Connect with us

Kosovë

Kuvendi vazhdon nesër seancën konstituive

Published

on

Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë për nesër, e premte 10 tetor, me fillim nga ora 10:00me vetëm një pikë, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Njoftimi i për vazhdimin e seancës  vjen një ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë proces.  

Gjykata erdhi në përfundim se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës duke përcaktuar afatin 12 ditor për finalizimin e procesit.

Aty është konstatuar edhe se Emilja Rexhepi është zgjedhur në mënyrë të duhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joserbe dhe se procedura e ndjekur në procesin e deritashëm me votimin jo në pako me nënkryetarin e komuniteteve tjera joshumicë, nuk përbën shkelje.

“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve”

Gjithashtu, në aktgjykim është thënë se edhe votimi me short i secilit deputet serb me nga tri runde votimesh nuk ka qenë shkelje.

Megjithatë “Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb”.

Kushtetuesja ka vendosur që secili deputet e ka për obligim të votojë për, kundër apo abstenojë ndaj propozimeve që duhet të dalin në Kuvend brenda 12 ditësh. Por, gjykata nuk ka treguar se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit të përcaktuar në aktgjykim.   

Kosovë

Dialogu me Serbinë, nën udhëheqjen e MPJD-së

Published

on

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të udhëheqë dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kështu bëri të ditur MPJD-ja, pas një takimi të udhëheqësit të kësaj ministrie, Glauk Konjufca, me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në Prishtinë.

“Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensenin se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, u tha në njoftim.

Konjufca, i cili njëherësh është zëvendëskryeministri i parë, tha se Kosova mbetet “e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Konjufca do të jetë bartës i këtij procesi, që ka nisur më 2011.

Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bisilimi.

Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.

Përgjatë vitesh të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, por BE-ja ka thënë se ajo ende nuk është zbatuar.

Ndonëse marrëveshja nuk është nënshkruar, sipas bllokut evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Ushtria e Kosovës pjesë e forcës paqeruajtëse në Gazë

Published

on

Gjatë takimit të parë të “Bordit të Paqes” në Uashington, Gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffers, komandant i Forcës së sapoformuar Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) foli në detaje për organizimin e dhe veprimin e kësaj force ku mes tjerash bëri të ditur se Kosova bashkë me Shqipërinë, Indonezinë, Marokun dhe Kazakistanin janë pesë vendet e para që do të kontribuojnë me trupat e veta ushtarake në Gazë, ndërkaq Egjipti dhe Jordania do të trajnojnë policinë vendëse.

Ai tha se misioni i kësaj force synon të stabilizojë sigurinë e Gazës dhe të mundësojë qeverisjen civile nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese do të nisë me dislokimin në Rafah, në jug të Gazës, ku do të trajnojë policinë atje dhe më pas do të zgjerohet sektor pas sektori, tha Jeffers duke treguar se në planin afatgjatë do të dislokohen 20 mijë trupa ushtarake dhe do të trajnohen 12 mijë policë.

Në “Bordin e Paqes” të themeluar nga presidenti Donald Trump, në mesin e 27 vendeve anëtare janë edhe Kosova dhe Shqipëria si anëtare themeluese.

Continue Reading

Kosovë

18 vjet burgim për kosovarin që vrau argjentinasen në Fushë-Kosovë

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Endrit Nikën me 18 vjet burgim për vrasjen e partneres së tij, shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë më 2023.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga trupi gjykues, raporton Betimi për Drejtësi – medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë.

Të pranishëm në seancë ishte i pandehuri me avokatin e tij dhe mbrojtja e palës së dëmtuar.

Në maj të vitit 2025, Nika ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën për vrasje.

Aktakuza ndaj tij u ngrit në shkurt të vitit 2025. Sipas Prokurorisë, më 1 gusht të vitit 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me tashmë të ndjerën, ai e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.

Me të hyrë në dhomën e hotelit, sipas aktakuzës, Nika me dashje që ta privojë nga jeta viktimën M.K-U., kishte vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj saj duke e dërguar në qoshen e dhomës, ku ajo nuk kishte pasur mundësi të largohej.

Aktakuza thotë se më pas e kishte shtyrë viktimën, e kishte nxjerrë në kornizën e dritares duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit që gjendej në kat të gjashtë. Për shkak të rrëzimit nga lartësia, viktima nuk iu mbijetoi plagëve.

Sipas të dhënave, në Kosovë nga viti 2010 e deri më tani janë vrarë rreth 60 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending