Connect with us

Kosovë

Gjykata serbe urdhëron një muaj paraburgim për veteranin e UÇK-së

Published

on

Një gjykatë në Beograd ka urdhëruar një muaj paraburgim për një shtetas të Kosovës të enjten, i cili u arrestua në fund të muajit të kaluar për gjoja krime lufte në vitin 1999, njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës.

Avni Qenaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nga policia serbe më 25 nëntor në pikëkalimin kufitar mes dy vendeve, Merdare, derisa po udhëtonte drejt Bosnjës, ku familja e tij ka një biznes familjar.

Në një njoftim në Facebook të enjten, Ministria theksoi se autoritetet gjyqësore në Serbi kanë nisur procedurë penale ndaj Qenaj për gjoja krime lufte të vitit 1999.

Ajo tha se arrestimi i Qenajt “përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht”.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, e vizitoi të mërkurën Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në kryeqytetin serb, tha Ministria.

“Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Qenaj nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim, tha ajo.

Familjarët e tij kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor në këtë rast.

Ditën e arrestimit të tij, Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se Qenaj, nga Romaja e Prizrenit, kishte shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, tha në ditën e arrestimit të tij për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe ia kishin gjetur Qenajt kartelën e anëtarësisë së veteranit.

Ndërkohë, Serbia dyshon se Qenaj, në prill të vitit 1998, i ishte bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në Prizren dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” kishte marrë pjesë në sulmin ndaj postblloku kufitar serb në Koshare në vitin 1999.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.

Në Koshare ishte një postbllok ushtarak i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku nga 9 prilli 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi RFJ, për 67 ditë u zhvilluan luftime mes ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë më vonë bëri të ditur se në betejën e Koshares u vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave.

Zyrtarët nga Kosova thanë se janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave thanë se NATO bombardoi Kosharen në maj të vitit 1999.

Beteja në këtë postbllok kufitar mes RFJ-së dhe Shqipërisë përfundoi më 14 qershor, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova në bazë të marrëveshjes me të cilën përfunduan bombardimet e NATO-s mbi RFJ.

NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, 9 prilli në Serbi shënohet si një betejë heroike e forcave ushtarake të Jugosllavisë, pjesë autonome e së cilës në atë kohë ishte Kosova, ndërsa në Kosovë kremtohet si fitore e UÇK-së.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Kosova nderon viktimat e masakrës së Reçakut

Published

on

Kosova i ka nderuar viktimat e masakrës së Reçakut të enjten, në fshatin e Shtimes, ku 27 vjet më parë forcat serbe i vranë 45 civilë shqiptarë.

Kjo masakër shtyri NATO-n t’i niste bombardimet për t’i dhënë fund luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë, dhe përfundimisht pavarësimit të vendit disa vite pas çlirimit.

Krerët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti – liderë të partive politike e qytetarë të shumtë u mblodhën në memorialin e viktimave në fshatin Reçak – rreth 30 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, për t’i nderuar të rënët.

Homazhe bëri edhe William Walker, shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë në kohë e luftës, i cili asokohe dokumentoi krimet e kryera në këtë fshat.

Presidentja Osmani tha se 27 vjet, “plagët e Reçakut ende flasin”.

“Dhimbja është e freskët për familjet dhe për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo e kritikoi Serbinë se po vazhdon me “të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”.

Qeveria e liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në atë kohë pretendonte se të vrarët ishin të gjithë anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të vrarë në përleshje me forcat e sigurisë së shtetit.

Në mesin e të vrarëve ishte edhe një djalë 12-vjeçar.

Zyrtarët e Serbisë vazhdojnë ta mohojnë këtë masakër edhe sot, duke pretenduar se ajo ishte “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Kurti u zotua se institucionet e vendit do të punojnë për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit e masakrës.

“Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga Qeveria e Parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, tha Kurti.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak.

Prokuroria ka kërkuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, duke thënë ata janë të paarritshëm për organet e drejtësisë të Kosovës.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se “jemi këtu për të shprehur nderimin dhe respektin tonë për këta të rënë dhe këtë ngjarje e cila është një prej ngjarjeve që ka kontribuuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi shkurtimisht se “Reçaku nuk harrohet dhe drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet”.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllav.

Fusha prej 78-ditësh bombardime mori fund më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-‘99, u vranë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Arrestohet një burrë nën dyshimin për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës

Published

on

Autoritetet kosovare e kanë arrestuar të mërkurën një burrë nën dyshimet se kishte sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në vend, si dhe të Policisë së Kosovës, gjatë protestave të vitit 2023 në veri të vendit.

Në një njoftim të shkurtër në Facebook, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk dha më shumë hollësi për të dyshuarin, duke e identifikuar atë vetëm me inicialet S.R.

Ai u arrestua gjatë një aksioni mes prokurorëve dhe hetuesve policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar të mërkurën, sipas njoftimit.

“Në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Ai është ndaluar për 48 orë mbi dyshimet për veprat penale si, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Prokuroria tha se do të kërkojë nga gjykata në Prishtinë që i dyshuari të mbahet në paraburgim, teksa hetimet ndaj tij vazhdojnë.

Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan.

Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan vitin e fundit.

Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Sorensen në Prishtinë: Do të sigurohemi që Kosova e Serbia të zhvillojnë bisedime

Published

on

Peter Sorensen – i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – tha gjatë një vizite në Prishtinë të mërkurën se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Sorensen u takua mëngjesin e së mërkurës me udhëheqësit e Kosovës, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Duke folur për media pas takimit me presidenten, Sorensen tha se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.

“Prandaj, po e nisi vitin e ri me një udhëtim pune këtu dhe në Beograd më vonë gjatë javës. Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.

Kurti – i cili pritet të jenë në krye të qeverisë së vendit edhe për një mandat të tretë katërvjeçar – e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiq.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe e mori përgjegjësinë për të.

I pyetur nga gazetarët nëse BE-ja do të bëjë trysni ndaj Serbisë për ta plotësuar kushtin e Kurtit për dorëzimin e Radoiçiqit para një takimi të mundshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Sorensen nuk u përgjigj.

Sorensen pritet të ketë takim edhe me opozitën kosovare më vonë.

Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Kjo ishte vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending