Organizata joqeveritare ‘’Iniciativa për Progres’’ po kërkon që të anulohet vendimi i Kuvendit Komunal për lejimin e pagesës përmes kësteve për lejen ndërtimore të kategorisë II. Sipas INPO-s ky vendim është marrë në kundërshtim me ligjin për ndërtim dhe udhëzimin administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Për përcaktimin e procedurave për përgatitjen dhe shqyrtimin e kërkesave për kushtet ndërtimore, leje ndërtimore dhe leje rrënimi për kategorinë e I dhe II të ndërtimeve, të cilët e obligojnë komunën të lëshojë leje ndërtimi për kategorinë II, vetëm pasi të jenë përmbushur kushtet ndërtimore dhe të jetë ofruar dëshmia e pagesës për taksën e lejes ndërtimore. Tutje, neni 3 i këtij UA i ndalon komunës në mënyrë taksative që të kërkoj procedura apo dokumente shtesë për leje ndërtimore, të cilat nuk janë paraparë ose lejuar në mënyrë specifike me këtë UA”, tha Arbenita Topalli.
Në anën tjetër, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt Kristina Gashi-Bytyqi, tha se kërkesën e INPO-s mund ta shqyrtojnë vetëm atëherë kur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ta kthej vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit në fjalë.
“Vendimi është marrë nga Kuvendi dhe është propozuar nga Drejtoria e Urbanizmit, e cila drejtori besoj paraprakisht është konsultuar me ligjin për ta marrë këtë vendim. Kështu që ne si Kuvend kemi ende kohë për të pritur derisa MAPL të na kthej përgjigje lidhur mbi vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit për lejimin e pagesës me këste të marrjes së lejes ndërtimore. Pasi të kemi përgjigje nga ministria ne sigurisht që do ta shqyrtojmë kërkesën e INPO-s”, tha Gashi Bytyqi.
Përveç Kuvendit, INPO ka kërkuar që kjo çështje të jetë edhe subjekt i hetimeve nga Prokuroria e Shtetit.
“Kjo praktikë sistematike e kundërligjshme e pushteteve në Ferizaj lidhur me menaxhimin dhe administrimin e parasë publike duhet të jetë subjekt i hetimeve nga Prokurori i Shtetit, të cilit INPO i bën thirrje që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të siguruar sundimin e ligjit dhe të siguroj qytetarët e Ferizajt se buxheti i komunës nuk është dëmtuar’’, u shpreh Arbenita Topalli nga INPO.
Kërkesën e INPO-s tashmë e ka në dorë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj Shukri Jashari.
“Po është e vërtetë që dje pasdite kemi pranuar një ankesë nga organizata INPO lidhur me çështjen në fjalë, pra për pagesën me këste për leje ndërtimore. Ne si prokurori e kemi pranuar kërkesën dhe jemi në shqyrtim e sipër. Kjo do të thotë se jemi duke e analizuar kërkesën dhe së shpejti do të dalim me një qëndrim të caktuar“, tha kryeprokurori Shukri Jashari.
INPO ka vlerësuar se kjo praktikë joligjore është zbatuar edhe nga pushteti i kaluar në Ferizaj, ndërkaq ka shtuar se Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj të auditimit të pasqyrave vjetore financiare të komunës se Ferizajt për vitin 2017, ka gjetur se së paku në pesë raste komuna ka lëshuar leje ndërtimi të kategorisë II pa u kryer të gjitha pagesat. Si pasojë, komuna nuk ka arritur t’i inkasoj rreth 171 mijë e 164 euro vetëm nga këto pesë leje ndërtimi.