Connect with us

Kosovë

Supremja shfuqizon dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë

Published

on

Gjykata Supreme e Kosovës i ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke thënë se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike në vend.

Në një njoftim për media, gjykata njoftoi se e pranoi padinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila në qershor urdhëroi bizneset e mëdha të dalin në treg të lirë të energjisë.

Gjykata i shpalli të paligjshme dhe i shfuqizoi nenin 8 të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nga janar 2017, dhe nenin 2 të udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij udhëzuesi.

Ajo tha se gjeti se “mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës”.

Supremja erdhi në përfundim se kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë, nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të parashikueshme.

Ajo gjeti gjithashtu se disa dispozita të udhëzuesve të ZRRE-së nuk përputheshin me ligjin për energjinë elektrike në Kosovë, dhe direktivat e Bashkimit Evropian për energjinë.

Vendimi i qershorit i rregullatorit të energjisë i detyroi të gjitha bizneset e mëdha në vend – me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të dalin në treg të lirë të energjisë.

Kjo do të thotë se këto biznese nuk furnizohen më me tarifa të rregulluara pra në tregun universal, por blejnë energjinë sipas ofertave të kompanive private, të licencuara për tregtim.

Sipas ZRRE-së, në këtë proces janë të përfshira rreth 1.300 biznese, që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme.

Komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin, përfshirë përmes protestave, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar.

Në total 27 kompani janë të licencuara për tregtim me energji elektrike – dhe tri të tjera në proces licencimi.

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë i ka goditur rëndë bizneset prodhuese, duke rritur ndjeshëm kostot dhe duke kufizuar mundësitë e tyre për zgjerim dhe punësim.

Kompania “Pestova” në Vushtrri – e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates dhe numëron 260 punëtorë të rregullt – i tha Radios Evropa e Lirë se e ka ndaluar një linjë të re prodhimi dhe e ka pezulluar punësimin e 20 punëtorëve të rinj, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.

Edhe pse ka shpenzuar 4% më pak rrymë në shtator të këtij viti, fatura e saj është rritur nga 10.962 euro në 25.535 euro – një rritje mbi 100% krahasuar me vitin e kaluar.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Kuvendi miraton një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej miliona eurosh

Published

on

Ligjvënësit kosovarë i kanë ratifikuar të enjten një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, të cilat kapin vlerën e miliona eurove.

Ratifikimi i tyre vjen pas vonesave të shkaktuara nga pezullimi i punës së Kuvendit gjatë marsit, si pasojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me një dekret të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë, i cili u rrëzua dhe ligjvënësit rifilluan punën.

Në mesin e marrëveshjeve që kaluan të enjten është edhe ajo për kredinë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.

Marrëveshjet e ratifikuara:

  1. – Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
  2. – Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
  3. – Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
  4. – Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
  5. – Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
  6. – Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
  7. – Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.

Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

Banka Evropiane e Investimeve i kishte thënë Radios Evropa e Lirë në mars se ratifikimi i marrëveshjes “ishte i nevojshëm për ofrimin e financimit të propozuar”.

“Ratifikimi i marrëveshjes do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara me ndërtimin e njërit prej centraleve të saj më të mëdha fotovoltaike diellore, me një kapacitet deri në 100 megavatë. Projekti pritet të forcojë sigurinë energjetike të vendit duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend dhe duke zvogëluar varësinë nga gjenerimi me bazë qymyri. Ai gjithashtu do të mbështeste qëllimet më të gjera të tranzicionit të gjelbër të Kosovës, pasi centrali pritet të gjenerojë rreth 169 gigavatë energji elektrike në vit dhe do t’i ulte ndjeshëm emetimet e dyoksidit të karbonit sapo të vihet në funksion”, thuhej në përgjigje.

E një zëdhënës nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i kishte thënë Radios Evropës së Lirë se çdo vonesë në ratifikimin e dy marrëveshjeve të kredisë do të “mund të çonte në vonesa në kontraktimin dhe zbatimin e punimeve”.

Marrëveshjet me BERZH-in kapin vlerën e 75 milionë eurove.

Ndërkohë, Kuvendi dështoi t’i ratifikojë katër marrëveshje të tjera ndërkombëtare të enjten, pasi deputetët opozitarë nga Partia Demokratike e Kosovës lëshuan sallën, duke pamundësuar kuorumin.

Marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare mund të miratohen vetëm me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit me 120 vende.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Azemi: Manipulimi me njehsorët elektrikë është vepër penale

Published

on

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, deklaroi se kanë mbledhur dëshmi të mjaftueshme se njehsorët elektrikë po matin gabimisht kohën, duke ndikuar kështu në fatura më të larta të energjisë të cilat po i paguajnë qytetarët.

Në një adresim për media para zyrave të KEDS/KESCO, Azemi tha se dëshmitë e mbledhura për këtë dukuri i ka dorëzuar në KEDS por që menaxhmenti i kompanisë nuk ka pranuar të takohen. Ai tha se përkundër refuzimit nga KEDS do t’i drejtohet Ministrisë së Ekonomisë,  Zyrës së Rregullatorit të Energjisë por dhe prokurorisë, pasi që, siç u shpreh, nga matja e gabuar e kohës në njehsorë po dëmtohen qytetarët kurse po përfiton KEDS-i dhe kjo, sipas tij, është vepër penale.

Sipas Azemit, matja e gabuar e kohës në njehsorë bënë që në shumë raste shpenzimi i energjisë gjatë natës në kohën e tarifës së ulët të llogaritet si shpenzim gjatë ditës kur tarifa është e lartë.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet ta dinë të vërteten dhe këtë të vërtetë unë nuk ka mu ndal deri në momentin e fundit deri sa ta gjejmë ku është problemi, pse po i  rrejnë, pse po i manipulojnë, pse po i  mashtrojnë, pse po i  vjedhin. Këtë hajni kemi me ndalë bashkë,” ka thënë Azemi.

Continue Reading

Kosovë

Kosova dhe Panama heqin vizat për pasaportat diplomatike

Published

on

Republika e Kosovës dhe Republika e Panamasë kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.

“Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Republikës së Panamasë, Carlos A. Hoyos, në një ceremoni zyrtare që rikonfirmoi përkushtimin e të dy vendeve për avancimin e bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjeve diplomatike”, thuhet në postimin e ministrisë në Facebook.

Për më shumë, gjatë takimit zyrtarë, palët diskutuan për nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave edhe për mbajtësit e pasaportave të rregullta, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë sigurinë, arsimin e lartë dhe turizmin.

Panamaja e njohu Republikën e Kosovë si shtet të pavarur me 16 janar 2009, derisa marrëdhëniet diplomatike u vendosën me 27 gusht 2013 me nënshkrimin e një komunikate të përbashkët në mes të dy vendeve. 

Continue Reading

Trending