Connect with us

Kosovë

Kërkohet rinumërimi i plotë pas ndryshimeve në votat për kandidatë

Published

on

Koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) dhe shumica e partive të mëdha shqiptare në Kosovë kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi gjatë rinumërimit u konfirmuan dallime në votat për kandidatë për deputetë.

Pas evidentimit të mospërputhjeve të votave, më 19 janar Prokuroria e Shtetit është vënë në lëvizje, duke urdhëruar grumbullimin e provave për manipulime të mundshme zgjedhore.

DnV tha më 19 janar se pas konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave për kandidatë në disa komuna, “shmangia nga vendimi për një rinumërim të plotë në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 13 janar nisi rinumërimin e 914 vendvotimeve, pasi një raport për verifikimin e votave të kandidatëve për 2 për qind të vendvotimeve, gjeti raste të mospërputhjeve të votave. KQZ-ja mblidhet pasditen e sotme dhe pritet të diskutojë për çështjen e rinumërimit.

DnV tha se devijimet që janë evidentuar në komunat ku është bërë rinumërimi i plotë, por edhe në komunat ku janë rinumëruar vetëm 10 për qind, tregon se “fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës së kandidatëve nuk mund të vlerësohet me siguri përmes rinumërimeve selektive”.

“Në këtë kontekst, rinumërimi i pjesshëm, sado i zgjeruar, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar. Vetëm një rinumërim i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat mund të sigurojë se vullneti i votuesve është reflektuar saktë dhe se nuk ka vendvotime të mbetura jashtë verifikimit, të cilat mund të ndikojnë në renditjen dhe mandatin e kandidatëve”, tha DnV-ja.

Për shkak të mospërputhjeve të votave, Prokuroria Themelore në Prizren një ditë më parë e autorizoi Policinë e Kosovës që të identifikojë fajtorët për mospërputhje gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatë për deputetë.

Një ditë më vonë, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, u ka kërkuar kryeprokurorëve në të gjitha prokuroritë themelore, që në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit “të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”.

DnV tha se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjafteushme që organet e drejtësisë të hetojnë për këtë çështje në nivel vendi, duke kërkuar që hetimi të mos përfshijë vetëm komisionerët.

“Edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës”, tha DnV.

Kush po humb më së shumti vota nga rinumërimi?

Me mbi gjysmën e procesit tashmë të përfunduar, rinumërimi i pjesshëm votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit tashmë ka shpërfaqur mospërputhje të shumta, me disa kandidatë si Fetah Paçarizi dhe Nait Hasani, nga Partia Demokratike e Kosovës, që kishin marrë mijëra vota më shumë se që u takonin gjatë numërimit fillestar.

Partitë kërkojnë rinumërim të plotë

Rinumërim të plotë të votave kanë kërkuar edhe partitë parlamentare. Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cilësoi “tepër shqetësuese” mospërputhjet e zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm të votave.

“Në këto rrethana të krijuara, si kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

Kërkesë të ngjashme ka pasur edhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, është shprehur ai.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se rinumërimi i pjesshëm nxori në pah një “skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit”.

“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, është shprehur ai.

Ndryshim të votave te kandidatët për deputetë nuk ka pasur vetëm te partitë shqiptare, por edhe te ajo joshumicë.

KQZ-ja përfundoi numërimin e të gjitha votave, përfshirë ato nga diaspora, më 9 janar.

Gjatë procesit të numërimit, në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Manipulimi i votave në Kosovë është vepër penale. Megjithatë, së voni organizata joqeveritare ÇOHU publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Nagavci: Shpërndarja e Kuvendit akt i paprecedent, vendimin do ta çojmë në Kushtetuese

Published

on

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavaci ka thënë të premten se shpërndarja e Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin dhe që rastin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk kushte pse të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes”, ka deklaruar ajo në një konferencë për media.

Sipas saj, LVV-ja, në përputhje me rezultatin e saj zgjedhor, në vazhdimësi i ka ofruar alternativat për shmangien e zgjedhjeve.

“Barrikadimi me jo-në e vazhdueshme, është i padobishëm dhe i panevojshëm”, ka thënë ajo.

LVV-ja i ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Në këtë legjislaturë ajo i ka 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

E pyetur nëse partia do të marrë pjesë në konsultimet që do t’i nisë Osmani për datën e zgjedhjeve të reja, ajo ka thënë se nuk sheh arsye për të marrë pjesë në to.

Nagavci, gjithashtu, i ka kërkuar Osmanit që t’i përmendë me emra figurat që ajo beson se kanë qëllime të rrezikshme për shtetin e Kosovës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Presidentja Osmani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve sot nga ora 13:00

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani do të fillojë sot nga ora 13:00, konsultimet me përfaqësuesit e partive parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Sipas ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve por jo më herët se 30 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.

Presidentja Osmani, mëngjesin e sotëm, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi në seancën e mbrëmshme, në mungesë të kuorumit deputetët nuk arritën të zgjedhin kreun e ri të shtetit.

Continue Reading

Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin e Kosovës

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani me dekret ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës, pasi në seancën e mbrëmshme, Kuvendi në mungesë të kuorumit, nuk arriti të zgjedhë kreun e ri të shtetit.

Në konferencën për media, të mbajtur mëngjesin e sotëm, Osmani tha se dështimi i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e detyron vendin të shkojë në zgjedhje të reja.

“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës” tha Osmani duke shtuar se “askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme” .

Presidentja Osmani tha se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill andaj afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri ishte data 5 mars.

Sa i përket afatit 60 ditor të procedurës për zgjedhjen e presidentit, Osmani tha se ky afat mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit por duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Ajo potencoi faktin se deputetët kanë pasur në dispozicion 23 ditë për ta kryer këtë detyrë kushtetuese.

“ Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët, nuk e ndryshon Kushtetutën tonë dhe nuk e zhbën detyrën time që ta shpërndaj këtë Kuvend i cili dështoi”, ka thënë Osmani duke shtuar se sot, më  6 mars do të ftojë liderët e partive parlamentare për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja të cilat duhet të mbahen brenda afatit prej 45 ditëve.

Continue Reading

Trending