Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar sot aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Në aktgjykim bëhet e ditur se me mos zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb Kuvendi nuk është konstituuar derisa deputetëve u ka dhënë 12 ditë afat që ta finalizojnë procesin.
Aty është konstatuar edhe se Emilja Rexhepi është zgjedhur në mënyrë të duhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joserbe dhe se procedura e ndjekur në procesin e deritashëm me votimin jo në pako me nënkryetarin e komuniteteve tjera joshumicë, nuk përbën shkelje.
“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve”
Gjithashtu, në aktgjykim është thënë se edhe votimi me short i secilit deputet serb me nga tri runde votimesh nuk ka qenë shkelje.
Megjithatë “Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb”.
Kushtetuesja ka vendosur që secili deputet e ka për obligim të votojë për, kundër apo abstenojë ndaj propozimeve që duhet të dalin në Kuvend brenda 12 ditësh.