Connect with us

Kosovë

Nesër do të mbahet seanca për Qeverinë e re të Kosovës

Published

on

Të mërkurën e 19 nëntorit është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.

Ajo do të nisë në orën 14:00.

Ndërkaq, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani, mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e ekzekutivit të ri.

Sipas praktikave, Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.

Pas propozimit si mandatar nga LVV-ja, Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por jo edhe ndonjë marrëveshje koalicioni.

Ai tha se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh as “mundësi teorike” që të arrihet një koalicion me partitë e tjera shqiptare, të cilat, sipas tij, kanë “ndërtuar një urrejtje hibride ndaj meje”.

Gjatë propozimit të Konjufcës për mandatar, Kurti tha se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës – post, që Kurti e kishte propozuar Konjufcën në ekzekutivin e propozuar më 26 tetor. Atëkohë, Kurti dështoi të siguronte 61 votat e nevojshme të deputetëve.

Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.

Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë.

Pas dekretimit të Konjufcës, Osmani tha se partitë e tjera të mëdha shqiptare nuk kishin emër për mandatar, duke shtuar se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.

Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Komunën e Kaçanikut

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës kanë arrestuar personin me inicialet A.D., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në njoftim thuhet se i pandehuri A.D., dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth në Komunën e Kaçanikut.

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar një armë, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjuetie dhe një uniformë e policisë së Serbisë.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria autorizon Policinë të kryej hetime lidhur me njehsorët e KEDS-it

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS-it.

Në njoftimin e publikuar për media, Prokuroria tha se ka dyshime që njehsorët e rrymës nuk po e bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.

“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it.

Në këtë drejtim, dyshohet se është kryer vepra penale ‘’Mashtrimi’’, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,“ thuhet mes tjerash në njoftim.

Lidhur me këto dyshime, dje Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit paralajmëroi gjoba ndaj KEDS-it, pasi gjeti parregullsi në disa njehsorë të energjisë elektrike.

Continue Reading

Kosovë

MINTI paralajmëron gjoba për KEDS-in për shkak të njehsorëve

Published

on

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka paralajmëruar gjoba ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), si pronare dhe shfrytëzuese e njehsorëve elektrikë, pasi gjeti parregullsi në disa prej tyre.

MINTI tha se është bërë verifikimi i parë i njehsorëve, pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikim, dhe është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë, ka pasur devijime me orë dhe ditë, por “matja e energjisë elektrike kanë rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar”.

Verifikimi laboratorik u bë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, që funksionon në kuadër të MINTI-t.

“Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara”, tha MINTI.

Ndërkaq, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut – që po ashtu funksionon në kuadër të MINTI-t – “do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve”, u tha në njoftim.

MINTI tha se verifikimet e njehsorëve do të vazhdojnë, teksa komisioni ad hoc veçse ka tërhequr njehsorë elektrikë me orë tarifore të pasaktë.

Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është me rëndësi, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.

Në Kosovë ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

Shqetësimet për devijime në njehsorë fillimisht u ngritën nga subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe media lokale, Nacionale, që publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në total – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

LDK-ja pretendon se qytetarët janë dëmtuar nga “një skemë e madhe mashtrimi”, meqë ata mund të kenë besuar se e kanë shpenzuar energjinë në orët kur zbatohet tarifa e ulët, por me dallimet në kohë ata kanë shpenzuar shumë më tepër.

Ndërkaq, KEDS-i gjatë një konference për media më 1 prill tha se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim. Sipas kompanisë për shpërndarjen e energjisë, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë – por, në rast të identifikimit të pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.

ZRRE, ndërkaq, është zotuar se do të marrë masa në rast të konstatimit të gabimeve në funksionimin e njehsorëve elektrikë.

Debati për parregullsitë në njehsorë elektrikë vjen në kohën kur ZRRE-ja pritet që më 1 maj të shpallë tarifat e reja, që vlejnë deri më 31 mars. Shpallja e tyre ishte paraparë të bëhej më 1 prill, por u shty.

Disa operatorë energjetikë kanë kërkuar rritje të tarifave prej 20 për qind, por ende nuk është marrë ndonjë vendim.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending