Connect with us

Kosovë

Ndërpritet seanca për shpërthimin në Ibër-Lepenc, mbrojtja kërkon përjashtimin e prokurorit

Published

on

Për shkak të kërkesës së mbrojtjes të të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare për rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, raporton Betimi për Drejtësi.

Avokati i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Nebojsha Vllaiq tha se nuk ka vërejtje për trupin gjykues, por kërkoi që prokurori Kodraliu të përjashtohet nga lënda.

Çfarë thanë avokatët mbrojtës?

Sipas tij, klienti i tij u arrestua më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm gjashtë ditë pas kësaj, ka parashtruar kërkesë për mbledhjen e provave. Sipas Vllaiqit, kjo kërkesë iu dorëzua prokurorisë së shtetit dhe gjykatës dhe provat iu dorëzuan të dyja palëve.

Vllaiq tha se atëbotë prokuror në këtë rast ishte Halim Borovci, ndërkaq tani është Bekim Kodraliu, duke pretenduar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga provat që ai i ka propozuar.

“Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte që të bisedohet më së paku me katër persona, që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Të vërtetohet nga cilat antena telefonike në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjale. Kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe janë shfaqur në mënyrë shumë selektive. Nuk është treguar koha- që është shumë e rëndësishme”, tha Vllaiq, sipas Betimit për Drejtësi.

Mbrojtësi pretendoi se Kodraliu ka shkelur dispozitën e nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se është i obliguar që me kujdes t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo dëm të të pandehurit.

Vllaiq pretendoi se provat janë humbur përgjithmonë sepse askush nuk është i obliguar që t’i ruajë incizimet për një vit, nëse nuk ka një urdhër për një gjë të tillë. Nisur nga kjo, sipas tij, është shkelur neni i Kodit të Procedurës Penale sa i përket një procesi të drejtë dhe mbrojtje të drejtë.

Të gjitha këto shkelje të pretenduara, sipas Vllaiqit, nxisin dyshime për“paanshmëri të Kodraliut, duke e akuzuar atë për veprime të njëanshme.

Kërkesën për përjashtimin e Kodraliut, Vllaiq tha se e ka dërguar edhe te kryeprokurori i shtetit.

Ndërkaq, avokati i Dradisha Viqentijeviq, Millosh Delleviq, iu bashkëngjit kësaj kërkese.

Ai tha se ka parashtruar kërkesë te prokurori që të dëgjohen katër dëshmitarë, të mblidhen video-incizimet e kamerave nga dy objekte në Zubin Potok, të cilat pamje janë një orë para dhe një pas shpërthimit.

Por, sipas Delleviq, deri sot prokurori nuk ka vepruar sipas kërkesës së tij, duke konsideruar kështu se është dëmtuar e drejta e tij për mbrojtje.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviq, Jelena Krivokaqiq kërkoi që seanca të ndërpritet.

Kodraliu: Sulmi cenoi direkt sigurinë kombëtare

Prokurori special, Bekim Kodraliu, u shpreh se ndoshta mbrojtjes nuk i pëlqen hetimi që ka zhvilluar, por theksoi se sulmi ka qenë i përgatitur në mënyrë profesionale dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur.

Sipas tij, provat që i ka propozuar mbrojtja i ka analizuar dhe janë dëgjuar edhe sot. Kodraliu u shpreh se komunikimet telefonike të të akuzuarit Jovan kanë qenë përmes sistemit telefonik të Serbisë dhe se u janë drejtuar autoriteteve serbe dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar.

Por, Kodraliu theksoi se përkundër kësaj, nuk kanë pranuar përgjigje nga ata.

“Ka qenë sulm që ka cenuar direkt sigurinë kombëtare dhe në atë fazë s’kemi mund të vlerësojmë se kush është dëshmitar, kush është i dyshuar në këtë rast penal. Hetimet i kemi zhvillu me partnerë ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Kodraliu tha se prokuroria ka vlerësuar se në këtë fazë, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk paraqesin relevancë që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.

“Kolegu Vllajiq ka qenë edhe ish-prokuror në sistemin jugosllav dhe është njoftuar cilat janë bazat ligjore për përjashtimin e prokurorit. Më konkretisht neni 43 i KPP-së, i parasheh pesë arsye të cilat mund dhe është e obligueshme të përjashtohet prokurori”, u shpreh ai.

Kodraliu tha se është në dorën e gjyqtarit të vendosë për ndërprerjen e seancës dhe më pas gjykatësi Vesel Ismaili vendoi që seanca të ndërpritet, pasi theksoi se janë të obliguar të ndërpresin çdo veprim procedural derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të japë përgjigje.

Në seancën fillestare, që u ndërpre, të pranishëm ishin vëllezërit Viqentijeviq, ndërkaq Dimoviq po mbrohet në liri.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit për veprat penale: “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerje e aktit terrorist”, “armëmbajtje pa leje” dhe “spiunazh”.

Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq janë arrestuar pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe, që nga ajo kohë, ndodhen në paraburgim.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq, së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv brenda kanalit”.

Ata, sipas aktakuzës, aktivizuan mjetin shpërthyes përmes një çante që e kishin lidhur me litar për një shtyllë betoni, çka bëri që të dëmtohej rëndë struktura prej betoni e kanalit Ibër–Lepenc, të ndërpritej furnizimi me ujë të pijshëm, të rrezikohej prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa ndërmarrjes Ibër–Lepenc t’i shkaktohej dëm në vlerë prej gati 400 mijë eurosh.

Prokuroria Speciale Jovan Viqentijeviqin e akuzon gjithashtu për spiunazh, pasi, siç thuhet, deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim të përdorimit të tyre gjatë aktiviteteve të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

Në hetimin e këtij rasti, Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe amerikanë, ndërsa janë sekuestruar edhe armë dhe eksploziv.

Diplomatë amerikanë kanë deklaruar më herët se në hetim kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt edhe agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 10 dhjetor se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më herët se ka disa njohuri se kush mund të jetë kryerësi, pa dhënë më shumë detaje.

Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim në zhvillimin e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe ka deklaruar se “në të njëjtin sekondë” do të ndalohet dhe arrestohet kushdo nëse rezulton se përgjegjës është një person i etnisë serbe që ndodhet në territorin e Serbisë.

Kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë pas shpërthimit se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.

Megjithatë, deri më tani, nuk dihet nëse organet e drejtësisë në Serbi kanë nisur ndonjë hetim.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Presidentja i kërkon sqarim Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, pasi LVV kërkon tre anëtarë

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti i ka kërkuar tre anëtarë.

Kabineti i Osmanit i tha Radios Evropa e Lirë (REL) të martën se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit dhe se ajo do t’i emërojë ata “sapo të marrë përgjigje” nga gjykata më e lartë e vendit.

“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.

Derisa kabineti i Osmanit nuk deshi të tregojë se cilat parti kanë bërë më shumë propozime seç lejohet, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit konfirmoi për REL-in se i ka propozuar tre kandidatë.

Si emërohen anëtarët e KQZ-së?

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, pra kryetari dhe 10 anëtarë të tjerë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar tre, partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha për REL-in se i ka propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tregoi se e ka propozuar një kandidat.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partia e Kurtit nuk mund t’i propozojë më shumë se dy kandidatë.

“Tash, sa i përket përbërjes së KQZ-së, modeli që aplikon Kosova është strikt, e jo proporcional, që nënkupton se grupet parlamentare me të drejtë përfaqësimi propozojnë nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve. Edhe në situata kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël, nuk kalohet në ndarje proporcionale, sepse formula mbetet e njëjtë dhe duhet të zbatohet në mënyrë konsistente”, shkroi Cakolli në Facebook ditë më parë.

Sipas tij, bazuar në përbërjen e tanishme të Kuvendit të Kosovës, “ndarja është e qartë: LVV duhet t’i ketë dy anëtarë, PDK-ja gjithashtu dy, ndërsa LDK dhe AAK nga një anëtar”.

Ai përmendi edhe rastet e mëparshme kur Gjykata Kushtetuese ka sqaruar këtë çështje, duke thënë se në secilën prej dy rasteve për situata shumë të ngjashme, ajo ka konfirmuar zbatimin e modelit të rreptë të përfaqësimit në përbërjen e KQZ-së.

“Madje, rasti i vitit 2021 është veçanërisht ilustrues, kur LVV kishte mbi 50% të votave, por kishte të drejtë propozimi vetëm për dy anëtarë”, shtoi ai.

Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.

Në fillim të muajit, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i kishte bërë thirrje presidentes të përshpejtojë me emërimin e anëtarëve të rinj brenda afatit ligjor.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Përvjetori i 27-të i bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe

Published

on

Sot shënohet përvjetori i 27-të i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq për një armëpushim.

“Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, pati thënë presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Më pas, ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, i cili i autorizoi sulmet ajrore.

Kjo fushatë përbënte herën e parë që NATO-ja e përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Fushata përfshiu rreth 1.000 avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani, si dhe aeroplanmbajtësen e vendosur në Detin Adriatik, USS Theodore Roosevelt.

Avionët kryen mbi 38.000 fluturime – prej të cilave 10.484 fluturime sulmuese – pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve.

Gjatë fushatës ajrore, shkatërrime ose dëme të rënda pësuan kazerma dhe njësi ushtarake në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, ashtu si edhe sisteme të komandës dhe kontrollit, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastruktura të energjisë dhe komunikimit etj.

Në përmbyllje të fushatës, presidenti Clinton pati thënë se kërkesat e komunitetit ndërkombëtar ishin përmbushur, përfshirë: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre.

“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”.

Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

Beogradi kishte 11 ditë kohë për t’i zhvendosur 40.000 forcat e tij të sigurisë jashtë Kosovës.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur në 4.767 trupa sot, nga 33 vende të botës.

Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur – mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Vdes gruaja 73 vjeçare e plagosur mbrëmë në Majac të Podujevës

Published

on

Policia e Kosovës bëri të ditur se njëra nga të plagosurat një ditë më parë në fshatin Majac të Podujevës, gruaja 73 vjeçare ka vdekur rreth  orës 03:35 të mëngjesit të sotëm si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.

Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar kurse Prokurori kompetent nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në raportin ditor, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 22 mars e ka gjetur të vdekur një burrë pa shenja jete në një makinë në fshatin Majac, ndërsa brenda në shtëpi janë gjetur dy gra me plagë të rënda.

“Bazuar në informacionet dhe hetimet fillestare, në vendin e ngjarjes është hasur vetura (VW) ngjyrë e bardhë me targa lokale (01), e cila është verifikuar dhe ka dalë në pronësi të një personi mashkull kosovar nga Obiliqi. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se personi mashkull kosovar i hasur në automjet është pa shenja jete.

Referuar situatës, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim, të cilët kanë intervenuar brenda në shtëpi duke vënë situatën nën kontroll, ku dy persona të gjinisë femërore janë gjetur brenda, të cilat dyshohet se kanë plagë të rënda, por janë me shenja jete. Nga njësia emergjente iu është dhënë tretmani mjekësor, dhe pastaj të njëjtat nën mbikëqyrjen mjekësore dhe policore janë dërguar në qendrën spitalore”, thuhet në njoftimin e policisë. Personi që humbi jetën në ngjarjen e mbrëmshme tragjike në Podujevë është Ilaz Brahimi, ka njoftuar familja e tij përmes një postimi në rrjetet sociale.

Continue Reading

Trending