunitetit Politik Evropian.

Samiti mbledh 45 udhëheqës, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Udhëheqësit do të fokusohen se si të forcohet Ukraina, në situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë dhe për një situatë më të sigurt gjeopolitike me të cilën përballemi”, tha Bashkimi Evropian.

Sipas BE-së, gjatë samitit do të mbahen disa tryeza diskutimesh për disa aspekte të situatës së sigurisë në Evropë përfshirë “kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migrimin”.

BE-ja në këtë takim do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe takimi do të bashkëudhëhiqet nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.

Nga Presidenca e Kosovës thanë më herët se Komuniteti Politik Evropian synon t’i forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

Në agjendën e publikuar nga BE-ja, te shtetet pjesëmarrëse, pas emrit të Kosovës është vendosur fusnota.

Më 2012, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – palët arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare. Në vitet pas nënshkrimit të marrëveshjes, emrit të Kosovës i bashkëngjitej gjithnjë edhe simboli i fusnotës në dokumente të Kombeve të Bashkuara, BE-së e institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Ndryshe, Komuniteti Politik Evropian rrallë vendos për çështje, por duke pasur parasysh se krerët shtetërore të kontinentit – përjashtim bëjnë ata nga Bjellorusia, Rusia dhe Vatikani – do të mblidhen me një vend për gjashtë apo shtatë orë për takime politike, nga kjo ngjarje mund të dalin përfundime interesante.

Përveç sesionit të Komunitetit Politik Evropian dhe kohës për takime dypalëshe, udhëheqësit do të ndahen në tri gupe punuese për tema që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rezistencën: Kërcënimet tradicionale dhe të reja; Siguria Ekonomike: Reduktimi i varësive evropiane; dhe Migracioni: Kontrolli Efektiv i Flukseve Migratore.

Komuniteti Politik Evropian u lansua më 2022, si ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, si një lloj forumi ndërqeveritar për diskutime politike lidhur me të ardhmen e Evropës.

Në samitin e parë të mbajtur në tetor të vitit 2022 në Pragë, Macron e hodhi poshtë idenë se ky komunitet është një lloj zëvendësimi për anëtarësimin në BE, duke ua kujtuar këtë udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor.

Nga Ballkani Perëndimor, vetëm Kosova qëndron e fundit në rrugën evropiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, Shqipëria dhe Mali i Zi janë shtetet që kanë bërë përparimin më të madh në rrugën drejt bllokut evropian. Tirana synon që të bëhet pjesë e BE-së deri më 2030.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Rashiq thotë se ka hyrë në Kuvendin e Kosovës

Published

on

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit ka thënë të hënën se me 4.600 votat e fituara në zgjedhjet e së dielës, e ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës për katër vjetët e ardhshme.

“Këtë besim e përjetojmë si një nder të madh, por edhe si një detyrim që të jemi edhe më të fortë, edhe më të pranishëm dhe edhe më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve”, tha kjo parti në një njoftim në Facebook një ditë pas ditës së zgjedhjeve.

Më herët, të dielën në mbrëmje, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – pretendoi se me 90 për qind të votave të fituara të komunitetit serb, i ka fituar të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend.

Megjithatë, kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, pretendoi se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Rashiqit “ka marrë vota në mjedise ku serbët nuk jetojnë”, dhe se janë të detyruar të presin edhe vlerësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, shtoi gjithashtu se po pritet edhe numërimi i votave me kusht, si dhe se janë në përpunim mbi 1.000 vota të personave të zhvendosur nga Kosova, të cilët gjithashtu kanë votuar në zgjedhjet e së dielës.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe ka marrë rreth 41.800 vota. Nga subjektet serbe në zgjedhje ka marrë pjesë edhe Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit, e cila ka fituar rreth 550 vota.

Sipas uebsajtit të KQZ-së, numërimi në të gjitha komunat me shumicë serbe nuk ka përfunduar ende plotësisht.

Edhe në zgjedhjet parlamentare të muajit shkurt të këtij viti, Lista Serbe kishte pretenduar se i kishte fituar të gjitha dhjetë mandatet, por një mandat deputeti megjithatë përfundoi në duart e Rashiqit.

Rashiqi ishte ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e kaluar të kryeministrit Albin Kurti, i cili e kishte emëruar në këtë pozitë pasi Lista Serbe i kishte braktisur institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Megjithatë, Lista Serbe këmbëngul në qëndrimin se Rashiqi nuk ka numër të mjaftueshëm votash për të përfaqësuar komunitetin serb.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar gjithashtu në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Rashiqit nënkryetar të Kuvendit tashmë të shpërbërë nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se ishin shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja. Ende pritet vendimi i gjykatës lidhur me këtë çështje.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, njëri nga nënkryetarët duhet të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.

Nga ana tjetër, sipas Rregullores së Punës, kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb e propozon shumica e deputetëve nga ai komunitet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

KQZ përditëson rezultatet preliminare

Published

on

Në përditësimin e fundit  të orës 10:00nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve , janë publikuar votat e proceduara  të 2546 nga 2557 vendvotime ose 99.57% të votave, ku nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje shënoi rritjen më ta madhe, duke fituar rreth 431 mijë e 442 vota ose 49, 30% krahasuar me zgjedhjet paraprake kur fitoi 396 mijë e 787 vota apo 42,30%.

E dyta është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 21,00 % apo 183,826 vota.

Rënien më të madhe në këto zgjedhje ka shënuar Lidhja Demokratike e Kosovës e cila fitoi 13.57% ose 118,772 vota. Në zgjedhjet e 9 shkurtit LDK-ja kishte  marrë 171 mijë e 357 apo 18,27% të votave.

Bazuar në përditësimin e fundit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kaluar pragun zgjedhor me 5,68% pasi ka fituar 49,675 vota derisa Nisma Socialdemokrate nuk e kalon pragun pasi ka mbetur me vetëm 1,71 % të votave.

Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ-së ka qenë 44.59 %.

Continue Reading

Diasporë

Diaspora voton në përfaqësitë diplomatike

Published

on

Prej orës 7:00 të mëngjesit e deri në orën 19:00 të mbrëmjes, sipas kohës lokale në përfaqësitë e ndryshme diplomatike, diaspora po voton për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Votimi në përfaqësi diplomatike ishte mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa më herët kishte qenë i mundur vetëm votimi përmes postës.

Procesi i votimit po zhvillohet në 40 vendvotime, që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të huaja.

Këtu bëjnë pjesë gjashtë vendvotime në Gjermani, tri në Zvicër, dy në SHBA, dy në Kanada, dy në Itali, dy në Francë, dhe nga një në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari dhe Çeki.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se deri në orën 9:00 të mëngjesit kanë votuar rreth një mijë persona, apo 8.64 për qind e atyre që janë regjistruar.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli dukshëm e para nga votat në përfaqësi diplomatike.

Votat nga përfaqësitë diplomatike në zgjedhjet e fundit

Në 30 qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar mbi 80 për qind të këtyre votave.

Por, gjithsej 42 për qind e votave të fituara nga LVV-ja në ato zgjedhje ishin të pamjaftueshme që kjo parti, e cila ka qenë në pushtet e vetme që nga viti 2021, të qeverisë sërish vetë.

Dhe, pas shumë muajve me Kuvend të bllokuar e dështimit të dy mandatarëve për kryeministër për të siguruar vota të mjaftueshme për formimin e një qeverie të re, 28 dhjetori u vendos si data e zgjedhjeve të parakohshme.

Për të votuar në përfaqësi diplomatike janë regjistruar gjithsej 19.187 votues, nga gjithsej mbi dy milionë qytetarët me të drejtë vote në këto zgjedhje.

Gjithsej numri i diasporës që është regjistruar për të votuar në këto zgjedhje, përfshirë përmes votimit me postë është pak mbi 77 mijë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për votim do të vlejnë dokumentet identifikuese me afat të skaduar.

Por, askush që është regjistruar për të votuar nga diaspora nuk do të mund të votojë fizikisht në Kosovë të nesërmen, më 28 dhjetor, pasi që emrat e tyre janë tërhequr nga listat votuese në vend.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending